Klubi i Prodhuesve të Kosovës shpreh reagimin e ashpër kundër gjuhës denigruese të përdorur nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu gjatë një emisioni televiziv.
“Për Klubin e Prodhuesve të Kosovës është e papranueshme që një gjuhë e tillë të jetë pjesë e diskursit të përditshëm publik, prandaj edhe e kundërshtojmë që shprehje të tilla që u përdorën dje të jenë pjesë e kulturës sonë shoqërore dhe e aq më pak pjesë e debateve televizive”, thuhet në reagim.
Klubi i Prodhuesve të Kosovës shpreh respektin më të madh për Odën Ekonomike të Kosovës si institucion, por kërkon nga ajo që të distancohet nga deklaratat e pamatura të kryetarit tashmë në ikje.