Ndërmarrjet publike ende pa borde

Ekonomi

Ndërmarrjet publike ende pa borde

Më: 17 mars 2018 Në ora: 12:04
Ilustrim

Qeveria e Kosovës edhe pas 6 muajve të funksionimit të saj, nuk ka qenë në gjendje të emërojë anëtarët e bordeve në shumë ndërmarrje publike, ku për pasojë ndërmarrjet Posta, Telekomi, Trepça, janë buzë falimentimit.

Kryetarja e Alternatives, Mimoza Kusari Lila, thotë se apetitet politike për të dërguar njerëz partiak në ndërmarrje, ka sjellë në ketë gjendje këto ndërmarrje që dikur kanë sjellë përfitime të mëdha për buxhetin.

Kusari-Lila: Emërimet nëpër borde deri tash kanë qenë politike

“Tashmë është fshehtësi e ditur për të gjithë apo sekret publik se në emërtimin e bordeve apo në përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve, gjitha janë ose kanë të bëjnë me marrëveshje politikë ose me marrëveshje partiake të partive, të cilat janë në pusht. Përderisa elementi tjetër shumë shqetësuese ka të bëjë me situatat me të cilat sot gjinden ndërmarrjet publike, ne gati se e kemi të raportuara për tri ndërmarrje ose për tri gjigante ekonomike të Kosovës të cilat janë buzë falimentimit“, tha Kusari-Lila.

Ajo po ashtu tha se Trepça është njëra prej tyre, e cila tashmë përveç se nuk ka bord, nuk ka drejtor menaxhues, por ka probleme edhe më serioze me përformancë për shkak të borxheve. 

Kusari-Lila: Nuk pres nga kjo qeveri asgjë ë pozitive

“Unë dyshoj që kjo Qeveri ka me pasur sukses në çka do për arsye për vet strukturën e Qeverisë. Është një strukturë megalomane është Qeveri që ka shumë parti, prandaj ka edhe shumë apetite, ka mungesë të përgjithshme të vizionit të përbashkët, secili në Qeveri secili subjekt polik paraqet vizionin e vet, kjo ka qenë evidente edhe në programin e qeverisë“, tha Kusari-Lila.

Ndërsa, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se në disa borde me fillim të muajit të ardhshëm do të kompletohen.

Lluka: Në muajin prill parashihet të kompletohen bordet

“Sa i përket bordit të telekomit intervistat do të jenë më 25 të këtij muaji dhe unë besoj që në fund të këtij muaji do ta kemi një listë, eventualisht fillimi i muajit prill, do ta kemi listë, e cila do të kaloj në Qeveri dhe të finalizohet puna e bordit të telekomit. Gjithashtu, e njëjta gjë vlen edhe për Trepçën, janë i njëjti proces, është hapur në të njëjtën kohë, në të njëjtën procedurë, prandaj, unë besoj që në muajin prill do ta kemi të zyrtarizuar edhe bordin e telekomit, edhe bordin e Trepçës“, tha Lluka.

Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare “Çohu”, ka thënë se problemi kryesor pse nuk ka emërime të bordeve në kompani publike, është arsyeja që partitë politike që janë pjesë e koalicionit qeveritar nuk kanë mbërri me u marrë vesh për ndarjen e funksioneve të tilla.

Demhasaj: Problemi më i madh i koalicioneve qeveritare emërimet në borde

“E dimë edhe nga e kaluara, gjithmonë partitë politike në koalicionet qeveritare shumë më problem e kanë pasur për me u marrë vesh dhe me i nda në njëfarë mënyrë bordet se cila parti ku do të ketë më shumë të angazhuar se sa që kanë pasur problem me i ndarë resurset qeveritare. Kjo mund të jetë arsyeja kryesore pse sot ne në disa kompani të tilla siç është edhe Posta nuk kemi borde të emëruara nga kjo Qeveri. Mungesa e bordit mundet me pengu në vendime të tilla që nevojitet edhe verdikti i bordit pos kësaj në njëfarë mënyre ndikon që edhe në performancë të institucionit“, tha Demhasaj.

Ai ka thënë se kur kompanitë të mëdha nuk kanë bord, atëherë ekziston mundësia që të ketë keqpërdorime.

Përndryshe, dje Telekomi i Kosovës ka bërë të ditur se Nuredin Krasniqi do ta ushtrojë detyrën e kryeshefit të Telekomit të Kosovës pasi që kryeshefit të deritanishëm Agron Mustafa i kishte skaduar mandati.

Kurse, Ministria e Zhvillimit Ekonomik me anë të një komunikate për media sqaron se Nuredin Krasniqi nuk është emëruar ushtrues detyre i kryeshefit të Telekomit të Kosovës nga ana e ministrit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat