OAK-Presidentit: Mos dekretoni ligje në kundërshtim me Kushtetutën

Ekonomi

OAK-Presidentit: Mos dekretoni ligje në kundërshtim me Kushtetutën

Më: 18 mars 2018 Në ora: 11:40
Oda e Afarizmit të Kosovës

Oda e Afarizmit të Kosovës i është drejtuar sot me një letër Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, që në bazë të kompetencave që i jep Kushtetuta, ta kthen edhe njëherë në Kuvend të Kosovës të ligjin për shoqëritë tregtare, me qëllim që të eliminohet neni 34 pika 2 ose të riformulohet sipas parimeve demokratike të një ekonomie të lirë dhe konkurruese, në koordinim të plot me komunitetin e biznesit.

Me poshtë mund ta gjeni letrën e plotë:

Për: SHLT Hashim THAÇI

President i Republikës së Kosovës

Nga: Oda e Afarizmit të Kosovës

Lënda: Kërkesë për mos-dekretim dhe kthimin në Kuvend të “Ligjit për shoqëritë tregtare”, respektivisht nenin 34, pika 2 e tij.

Shkëlqësi President Thaçi,

Komuniteti i biznesit i cili përfaqësohet nga Oda e Afarizmit të Kosovës është jashtëzakonisht i shqetësuar me miratimin e Ligjit për shoqëritë tregtare, respektivisht neni 34, pika 2 e këtij ligji, i cili i detyron bizneset private që në bordet e tyre të kenë 40 % gra dhe pas dy viteve 50 %.

 

Ky nen me këtë formulim, pos që është ndërhyrje e drejtpërdrejt në autonominë e biznesit për ta drejtuar biznesin e tij, është edhe në kundërshtim me frymën kushtetuese të Kosovës. (Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Kapitulli 1, Neni 10. Ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës. )

 

I nderuari z. President

 

Ndërhyrja në autonominë e biznesit përmes ligjeve të cilat kanë për qëllim “rritjen e numrit të grave në vendimmarrje” nuk ndihmon në krijimin e vendeve të reja të punës dhe mbi të gjitha krijon barriera për investitor të mundshëm nga Bota.

 

Qeveria e Kosovës më në fund pas 10 viteve pavarësi ka funksionalizuar ligjin për investime strategjike për të mundësuar ardhjen e investimeve të huaja. Me hyrjen në fuqi të këtij amendamenti i cili nuk ekziston në asnjë vend në Evropë, Kosova praktikisht po bllokon ardhjen e investimeve shumë milionëshe duke Ju ndërhyrë drejtpërdrejt në mënyrën e menaxhimit të kompanisë.

 

Duke marrë parasysh këto, Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon nga Ju i nderuari President, që në bazë të kompetencave që ju jep Kushtetuta, ta ktheni ketë ligj edhe njëherë në Kuvend të Kosovës me qëllim që të eliminohet neni 34 pika 2 ose të riformulohet sipas parimeve demokratike të një ekonomie të lirë dhe konkurruese, ne koordinim te plot me komunitetin e biznesit.

 

Oda e Afarizmit të Kosovës është në përkrahje të çdo iniciative që do të ndihmonte rritjen e numrit të grave në biznes dhe vendimmarrje, por kërkon që këto iniciativa të diskutohen paraprakisht me biznesin si dhe të jenë në harmoni me parimet e një tregu të lirë dhe një ekonomie konkurruese.

 

Tregu i lirë është ndërtuar në bazë të konkurrencës së drejtë dhe meritokracisë në punësim dhe qeverisjes korporative.

 

Prishtinë, 17.03.2018

 

Me respekt

Oda e Afarizmit të Kosovës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat