70% e konsumit të energjisë në Kosovë vjen nga amvisëritë

Ekonomi

70% e konsumit të energjisë në Kosovë vjen nga amvisëritë

Më: 27 qershor 2017 Në ora: 16:36
Tryeza “Rruga përpara për efiçiencën e energjisë në Kosovë”

Në Kosovë 70 për qind e konsumit të energjisë vjen nga amvisëritë, andaj ekzistojnë potenciale mjaft të mëdha për kursime sidomos në sektorin e banimit.

Kështu u tha sot në tryezën “Rruga përpara për efiçiencën e energjisë në Kosovë”, organizuar nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian.

Luigi Brusa nga Zyra e BE-së në Kosovë, tha se së bashku me Qeverinë e Kosovës kanë punuar për strategjinë për rregullimin e tregut energjetik, por shqetësimi i tij është se po ndërtohen objekte të larta të banimit dhe pa kriter.

Ai tha se nuk e di nëse ka ndonjë kontroll nga inspeksioni apo jo lidhur me ndërtimet e larta në Prishtinë dhe gjetiu.

Brusa: Ekzistojnë potenciale për kursime sidomos në sektorin e banimit

“Në Kosovë, 70% e konsumit të energjisë vjen nga amvisëritë. Ekzistojnë potenciale mjaft të mëdha për kursime sidomos në sektorin e banimit. Performanca përmirësuese dhe kursimet të cilat do të lejoheshin rreth 70% në sektorin e banimit, rreth 30% në sektorin e shërbimeve. Duke i llogaritur të gjitha së bashku, kemi arritur në përfundim se në Ballkanin Perëndimor, miratimi i politikave të duhura mund të jetë rreth 100-800 milionë euro kursime”, theksoi Brusa.

Ndërsa, Rinora Gojani nga KOSID tha se shpresojnë që Kosova të marrë mbështetje për një rrugëtim në sferën e energjisë, konkretisht në efiçiencë, pasi që humbjet në rrjet nuk janë të vogla dhe zvogëlimi nuk po ndodh.

Gojani tha se në vitin 2015 humbjet teknike dhe komerciale të përgjithshëm kanë qenë 31.8 për qind, ndërsa në vitin 2016 vetëm 29.69 ose vetëm dy për qind, dhe se të gjitha këto humbje po ndodhin për shkak të keqpërdorimeve. 

Për më tepër, Gojani tha se është me rëndësi të stimulohen ekonomitë familjare për efiçiencë, pasi nëse arrihet të reduktohet konsumi me efiçiencë mund të mbyllet Kosova A dhe të ketë ambient më të pastër.

Gojani: Me efiçiencë të energjisë mund të arrihet mbyllja e TC “Kosova A”

“Pa një auditim dhe menaxhim të energjisë nuk mendoj se mund të përmirësohet gjendja. Është më rëndësi të  stimulohen ekonomitë familjare për të investuar në pajisje efiçiente dhe poqa efiçientë. Një studim i më hershëm i Universitetit të Prishtinës ka treguar që në Kosovë nëse do të ndërroheshin të gjithë poqët në poqë efiçientë dhe në teknologjinë më të fundit “led’, arrihet me u mbyll TC “Kosova A”. Andaj, ky është qëllimi i gjithë neve për shkak se “Kosova A” është një ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë”, tha Gojani.

Ajo ka shtuar se efiçienca e energjisë krijon edhe vende të reja të punës, por ende nevojitet vetëdijesim për ndikimin pozitiv nga efiçienca.

Nga GIZ-i Gjerman, Avni Sfishta tha se nëpër komuna janë realizuar më shumë se 50 projekte për efiçiencë të energjisë. Ai tha se me komuna janë duke përgatitur plane investimesh në fushën e efiçiencës për ndërtesa publike.

Sipas Sfishtës investimet në efiçiencë janë kthyeshme.

Ndryshe, Kosova ende nuk ka fond për efiçiencë të energjisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat