Safet Gërxhaliu: Në Shqipëri lehtë bëjnë biznes me këdo, përveç me bizneset e Kosovës

Ekonomi

Safet Gërxhaliu: Në Shqipëri lehtë bëjnë biznes me këdo, përveç me bizneset e Kosovës

Më: 18 prill 2018 Në ora: 18:47
Safet Gërxhaliu

Hapja e Panairit të Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2018” dhe pjesëmarrja e rreth 70 kompanive nga Serbia ka nxitur shumë reagime sot.

Por, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se nuk i ka pritur gjithë këto reagime.

“Kam qenë i befasuar me komente dhe sulme të drejtpërdrejta për mua dhe Odën Ekonomike. Është e vërtetë që është Panair Ndërkombëtar, në këtë drejtim numri është i pakufizuar i pjesëmarrësve”.

Ai në Info Magazine ka folur edhe për bashkëpunimin ekonomik me Shqipërinë.

“Shumë herë kemi adresuar brengën që bashkëpunimi ekonomik me Shqipërinë nuk është në nivelin e dëshiruar”.

Gërxhaliu ka folur edhe për ambasadorët e Shqipërisë në Kosovë dhe rolin e tyre të vogël për avancimin e bashkëpunimit ekonomik mes të dyja vendeve.

“Ambasadorët e akredituar në Kosovë duhet ta kenë prioritet diplomacinë ekonomike. Është koha kur duhet ta kemi guximin për t’u ballafaquar me të vërtetë se çfarë po ndodhë me raportet Kosovë-Shqipëri”.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës ka pasur një këshillë jo fort të zakonshme për ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë.

“Apeloj që Ambasadori Minxhozi mbiemrin ta bëjë Bixhozi”.

Gërxhaliu ka thënë disa herë se bizneset nga Shqipëria janë ftuar në këtë Panair dhe kanë qenë të njoftuara për një ngjarje të tillë.

“Në prezantimin qe kemi bërë një ditë më parë, kemi argumentuar që kanë qenë 188 mijë klikime të video spotit paralajmërues për Panairin. Po ashtu, jo vetëm njëherë kemi apeluar që përfaqësues nga Shqipëria të jenë në ceremoninë e hapjes të këtij Panairi”.

“Nuk është problemi se këtë vit nuk kanë marrë pjesë bizneset nga Shqipëria. Pse askush nuk e analizon sa ka qenë numri i bizneseve vitin e kaluar dhe vitet tjera?”.

“Për këtë më së paku fajtor është Oda Ekonomiike, sepse në Shqipëri e kanë të lehtë të bëjnë biznes me këdo, përveç me kosovarët”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat