Përgjysmohen rezervat shtetërore, Hamza thotë se nuk rrezikohet stabiliteti fiskal

Ekonomi

Përgjysmohen rezervat shtetërore, Hamza thotë se nuk rrezikohet stabiliteti fiskal

Më: 28 mars 2018 Në ora: 15:19
Bedri Hamza

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka raportuar para anëtarëve të Komisionit për Buxhet dhe Financa për shpenzimet e paparashikuara për vitin 2018.

Anëtarët e komisionit kërkuan nga ministri llogari për shpenzimet e paparashikuara të rezervave shtetërore, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i këtij komisioni, Lumir Abdixhiku ka kërkuar shpjegim se cilat janë projektet që më shumë se gjysma e rezervës shtetërore është harxhuar. Ai po ashtu ka kërkuar shpjegim nga Hamza për parashikimin e muajve të ardhshëm.

Për vetëm dy muaj operim nga 4.8 milionë sa ishin rezervë 2.8 milionë tashmë janë shpenzuar.

Ndërsa ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se çështja e harxhimit të rezervës shtetërore është ngritur nga vet ai dhe se nuk dallon shumë nga vitet paraprake.

Hamza sqaroi se rreth 50 përqind e këtij buxheti është shpenzuar për Kostt, për inkasimin e energjisë në veri.

“Rezerva historikisht është harxhuar dhe në vitin 2016 ishte harxhimi më i madh sesa në vitin 2017. Rezerva aktuale nuk e cënon stabilitetin makrofiskal. S’ka ndodhur asgjë më shumë në këtë qeveri. Për ‘Flakën e Janarit’ janë shpenzuar 54,850 euro, për shënimin e Pavarësisë janë shpenzuar 600 mijë euro dhe 50 për qind e rezervës për adresimin e KOSTT-it, problem që kjo qeveri e ka trashëguar”, ka thënë Hamza.

I pari i kësaj ministrie ka theksuar se në vitin 2017 konsumatorët kanë humbur 14 mijë euro për shkak të gjendjes së krijuar.

“Në 2017-n konsumatorët kanë humbur 14 mijë euro për shkak të kësaj gjendje. Shuma e ndarë ishte për evitim të problemit dhe jo për zgjidhje. Janë shpenzuar 100 mijë euro për ‘Epopenë e UÇK-së’, 120 mijë euro për 800 familje për komunitetin egjiptian, 50 mijë euro prapë për komunitete si dhe shuma për shënjimin e vijës shtetërore. Po ashtu dhe për restaurimin e Kishës në Prizren”, ka shtuar Hamza.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat