Kosova merr hua për ujë

Ekonomi

Kosova merr hua për ujë

Më: 27 janar 2017 Në ora: 10:18
Ministri i Financave Avdullah Hoti dhe drejtori i Bankës Botërore për Kosovë Marco Mantovanelli

Ministri i Financave Avdullah Hoti dhe drejtori i Bankës Botërore për Kosovë Marco Mantovanelli, nënshkruan sot Marrëveshjen për Hua me Bankën Botërore për financimin e Projektit Sigurimi i Ujit dhe Mbrojtja e Kanalit.

Vlera e përgjithshme e kësaj Marrëveshje është 22 milionë Euro, me një normë efektive të interesit 1.40%, grejs periudhë 5 vite dhe 20 vite kthim efektiv të kredisë. Projekti në fjalë ndahet në dy pjesë, përkatësisht, në përmirësimin e kanalit kryesor të ujit dhe ndërtimin e një rezervari.

“Përveç përmirësimeve infrastrukturore të kanalit që do të ndodhin duke filluar nga Ujmani deri në Obiliq, do të adaptohet/aplikohet edhe një sistem i avancuar elektronik i cili do t’i mundësoj Ibër Lepencit të mbikëqyr kanalin, të mbledh dhe analizoj të dhënat nga tereni në kohë reale”, tha Hoti.

Ndërkohë, u njoftua se pjesa e dytë e projektit ka të bëjë me ndërtimin e një rezervuari të ujit në Mihaliq dhe lidhjen e tij me kanalin e ujit. Ky rezervuar do të shërbej për situata emergjente të cilat mund të ndodhin në të ardhmen”.

Drejtori i Bankës Botërore për Kosovë Marco Mantovanelli tha se uji është në qendër të zhvillimit ekonomik dhe social, ai është vital për ruajtjen e shëndetit, kultivimin e ushqimit, prodhimin e energjisë, dhe për këtë duhet t’i japim rëndësi themelore.

“Aktualisht, Kosova qendrore, rajoni me popullsinë më të dendur në vend i cili paraqet potencialin më të madh zhvillimor të Kosovës për shkak të përqendrimit të aktiviteteve minerare, bujqësore dhe industriale, është duke u sfiduar nga resurset e kufizuara ujore. Banka Botërore ka kënaqësinë të mbështesë Kosovën që ajo të bëj furnizimin e ujit më të pastër dhe më të qëndrueshëm”, tha Mantovanelli. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat