FMN: Për vitin 2017, nuk ka vend në buxhet për rritje të pagave

Ekonomi

FMN: Për vitin 2017, nuk ka vend në buxhet për rritje të pagave

Më: 5 maj 2017 Në ora: 15:46
Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermeulen

Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermeulen, e ka hedhur poshtë kërkesën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, që Ministria e Financave të bëjë përgatitjet për rritje të pagave për shërbyesit civilë, sektorin e arsimit dhe at të shëndetësisë.

Vermeulen shprehet për arbresh.info se në buxhetin e aprovuar për vitin 2017, nuk ka vend për rritje të pagave në sektorin publik.

“Ne nuk jemi konsultuar për ndonjë rritje të mundshme të pagave në sektorin publik. Do të thotë, për vitin 2017, nuk ka vend në buxhetin e aprovuar apo në objektivat fiskale si pjesë e programit të miratuar nga FMN për të rritur pagat”, tha Vermeulen.

Ai shton se për vitin 2018, zhvillimet në pagat e sektorit publik duhet të udhëhiqen nga projektligji i pagave që do të hyjë në fuqi vitin që vjen.

“Kjo rregull është shndërruar në Ligjin për pagat e sektorit publik, duke e lidhur rritjen e pagave me rritjen ekonomike, ashtu që rritja e pagave të jetë e bashkërenduar me rritjen e produktivitetit,” është shprehur ai për arbresh.info.

Vermeulen deklaron se përmes këtij projektligjit do të parandalohen premtimet e paqëndrueshme që po i bëjnë politikanët në prag të zgjedhjeve.

“Miratimi i rregullit është një arritje kyçe e programit aktual dhe ka për qëllim të parandalojë premtimet e paqëndrueshme parazgjedhore të pagave që kemi parë në të kaluarën. Ndërkohë që Kosova është duke hyrë në një cikël të ri zgjedhor, është e domosdoshme që faturat e pagave të sektorit publik në buxhetin e vitit 2018 të respektojnë kufirin ligjor të paraparë në këtë rregull”, theksoi ai.

Isa Mustafa në mbledhjen e fundit të qeverisë ka kërkuar nga Ministri i Financave, Avdullah Hoti që në koordinim me Fondin Monetar Ndërkombëtar të propozojë mundësi të rritjes së pagave për shërbyesit civilë në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat