Auditori i Përgjithshëm i SHBA-ve ofron përkrahje konkrete për Kosovën

Ekonomi

Auditori i Përgjithshëm i SHBA-ve ofron përkrahje konkrete për Kosovën

Më: 21 mars 2018 Në ora: 11:32
Osmani nga ana tjetër e informoi Dodaro për rolin dhe mandatin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, është pritur në takim pune nga Gene Dodaro, Auditor i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Takimi në mes të dy Auditorëve të Përgjithshëm u zhvillua në një frymë miqësore dhe u fokusua në mundësitë e bashkëpunimi konkret. Me theks të veçantë janë trajtuar çështjet e bashkëpunimit për ngritjen e mëtejme të kapaciteteve profesionale të Zyrës Kombëtare të Auditimit në lidership, auditime të përformancës si dhe zbulimin e aktiviteteve korruptuese dhe të mashtrimit.

Dodaro e ka njoftuar z.Osmani me punën e Institucionit Suprem të Auditimit të SHBA-ve (GAO), sistemin amerikan të mbikëqyrjes së shpenzimit të parasë publike, marrëdhëniet me Kongresin dhe llogaridhënien qeveritare. Ai e ka vlerësuar progresin e Zyres Kombëtare të Auditimit (ZKA) dhe ka shprehur konsideratën e tij për punën e bërë nga ky institucion. Z. Dodaro e ka siguruar Auditorin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës që do të ofrojnë përkrahjen e nevojshme në procesin e transformimit të mëtejshëm të ZKA-së, ngritjen e kapaciteteve profesionale për rritjen e portfolios së auditimeve të performancës si dhe zbulimin e aktiviteteve të mashtrimit dhe korrupsionit.

Osmani nga ana tjetër e informoi Dodaro për rolin dhe mandatin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, ndikimin e auditimit në rritjen e llogaridhënies në administratën publike të Kosovës dhe objektivat strategjike të Zyrës Kombëtare të Auditimit që kanë për qëllim përmirësimin e qeverisjes në administratën publike dhe zbatimin e praktikave të mira në fushën e menaxhimit të financave publike.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për mundësitë e integrimit të Zyres Kombëtare të Auditimit në institucionet ndërkombëtare të auditimit, me qëllim të përfitimit nga programet për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe zbatimit të standardeve ndërkombëtare të auditimit. Auditori i Përgjithshëm i SHBA-ve theksoi se roli i Institucionit Suprem të Auditimit të SHBA-ve në mekanizmat ndërkombëtar të auditimit është i rëndësishëm dhe shprehu gatishmërinë për të përkrahur aspiratat e Zyres Kombëtare të Auditimit për t’u bërë pjesë e familjes ndërkombëtare të auditimit të jashtëm.

Ky takim ka inauguruar edhe bashkpunimin konkret midis dy institucioneve për faktin që dy auditorë të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës filluan programin intensiv katër mujor të kombinuar të ligjëratave dhe punës praktike profesionale në Institucionin Suprem të Auditimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mesin e 21 auditorëve nga mbarë bota që janë pjesë e këtij programi.

Vizita e delegacionit të Zyrës Kombëtare të Auditimit vazhdon me takimet tjera në Thesarin Amerikan, Departamentin e Shtetit të Shërbimeve Fiskale, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe USAID. Auditori i Përgjithshëm në këtë vizitë po shoqërohet nga bashkëpunëtoret, Vlora Spanca dhe Qëndresa Mulaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat