Mustafa: Është arritur zhvillim i qëndrueshëm ekonomik dhe ulje e ndjeshme e papunësisë

Ekonomi

Mustafa: Është arritur zhvillim i qëndrueshëm ekonomik dhe ulje e ndjeshme e papunësisë

Më: 15 maj 2017 Në ora: 15:47
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori sot pjesë në Konferencën e pestë ndërkombëtare “Aktivizimi i resurseve të zhvillimit ekonomik”, të organizuar nga Instituti Riinvest, e cila njëherësh shënon përvjetorin e 22-të të themelimit të këtij Instituti.

Me këtë rast, kryeministri Mustafa vlerësoi lartë punën e Riinvestit që në kohë të vështira nisi zhvillimin e hulumtimeve dhe shkencës në Kosovë.

“Është insistim, kurajo, por mbi të gjitha vizion i njerëzve që para kaq viteve kishin vendosur për themelimin e këtij Instituti dhe që gjithë këtyre viteve punuan në mënyrë shumë të angazhuar dhe me përkushtim shumë të madh që hulumtimet e tyre të shërbejnë për zhvillimin ekonomik, për orientimet afatgjata zhvillimore dhe për reformat substanciale, të cilat janë bërë në vendin tonë. Instituti Riinvest është një historik i pasur i vendit, janë studime dhe analiza shumë të vlefshme, është ndër burimet më kredibile të analizave dhe të dhënave shkencore të Kosovës”, tha Mustafa.

Duke kujtuar periudhën që ka kaluar në këtë Institut, kryeministri Mustafa përmendi edhe punën e madhe që ka bërë Riinvesti dhe që përmes bashkëpunimit ndërkombëtar me institute dhe universitete të ndryshme, ka mundësuar studime kualitative dhe marrjen e titujve doktor shkence dhe magjistër i ekonomisë për shumë të rinj në Kosovë.

“Shumëkush do ta konsideronte si veprim të pakohë faktin se ky institut ndërmerrte hulumtime për politika ekonomike para kaq viteve, por janë pikërisht hulumtimet e këtij Instituti që kanë kontribuar thelbësisht në arsyetimin e qëndrueshmërisë ekonomike të Kosovës dhe në faza shumë të rëndësishme të bisedimeve në Rambuje dhe negociatat në Vjenë. Ka qenë një bazament tepër i rëndësishëm i të dhënave që janë shfrytëzuar në fazën e shtetndërtimit të Kosovës”, tha kryeministri.

Nisur nga vetë titulli i konferencës, kryeministri Mustafa, tha se dëshmohet se ky Institut ka ende çfarë t’i jap Kosovës, duke theksuar rëndësinë e bazimit të politikave efikase ekonomike sidomos në fushat e zhvillimit makroekonomik.
Duke iu referuar ekspertëve që kanë reflektuar dijen e tyre në këtë fushë, kryeministri theksoi se Instituti ka bërë punë të madhe me rekomandimet e dhëna, edhe kur ato nuk janë pranuar në momente të caktuara.
“Në qoftë se i kthehemi situatës në vend, gjatë qeverisjes mbi dyvjeçare, ne kemi pasur një bashkëpunim mjaft të mirë dhe kemi qenë të interesuar që të marrim të gjitha sugjerimet shkencore për të adresuar një rrugë, e cila ka bazament të zhvillimit. Mbi këtë bazë, ne kemi arritur që të rrisim rritjen vjetore ekonomike, rreth 4 për qind, nga ajo që kemi trashëguar në 1.2 për qind. Ajo që na gëzon është se, edhe duke respektuar të gjeturat e këtij Instituti, ne kemi arrit që këtë zhvillim ekonomik ta bazojmë në sektorin privat, që është një zhvillim shumë i qëndrueshëm, dhe është një zhvillim që mund të them se siguron zhvillim, i cili mund të rritet në proporcione gjeometrike, dhe për të cilën ne mund të shpresojmë se edhe këtë vit edhe vitin e ardhshëm, edhe vitet në vijim, do të kemi gjithmonë rritje ekonomike mbi rritjen e tanishme ekonomike, që do të siguroj zvogëlim të papunësisë, do të siguroj punësim produktiv, do të siguroj konkurrueshmëri në raport me ekonomitë tjera regjionale, dhe në ekonominë e tregut të Bashkimit Evropian si treg unik, në të cilin ne tani kemi qasje në bazë të nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”, tha kryeministri Mustafa.

Gjatë kësaj kohe, kryeministri Mustafa tha po ashtu se papunësia është ulur nga 35 për qind në 27 për qind.
Ndonëse ky numër mund të jetë më i ulët, kryeministri tha se ky është problem i madh, sidomos i të rinjve dhe grave, duke e vlerësuar të rëndësishëm debatin shkencor të kësaj Konference, në mënyrë që të gjinden mënyrat më të mira të angazhimit produktiv të të rinjve dhe grave, duke nisur nga harmonizimi i sistemit arsimor në të gjitha nivelet, me kërkesat e tregut të punës.

Edhe resurset natyrore, sipas kryeministrit, duhet të vihen në shërbim të zhvillimit ekonomik, dhe në shërbim të përparësive ekonomike të cilat i ka Kosova, në krahasim me vendet tjera në regjion dhe në krahasim me vendet tjera të tregut të Bashkimit Evropian.
“Ne kemi resurse minerare, ne kemi toka të pëlleshme, ne kemi dije profesionale dhe dije shkencore, të cilat mund t’i vëmë në shërbim të zhvillimit ekonomik, me një qasje shkencore dhe me një qasje profesionale. Unë shpresoj se institucionet e tilla dhe Institutet e tilla, siç është Riinvesti, do të na ofrojnë zgjidhje të cilat do t’i shërbejnë qytetarëve të Republikës së Kosovës, jo fushatave dhe zgjedhjeve, por zhvillimit ekonomik, sepse çdo gjë tjetër është e kalueshme, ndërkaq zhvillimi ekonomik, perspektiva ekonomike e këtij vendi, është çështje e përhershme”, tha kryeministri Mustafa, duke shprehur përkrahjen e institucioneve të Kosovës.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se tash e sa vjet ky Institut ka vendosur standarde gjithnjë e më të larta për fushën e hulumtimeve.
“Sot, vlerësimet që i jep Instituti Riinvest merren për bazë në vendimmarrje, sigurisht në Qeverinë e Kosovës, por edhe në institucione tjera ndërkombëtare që punojnë bashkë me ne në Kosovë. Nga ky këndvështrim, unë jam shumë i nderuar që kemi arritur të formalizojmë si Ministri e Financave, një bashkëpunim me Institutin Riinvest, për të publikuar në baza të rregullta pasqyrën makroekonomike, kuartale”, tha ministri Hoti.

Ministri Hoti, tha se nga këndvështrimi i Ministrisë së Financave, parimet bazë për zhvillimin e politikave ishin transparenca dhe gjithpërfshirja.
“Këtë e kemi dëshmuar së fundi edhe me atë që ne në Ministri e quajmë Portal i Transparencës, ku mund të shihen në baza mujore të dhënat 11 vjeçare për të hyrat, shpenzimet dhe gjithë indikatorët tjerë ekonomik dhe financiar në vend. Unë besoj shumë që ky publikim do ta qartësoj situatën ekonomike dhe sociale në Kosovë, dhe në masë të madhe do t’i orientojë pritjet e hulumtuesve dhe bizneseve në veçanti për periudhën e ardhshme”, tha ministri Hoti.

Alban Hashani, drejtor i kërkimeve në Institutin Riinvest, prezantoi pasqyrën makroekonomike të tremujorit të parë 2017, duke theksuar ndër të tjera se pavarësisht problemeve me të cilat përballet ekonomia e Kosovës, megjithatë Kosova ka mbajtur një normë pozitive të rritjes, e cila ka shënuar përmirësim në vitet e fundit.
Më pas u bë prezantimi i Raportit “Ambienti Biznesor në Kosovë 2016”, si dhe i zhvilloi punimet paneli diskutues, ku ishin të pranishëm përfaqësuesit e institucioneve, organizatave ndërkombëtare financiare si dhe ekspertë të ekonomisë.
Në sesionin e pasdites, do të bëhet prezantimi i punimeve shkencore të ekspertëve të ekonomisë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat