Rritet deficiti tregtar për muajin korrik

Ekonomi

Rritet deficiti tregtar për muajin korrik

Më: 25 gusht 2017 Në ora: 12:42
Ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar sot të dhënat lidhur me eksportin dhe importin për muajin korrik të këtij viti.

Të dhënat nga tregtia e jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 12.6% në korrik 2017, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, gjegjësisht në vlerë prej 236,9 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 210,5 milionë euro sa ishte në vitin 2016 Ndërkaq, eksporti mbulon importin me 13.9%.

Eksporti i mallrave në korrik 2017 kishte vlerën 38,3 milionë euro, ndërsa importi 275,3 milionë euro, që është një rritje prej 26.2% për eksport, si dhe prej 14.3% për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016. 

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 31.0% të eksporteve e përbëjnë produktet minerale; 30.5% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 9.4% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 8.6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 6.6% e përbëjnë produktet bimore; 3.1% e përbën lëkura dhe artikujt prej saj; 2.3% e përbën tekstili dhe artikujt prej tij, etj.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore 13.8% të importit e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 13.5% e përbëjnë produktet minerale; 12.8% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.8% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 7.5% e përbëjnë mjetet e transportit; 7.1% e përbëjnë produktet e industrisë kimike, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 8,5 milionë euro, ose rreth 22.2% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 67.4%.

Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë Danimarka me 3.3%; Holanda me 3.0%; Gjermania me 2.7%; Italia me 2.2%; Bulgaria me 2.2%, etj.

Ndërkaq, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 118,6 milionë euro, ose 43.1% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 10.5%.

Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania 12.3%, Italia 7.0%, Greqia 5.2%, Polonia 2.6%, etj.

Në muajin korrik 2017, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 21,1 milionë euro, ose 55.1% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 34.4%.

Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Serbia 21.5%, Shqipëria 12.8%, Maqedonia 11.5% dhe Mali i Zi 6.3%.

Importet nga vendet e CEFTA-s në korrik 2017 arritën në 76,7 milionë euro, ose 27.9%, me një rritje prej 24.5%.

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Serbia 14.1%, Maqedonia 5.1%, Shqipëria 4.9% dhe Bonje e Hercegovina 3.0%.

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 8,6 milionë euro, ose 22.7%, ndërsa partnerë më të rëndësishëm nga këto vende janë India 14.3% dhe Zvicra 4.2%. 

Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 79,9 milionë euro, ose 29.0%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup janë Turqia me 10.1% dhe Kina 9.9%.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat