Ministri kërkon ndihmën e qytetarëve për mallrat me afat të skaduar

Ekonomi

Ministri kërkon ndihmën e qytetarëve për mallrat me afat të skaduar

Më: 15 mars 2018 Në ora: 10:51
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani

Në tryezën në lidhje me të drejtat e konsumatorit në Kosovë, ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani kërkoi informata nga qytetarët për mallra me afat të skaduar dhe mallra që u ndryshohet afati i përdorimit.

“I ftoj qytetarët që të na japin informata shkaku i numrit të vogël të inspektorëve. Por edhe po të rritet numri i inspektorëve sërish duhet bashkëpunim me qytetarët”, tha ministri Hasani.

Tryeza po mbahet në Ditën Ndërkombëtare të Konsumatorit dhe pak ditë pasi u raportua për një sasi mishi të prishur që erdhi në Kosovë nga një kompani prej Belgjikës.

Ministri në fjalën e tij tha se vazhdimisht shqiptohen gjoba në mbrojtje të konsumatorëve.

“Kemi çdo ditë që lëshojmë gjoba shkaku i ankesave të konsumatorëve. Ka pasë produkte me afat të skaduar, ka pasë produkte që ju ka ndryshu afati dhe jemi në procese gjyqësore”, tha Bajrami.

Ministri bëri të ditur se do të kërkojë sot miratimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit.

“Shpresojmë që do ta kalojmë ligjin. Do t’i lus deputetët që sot gjatë seancës ta kalojnë ligjin për konsumatorët pasi është edhe dita ndërkombëtare”, tha ministri.

Sherif Fejzullahu, kryesues i Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit tha se ka abuzim me konsumatorët.

“Të gjithë konsumatorëve u kërkoj mos heshtni, bashkëpunoni me ne. Denonconi gjitha abuzimet qoftë në ushqim, qoftë në ambient, etj”, tha Fejzullahu.

Ai tha se zbatimi i ligjeve po çalon.

“Shteti ka arritur shume ligje t’i harmonizojë me BE. Por aty ku çalohet është moszbatimi i ligjeve”, tha Fejzullahu.

Tryeza është organizuar nga Departamenti për Mbrojtje të Konsumatorit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat