Hamza: Bizneset do të përfitojnë edhe më shumë me politikat e reja fiskale

Ekonomi

Hamza: Bizneset do të përfitojnë edhe më shumë me politikat e reja fiskale

Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 16:54
Bedri Hamza

Komuniteti i biznesit deri më 5 mars të këtij viti duhet t’i dorëzojnë komentet për koncept dokumentin për reformat e legjislacionit që e rregullojnë fushën e biznesit.

Kërkesa është bërë sot nga ministri i Financave, Bedri Hamza gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit në Kosovë, me ç’rast ka bërë të ditur se në një nga mbledhjet e ardhshme të Qeverisë pritet të merret vendimi për lirimin prej tatimit të doganës për pjesët rezervë. 

Ai tha se po ashtu do të lirohen prej pagesës së tatimit të doganës të gjitha pajisjet e IT-së. Ndërsa, është zotuar se do të merren masa edhe për mbrojtjen e prodhuesve vendorë nga produktet e importuara me origjinë aziatike.

Hamza:  Do të lirohen nga dogana  pjesët rezervë dhe të gjitha pajisjet e IT-së

“Janë vendime të reja që janë të përgatitura do të merren shpejt. Në një nga mbledhjet e ardhshme të qeverisë. Që kanë të bëjnë me lirimin prej tatimit të doganës për pjesët rezervë. Se nuk ka logjikë kur një linjë e prodhimit importohet pa doganë ndërsa pjesët rezervë për atë pjesë rezervë paguajnë doganë dhe këto lirohen edhe pjesët rezervë. Dhe do të lirohen prej pagesës së tatimit të doganës gjitha pajisjet e IT-së. Jo vetëm për prodhim, por pavarësisht për çka shfrytëzohen nga kush shfrytëzohen do të jenë të liruara prej tatimit të doganës”, tha Hamza.

Ai po ashtu tha se gjatë këtij viti do të bëhen reforma legjislative duke thënë se do të ndryshime në disa ligje, kodin doganor të akcizës e tjera.

Hamza: Pres kontributin nga ana e komunitetit të biznesit

“Pata kënaqësinë që sot,  përfaqësuesve të biznesit të ju jap koncept dokumentin, i cili ka të bëjë me reformat e legjislacionit që e rregullojnë fushën e biznesit. Siç është ligji për Tatimin në Vlerën e Shtuar, Ligji për Tatim në Fitim të Korporatave , Ligji për Tatimin në të Ardhurat Individuale, kodi i doganave të akcizës, dhe Ligji për ATK-në dhe procedurat.  Pres si gjithmonë kontributin e përfaqësuesve të anotacioneve të biznesit deri më datën 5 mars. Çështja e fundit të cilën e diskutuam ka të bëjë me mbrojtjen e produkteve të prodhuara në vendin tonë. Sidomos nga konkurrenca jo lojale , grupe të caktuara të produkteve që ballafaqohen posaçërisht nga importi që vijnë prej vendeve aziatike”, tha Hamza.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu,  pati vërejtje për plotësim ndryshimet ligjore që janë bërë, ku sipas tij, në të kaluarën janë bërë mbi bazën e politikës dhe grupeve të interesit.

Gërxhaliu: Politizimi i reformave nuk i bën nder askujt

“Në këtë drejtim vërtet shprehim një falënderim për punën që po bëhet në MF. Po në të njëjtën kohë duhet të jemi paksa skeptikë që proceset dhe hapat pozitivë që ndërmerren nga MF-ja, me kërkesë të komunitetit të biznesit janë duke u politizuar. Besoj që politizimi i këtyre reformave nuk i bën nder Kosovës. Nuk jemi përkrahës të asaj që të kemi iniciativa grupore të partive ose grupeve parlamentare që të ndryshohet amendament ose një ligj, ose një nen vetëm për qëllime të mbrojtjes së interesave të grupeve të caktuara. Besoj që një hap i tillë e tregon një brishtësi të funksionimit të një shteti ligjor në Kosovë”, tha Gërxhaliu.

Ndërsa, nga Këshilli i Investitorëve , Shpend Balija e ka përshëndetur iniciativën dhe është zotuar për mbështetje nga ana e këshillit të investitorëve.  Ndërsa, Astrit Panxha nga Klubi i prodhuesve të Kosovës, tha se janë të interesuar që të japin kontributin në koncept dokumentin duke bërë një ambiente sa më miqësor në vend dhe të luftohet ekonomia jo formale.

Panxha: Mos të keqpërdoret iniciativa

“Mos të tentohet të keqpërdoret iniciativa, sepse në fund të fundit nuk mundemi që çdo produkt ta fusim si lëndë të parë të deklarojmë si të tillë, sepse edhe e dëmtojmë buxhetin, po në të njëjtën kohë edhe prodhuesit e vërtetë nuk mund t’i përfitojnë benefitet me të cilat është krijuar kjo politikë. Prandaj , për neve qasja t’i respektojmë ligjet, të luftojmë in formalitetin”, tha Panxha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat