Kuizi sfidues i ekonomisë për herë të parë në Kosovë

Ekonomi

Kuizi sfidues i ekonomisë për herë të parë në Kosovë

Më: 29 prill 2017 Në ora: 14:23
Klubi i Ekonomistave të RIT Kosovë organizoi kuiz dhe forum

Klubi i Ekonomistave të RIT Kosovë organizoi sot një forum dhe kuiz, i cili kishte për qëllim sfidimin e njohurive në fushën e ekonomisë, si dhe edukimin e publikut në këtë fushë në mënyrë atraktive.

Universitetet pjesëmarrëse prezantuan punimet e tyre duke sfiduar dhe thelluar informacionet për temat përkatëse të trajtuara. Pjesëmarrës ishin përfaqësues të  studentëve te R.I.T Kosovës, nga Universiteti i Prishtinës dhe nga Kolegji Riivest.

Profesori nga R.I.T Kosova, Besnik Bislimi tha se në këtë garë do të fokusohen më shumë në fushën e mikro dhe makro-ekonomi.

Bislimi: Gara fokusohet në mikro dhe makroekonomi

“Përveç që është hera e 5 që po mbajmë forumin ekonomik, tash kemi edhe një inovacion, për herë të parë studentët e universiteteve kosovare garojnë në kuizin e ekonomisë nga lëmit ekonomike, kryesisht nga lënda e mikro dhe makro-ekonomisë”, tha ai.

Premtim Shaqiri së bashku me Tringa Kastratin dhe Diellza Gjemën, prezantuan temën “Kosova në rankimet ndërkombëtare”, në kudër të R.I.T Kosova. Shaqiri tha se Kosova ka një përmirësim në krahasim me vitet e kaluara dhe mund të konsiderohet si vend mesatarisht i lirë.

Shaqiri: Kosova është vend mesatarisht i lirë ekonomikisht

“Ku gjendet Kosova në këtë indeks? Po e shohim që është në vendin e 46, atje dhe ka një përmirësim prej viteve të kaluara, kurse këtu poshtë në të 65, e shohim se ku qëndron Shqipëria. Prej vendeve të rajonit vlen të ceket që Maqedonia ka ranglistën më të lartë e cila është në vendin e 30-të… Në botë radhitet si e 46, kurse, në regjion është e 22 dhe është mesatarisht vend ekonomikisht i lirë. Prej vitit të kaluar, Kosova ka pasur një ngritje në këtë indeks, siç po e shohim, për më herët nuk ka të dhëna, mirëpo vazhdimisht prej 2016, Kosova është pjesë e këtij indeksi dhe ka për të pasur statistika për këtë raport. Në të gjithë faktorët prej vitit të kaluar ka pasur një ngritje përpos lirive ekonomike në të cilën ka pasur në rënie”, tha ai.

Egzon Zariqi nga Universiteti i Prishtinës, së bashku me Leonita Imerin dhe Gentrina Bytyqin, kishin zgjedhur të trajtojnë temën “Ndikimi i migrimit në ekonominë e vendeve në zhvillim, rast studimi Kosova”. Zariqi tha se remitencat ndonjëherë ndikojnë negativisht për shkak se duke i marrë ato, njerëzit shndërrohen në përtacë dhe kështu ulet zhvillimi ekonomisë.

Zariqi: Remitencat ndikojnë edhe negativisht

“Në çdo segment remitencat kanë ndikim pozitiv, por sa i përket ndikimit negative, remitencat kanë për arsye se na kanë bërë pak më përtac neve sa i përket remitencave, kemi iniciativa më të vogla për punë, për arsye se nëse unë kam me pranu remitenca nga jashtë, unë kam me u bë përtac për arsye që unë e kam një pagë të rezervuar dhe nën atë pagë unë nuk punoj, nëse mua mi dërgon babai apo dikush 300 euro, unë nuk punoj për 300 euro një punë tjetër”, tha ai.

Tema e tretë e prezantuar ishte nga Kolegji Riinvest, përkatësisht nga Lindita Vrajolli, Ermira Berisha dhe Edona Prebreza, ishte ajo e ndikimit të politikave fiskale në zhvillimin ekonomik të Kosovës, ku Ermira tregoi se heqja e TVSH-së, ka ndikuar në zvogëlimin e kostos fillestare.

Berisha: Heqja e TVSH-së ndikon në zvogëlimin e kostos fillestare

“Sa i përket bizneseve, me heqjen e TVSH-së, në lëndën e parë të makinerisë prodhuese, është ulur kostoja fillestare e investimit. Po ashtu, me uljen e pragut të regjistrimit nga 50.000 në 30.000 euro, është rritur numri i bizneseve të regjistruara për TVSH”, tha Berisha.

R.I.T Kosova ka mbajtur edhe shumë aktivitete të tjera brenda këtij viti, ku aktivitetet më të mëdha konsiderohen krijimi i ueb faqes, konferencat brenda dhe jashtë vendit, ushtrime për studentët në fushën e ekonomisë, si dhe mysafirë të ndryshëm  që kanë mbajtur ligjërata për studentët e këtij klubi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat