Prania e vogël e Shqipërisë në panair, mosinformim apo mosinteresim?

Ekonomi

Prania e vogël e Shqipërisë në panair, mosinformim apo mosinteresim?

Më: 18 prill 2018 Në ora: 20:40
Panairi ndërkombëtar "Prishtina 2018"

Në panairin ndërkombëtar “Prishtina 2018”, i cili është hapur sot, nga 174 kompani pjesëmarrëse vetëm njëra nga to është nga Shqipëria.

Në lidhje me këtë pjesëmarrje të ulët, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi tha se bizneset e Shqipërisë nuk janë informuar siç duhet për panairin.

“Unë vetë kam marr ftesë para disa ditëve për të marrë pjesë, por unë nuk jam personi që disponoj mallra. Çështja është se bizneset e Shqipërisë nuk janë njoftuar siç duhet dhe në kohën e duhur që të merrnin pjesë”, tha Minxhozi për Kallxo.

Ai tha se në qoftë se do të kishte një organizim më të mirë, kompanitë nga Shqipëria do të merrnin pjesë, pasi në asnjë mënyrë nuk ka mungesë dëshire për pjesëmarrje.

Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha se nuk është e vërtetë që bizneset në  Shqipëri nuk kanë qenë të informuara për panairin.

“Bizneset kanë qenë të informuara, këtë e ka deklaruar edhe kryetari i Odës Ekonomike në Shqipëri Nikolin Jaka mirëpo arsyeja e mungesës është mosinteresimi i bizneseve të Shqipërisë për të marrë pjesë në panaire në Kosovë”, tha Gërxhaliu për Kallxo.

Ai shtoi se në relacionin Kosovë- Shqipëri mungon besimi reciprok.

Në lidhje me pjesëmarrjen e vogël të bizneseve të Shqipërisë në panairin ndërkombëtar ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka shprehur shqetësimin e saj përballë pranisë së madhe të produkteve të Serbisë në të.

Në lidhje me këtë reagim Gërxhaliu tha se nuk dëshiron të komentoj adresime dhe komente politike.

“Është panair ndërkombëtar, është panair i hapur, vetë fakti që kemi pasur 174 kompani flet për një qasje pak më ndryshe” tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat