Kosova ka raport të pafavorshëm tregtar edhe me Bosnjën

Ekonomi

Kosova ka raport të pafavorshëm tregtar edhe me Bosnjën

Më: 13 prill 2018 Në ora: 18:11
Foto ilustrim

Problemet e prodhuesve nga Kosova gjatë eksportit të produkteve të tyre nuk i kanë vetëm me Shqipërinë, por edhe me disa vende të rajonit. Prodhuesit vendorë kanë pengesa të ndryshme jotarifore gjatë eksporteve në Serbi, Maqedoni dhe në Bosnje e Hercegovinë, të cilat e vështirësojnë në masë të madhe prezencën e produkteve kosovare në ato tregje.

Bosnja e Hercegovina nuk e ka njohur Pavarësinë e Republikës së Kosovës, ky shtet i shet mallrat e veta në vendit tonë, por nuk i mirëpret produktet kosovare. Shkëmbimet tregtare në mes të Bosnjë e Hercegovinës dhe Kosovës, kanë dallime të mëdha, pasi dominojnë produktet nga ky vend për dallim me produktet e Kosovës që eksportohen në Bosnjë e Hercegovinë. Pra raporti tregtar mes Kosovës dhe Bosnjës është 1 me 9.

Eksportet e Bosnjës e Hercegovinës më 2017 si dhe për tre muajt e parë të vitit 2018, në Kosovë e kalojën shifrën e 90 milionë eurove. Kurse Kosova për ketë periudhë ka eksportuar mallra vetëm prej 10.5 milionë euro.

“Vlera e mallrave nga Bosnja e Hercegovina arrin në 81 milionë euro në vitin 2017 dhe 12 milionë në tre muajt e parë të vitit 2018”, tha zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adritik Stavileci.

E për dallim me ekspertet e Bosnjës ato të Kosovës janë dukshëm më të pakta. “Eksporti i Kosovës gjatë vitit 2017 ishte 8.5 milionë euro kurse në 2018 është rreth 2 milionë euro”, tregon ai.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë se edhe pse shtetet nuk e kanë njohur Kosovës dokumentet për eksporte dhe importe janë të njëjta.

Dokumenti siaps tij, i cili përdoret për import dhe eksport është Dokumenti Unik Doganor (DUD). “Dogana përdor vetëm një lloj dokumenti për të gjitha eksportet dhe importet”, ka bërë të ditur zëdhënësi Stavileci.

Kurse, Durim Limaj, Shef i Kabinetit të Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka thënë se përveç Shqipërisë bizneset nga Kosova kanë barrierat të ndryshme edhe nga vendet anëtare të CEFTA-së. Sipas tij, gjatë eksporteve në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, çështjet e ngritura, e tejkalojnë kontekstin tregtar.

“Kompanitë kosovare shpesh hasin në barriera tregtare, jo vetëm me Shqipërinë por edhe me vendet e tjera të CEFTA-s dhe kryesisht barrierat ndërlidhen me njohjen e dokumentacionit përkatës, analizat testuese-laboratorike, kalimi transit, etj”, tha ai.

Limaj ka thënë se bizneset të cilat eksportojnë përdorin dokumentet e njëjta. “Gjatë eksportit kompanitë kosovare përdorin dokumentacionin e njëjte për të gjitha vendet e CEFTA-s, por në disa raste ndodh që produkti ka kritere specifike prandaj kërkohen edhe dokumentacione me specifike si p.sh analiza shtesë për një produkt të caktuar. Ndërsa, në raport me Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën shpeshherë çështjet e ngritura tejkalojnë kontekstin tregtar”, ka thënë Durim Limaj.

Në Klubin e Prodhuesve të Kosovës, kanë thënë se në vazhdimësi kanë ngritur çështjen e vështirësive të prodhuesve vendor gjatë eksportit në tregjet e rajonit.

Barriera sipas këtij klubi, bizneset kanë gjatë eksportit të produkteve në tregun shqiptarë, maqedonas por edhe në vendet e tjera të rajonit.

“Si pengesë e radhës për këta prodhues, përveç pengesave për skaner, mospranimi i certifikatave fitosanitare, kontrollet e gjata dhe të panevojshme produkteve, të cilat shkaktojnë vonesa dhe rrisin koston, janë edhe kërkesat për dokumente shtesë, të cilat janë vetëm një ndër barrierat e shumta që iu vihen prodhuesve të Kosovës”, kanë thënë në Klubin e Prodhuesve.

Rasti i fundit, sipas tyre, ka të bëjë me eksportin e materialit ndërtimor nga argjila, siç janë bllokat, oxhaqet, kanaloret, montat dhe produktet të tjera nga ky material për në tregun e Maqedonisë.

Por prodhuesit nga Kosova përballen edhe me barriera jo tarifore, kur eksportojnë në vendet e rajonit.

“Barrierat që shtet tjera ju bëjë prodhuesve Kosovar, janë barriera jo-tarifore të cilat nxiten nga politikat dekurajuese për prodhimet kosovare. Barriera të tilla që ndalojnë transportin e produkteve të Kosovës brenda territorit të tyre, siç është rasti me Serbinë apo përgjithësisht mos pranimin e dokumenteve të lëshuara nga Republika e Kosovës, apo kërkesat për ndërrimin e emërtimeve të produkteve”, kanë treguar në Klubin e Prodhuesve të Kosovës.

Ndryshe Kosova me të gjitha vendet e rajonit ka raporte negative tregtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat