Gërxhaliu: Është koha për dekadën e prodhimeve vendore

Ekonomi

Gërxhaliu: Është koha për dekadën e prodhimeve vendore

Më: 17 shkurt 2018 Në ora: 12:05
Kryetari i OEK Safet Gërxhaliu

Oda Ekonomike e Kosovës prezantoi indikatorët kyç ekonomik për këtë periudhë 10 vjeçare, me moton “Një dekadë me prodhime të huaja: Koha për dekadën e prodhimeve vendore”.

Kryetari i OEK Safet Gërxhaliu ka thënë se ka qenë një dekadë me plot sfida, një periudhë e vështirë e bartur nga tranzicioni dhe proceset ekonomike janë ngadalësuar.

“Është koha që ta dimë se fati i ardhmërisë duhet të jetë  në duart tona, duke krijuar një zhvillim ekonomik, vende të reja të punës dhe mirëqenie më të mirë. Mbi të gjitha mos e shndërrojmë Kosovën një shtet për të ikur qytetarët, por për të pasur një punësim dhe mirëqenie duke pasur një prodhimtari të qëndrueshme. Shqetësimi më i madh në këtë strategji nuk është korrupsioni më, por kapja e shtetit dhe dekurajimi i investitorëve të huaj dhe diasporës”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai ka thënë se do të ketë sfida  por po fillojnë një dekadë e re për ekonominë e Kosovës, dekadë për ta forcuar diplomacinë e ekonomike dhe forcimi i raporteve me miqtë e Kosovës për bashkëpunim ekonomik.

Ai ndër të tjera ka folur edhe për marrëdhëniet ekonomike Kosovë-Shqipëri, i cili tha se më shumë flitet se sa veprohet, posaçërisht nga autoritetet e Shqipërisë.

 Berat Rukiqi këshilltar strategjik në OEK i cili shpalosi indikatorët ekonomik, tha se Kosova për këtë dhjetë vjet pasur një trend pozitiv të rritjes ekonomike.

Ai ka shtuar se papunësia mbetet pjesa më problematike në dhjetë vjetët e fundit, sa ka qenë 47 përqind para shpalljes së pavarësisë tash në 30.2 përqind, që sipas tij, është shqetësuese ende kjo shkallë.

Ai ka thënë se shkalla e varfërisë ekstreme nuk është e lartë. Po ashtu sipas tij, deficiti tregtar është një sfidë tjetër në këtë dekadë.

Gjithashtu ai ka thënë se mungesa e investimeve të huaja serioze ka qenë një sfidë po ashtu në këtë dhjetëvjetor. Ai për periudhën e ardhshme ka kërkuar zgjidhje për pasuritë e shtetit siç është për PTK-në dhe Trepçën.

Kreu Gërxhaliu ka përgëzuar krerët institucionalë për arritjen e marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacion dhe pret që kjo marrëveshje sa m parë të zgjidhet në parlament.

Ai ka siguruar se bizneset kosovare posedojnë prodhime cilësore por mungon vetëdijesimi i qytetarëve dhe mbrojtja institucionale e shtetit ndaj  prodhuesve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat