Limaj e Reçica nisin jetësimin e projektit çdo familje nga një të punësuar

Ekonomi

Limaj e Reçica nisin jetësimin e projektit çdo familje nga një të punësuar

Më: 19 prill 2018 Në ora: 16:01
Nisja e fushates

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ishte zotuar gjatë fushatës së me Nismën në qeveri do të bënte të mundur që çdo familje në Kosovë të ketë nga së paku një anëtar të punësuar.

E, ky projekt ka nis të zbatohet edhe në praktikë. Zëvendëskryeministri Limaj bashkë me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica kanë nisur takimet me familjet përfituese të Skemës së Ndihmës Sociale në të gjitha komunat.

Limaj po synon që së paku nga një anëtar të familjeve në skemën sociale t’i përfshijnë në masat aktive të tregut të punës. Numri dy i qeverisë së Kosovës ka thënë se Kosovës do t’i ofrohet mundësia për t’i punësuar secilës familje së paku nga një anëtar. Për të arritur këtë mision, Limaj ka kërkuar bashkëpunimin edhe të familjeve që janë në asistencë sociale.

“Sot jeni të ftuara 176 familje që nuk kanë asnjë të punësuar dhe të cilët janë të aftë për punë. Ideja e këtyre takimeve që do të mbahen anëkend vendit është që të njoftojmë drejtpërdrejt njerëzit tanë me mundësitë që i ka shteti për t’i ofruar një shans dhe një mundësi djemve e vajzave që të punojnë. Theranda njihet si ndër komunat me njerëzit me punëtor dhe jemi ardh me ju thanë juve që merrni ndihmë sociale a jeni të gatshëm për punë”, ka thënë Limaj gjatë një tubimi me banorë të Therandës të cilët marrin asistencë sociale.

Limaj ka thënë se kanë ardhur në Therandë që t’ia ofrojnë mundësinë njerëzve për punë. Ministria e Punës, sipas Limajt, ka bërë disa plane dhe po punon në disa drejtime në bashkëpunim me komunat për të hap vende të reja të punës, në të njëjtën kohë ai ka bërë me dije se janë në kontakt edhe me shtetet mike për të arritur marrëveshje për punësim sezonal.

“Sidomos djemtë e vajzat e reja që nuk kanë përgatitje profesionale, ju ftoj të drejtoheni drejt qendrave për aftësim profesional me shku me marrë nga një zanat. Tregu i punës kërkon njerëz me zanat. Shfrytëzoni moshën e drejtohuni këtyre qendrave. Unë e di që jetoni një jetë të vështire dhe e di që askush nuk doni nga ju të merrni një ndihmë sociale, e di sa është vështirë për juve ta përmbyllni muajin me ndihmë sociale”, ka shtuar Limaj.

Më tutje, Limaj ka thënë se shteti nuk ka kapacitet për të rritur ndihmën sociale aq sa kanë nevojë familjet që marrin këtë ndihmë.

“Ndryshe është me marrë një rrogë nga punësimi e ndryshe me prit një ndihmë sociale. Shumë është ma mirë që atë ndihmë me marrë me punë se sa me prit e me marrë me ndihmë. Për familjet që nuk kanë mundësi të punojnë duhet të kujdeset shteti. E vetmja rrugë është me ndihmu njëri tjetrin. Ne me hap mundësinë për punë e ju me i përvjelë mëngët për punë. Marre është me nejt kot e mos me punu, nëse ka mundësi të punohet. Shkoni në qendra të aftësimit profesional dhe hajdeni futuni në treg të punës”, ka theksuar Limaj.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka thënë se kanë zgjedhur Therandën për të nisur këtë projekt i cili ka për qëllim përmirësimin e mirëqenies sociale.

“Kemi nisur një projekt i cili ofron mundësi për punësimin tuaj. Jemi të përkushtuar për të respektuar normat ligjore. Papunësia në Kosovë është brengë e juaja, por është përkushtim i ynë. Ne si ministri dhe mbështetje të qeverisë jemi të përkushtuar që juve t’ua ofrojmë atë që meritoni që të fitoni të ardhura nga djersa juaj. Në kuadër të masave aktive të tregut të punës kemi paraparë që t’i aftësojmë për punësim”, ka shtuar Reçica.

Ministri Reçica, gjatë takimit me familjet përfituese të asistencës sociale në këtë komunë tha se MPMS, me mbështetje edhe te qeverisë së vendit, është e përkushtuar në zbutjen e papunësisë.

“Duke qenë se nuk jemi të kënaqur se sa ju është ofruar juve përgjatë viteve të tëra, si në aspektin material ashtu edhe në atë të punësimit, kemi parë të nevojshme të fillojmë me këtë projekt, mundësinë e punësimit të paktën të një anëtari të familjes suaj”, tha Reçica.

Ministri Reçica, gjithashtu, u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të familjeve të cilët nuk janë të përgatitur profesionalisht, që në kuadër të masave aktive të tregut të punës, të paraqiten pranë Zyrave të Punësimit dhe të vizitojnë Qendrat e Aftësimit Profesional që të aftësohen në një mori profilesh që ofrohen aty.

Ndërkaq, të gjithë ata që janë të përgatitur profesionalisht, ministri tha se do të përfshihen në punë publike, subvencionohen në pagë apo forma tjera, në kuadër të masave aktive të tregut të punë ku tregoi se MPMS ka filluar tashmë bashkëpunimin me ndërmarrjet publike dhe bizneset të cilat kanë shfaqur gatishmërinë për punësim.

Ministri njoftoi që në kuadër të përpjekjeve që MPMS po bënë për rritjen e punësimit është edhe mbështeta e ndërmarrësve të rinj dhe angazhimi për nënshkrimin e marrëveshjeve për punësim sezonal të qytetarëve të Kosovës në disa nga vendet e Bashkimit Evropian.

“Ju sigurojmë se përfshirja juaj në tregun e punës, do të jetë në fokus të politikave dhe strategjive tona”, tha ministri Reçica.

Pas Therandës Limaj e Reçica do të mbajnë një takim edhe me familjet me asistencë sociale në komunën e Prizrenit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat