Shoqata e bjeshkatarëve ankohet për mospërkrahje institucionale

Ekonomi

Shoqata e bjeshkatarëve ankohet për mospërkrahje institucionale

Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 11:42
Shoqata e bjeshkatarëve “Lybeteni”

Pasioni për ecjen nëpër bjeshkë, ka bërë që Besnik Reka të marrë nën udhëheqje shoqatën e bjeshkatarëve “Lybeteni” të Ferizajt. Reka tregon se dy vitet e fundit është rritur shumë interesimi i qytetarëve ferizajas për ecje në natyrë, prandaj kjo shoqatë ka shtuar edhe aktivitetet që kanë të bëjnë me ecje të organizuar dhe ngjitje në maja të larta në Kosovë e rajon.

“Ne në vitin e kaluar e kemi marrë këtë shoqatë për ta udhëhequr dhe për ta bërë më shumë aktive, pasi që ajo ka funksionuar prej vitit 2000, por që ka qenë e pasivizuar. Tash ne çdo javë organizojmë aktivitete, jemi nëpër terrene të ndryshme të Kosovës, por edhe të Maqedonisë, e Shqipërisë, por kryesisht kemi nëpër bjeshkët tona të Kosovës, ku sipas meje natyrën që e ka Kosova s’mund ta kenë as alpet zvicerane. Ne kemi bjeshkatarë shumë të aktivizuar, por mund të them shlirë qe kemi edhe alpinistë të cilët synojnë edhe majat e maleve më të njohura në botë. Janë njerëz me vlera të cilët e dojnë natyrën dhe kanë pasion të madh për këtë lloj aktiviteti, por gjatë ecjeve marrin pjesë edhe qytetarë të mosha të ndryshme, të rinj e të moshuar, gra e burra’’, u shpreh Reka, për TV Tema.

Por, pavarësisht rezultateve në terren dhe numrit të madh të anëtarëve, shoqata e bjeshkatarëve ‘’Lybeteni’’, është e mangët rreth organizimit administrativ. Nuk ka zyrë, por as përkrahje komunale. Megjithatë, Reka thotë se qëllimi i tyre është që ta kthejnë turizmin në bukuritë që posedon Ferizaj.

“Nuk kemi zyrë, nuk kemi mjete që për shembull të sigurojmë pajisje për ecje. Ato zakonisht i blejnë vetë anëtarët. Për momentin as komuna asnjëherë as që na ka ftuar për ta njohur aktivitetin tonë. Shpresojmë shumë që Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ta kthej kokën edhe nga shoqata jonë. Ndryshe, ne bëjmë vetëm ecje rekreacion, besoni kemi aq shumë bukuri që nuk e dimë, këtu në Ferizaj si për shembull në Pleshinë janë kanionet e bukura, pastaj fshati Burrnik ku shihen majat e Lubotenit, e pastaj mos flasim për malet e Jezercit”, tha Reka.

Shembullin më të mirë që ecja është terapia më e duhur për shëndetin, e sjell vetë Reka.

“Unë në vitin 2013 e kam pasur një transplant të veshkës edhe para këtij intervenimi kam ecur, por më pas këtë aktivitet e kam bërë më shpesh dhe me më shumë dëshirë. Ju kam përkushtuar shumë, thjesht pas tre muajve ecje i kam ndërprere edhe disa barna që është dashtë patjetër t’i konsumoj. Për gjendjen e mirë të shëndetit janë befasuar edhe mjekët”, theksoi ai.

Sido që të jetë, ata që janë të interesuar për ecje dhe ngjitje në maja të larta të maleve, mund të lajmërohen në këtë shoqatë dhe pa ndonjë kusht mund ta plotësojnë këtë dëshirë.

U paralajmërua se një organizim më i madh grupor do të bëhet më 18 mars të këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat