Bie eksporti i mallrave për 5.5 %, importi është rritur për 3.7%

Ekonomi

Bie eksporti i mallrave për 5.5 %, importi është rritur për 3.7%

Më: 23 mars 2018 Në ora: 14:34
Ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shkurt 2018.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 5.0% në muajin shkurt 2018, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2017, gjegjësisht në vlerë prej 182.8 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 174.1 milionë eurosh në vitin 2017. Eksporti mbulon importin me 10.9%.

Eksporti i mallrave në muajin shkurt 2018 kishte vlerën 22.3 milionë euro, ndërsa importi 205.2 milionë euro, që është një rënie prej (-5.5%) për eksport dhe një rritje prej 3.7% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 40.0% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.6% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 8.9% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.6% e përbëjnë produktet minerale; 5.6% e përbëjnë produktet bimore; 5.2% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 4.7% e përbëjnë lëkura dhe artikujt prej saj; 3.2% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij; 3.2% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 14.5% të importit e përbëjnë produktet minerale; 13.1% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12.0% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.5% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 8.3% e përbëjnë mjetet e transportit; 7.4% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.6% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 5.7% e përbëjnë produktet bimore etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 6.0 milionë euro, ose rreth 26.9% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-1.3%). Partnerët kryesore për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (7.7%), Holanda (4.8%), Bullgaria (2.3%) dhe Austria (2.1%).

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 91.7 milionë euro, ose 44.7% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 8.8%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.9%), Greqia (6.5%), Italia (5.8%), Polonia (2.4%), Bullgaria (2.4) etj.

Në muajin shkurt 2018, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 9.7 milionë euro, ose 43.6% të eksporteve të përgjithshme, një rënie prej (-4.1%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (16.6%), Maqedonia (13.9%), Serbia (7.8%), dhe B&H (3.2%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin shkurt 2018, arritën në 52.5 milionë euro, ose 25.6 të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-13.2%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (14.7%), Maqedonia (4.4%), Shqipëria (4.2%) dhe B&H (2.0%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 6.6 milionë euro, ose 29.6%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: India (15.1%) dhe Zvicra (8.8%).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 60.9 milionë euro, ose 29.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (9.6%) dhe Turqia (9.6%).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat