Gërxhaliu: Problemet politike dhe mungesa e liberalizimit të vizave dëmtuan bizneset

Ekonomi

Gërxhaliu: Problemet politike dhe mungesa e liberalizimit të vizave dëmtuan bizneset

Më: 23 tetor 2016 Në ora: 12:23
Safet Gërxhaliu

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka deklaruar se problemet politike në vend e kanë dëmtuar shumë zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Sipas tij problemet politike kanë qenë më shumë prezente në të gjitha diskutimet dhe kjo ka bërë që ekonomia të mos jetë prioritet i prioriteteve.

Kreu i OEK-ut, Safet Gërxhaliu në një bisedë për televizionin publik, ka thënë se edhe mosliberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, ka bërë që të krijohen shumë probleme për bizneset kosovare. Sipas tij, mos liberalizimi i vizave, ka ndikuar që komuniteti i biznesit të humb si në kohë ashtu edhe në shuma të mëdha parash.

Gërxhaliu ka thënë se Marrëveshje për Stabilizim Asocim (MSA), i ka efektet e veta nga vullneti politik. Por ai ka deklaruar MSA-ja nuk është e plotë në kuptim të përgjithshëm, pasi që ka lënë kosovarët të geotizuar dhe kjo ka ndikuar shumë në lëvizje dhe komunikim ndërmjet kosovarë, apo bizneseve kosovare në vendet evropiane.

“Sipas analizave tona, biznesi kosovar në tri vitet e fundit ka humbur 300 ditë për të marrë viza në ambasadat evropiane dhe kanë humbur miliona euro për aplikim”, ka thënë ai.

Sipas tij, nga mosliberalizimi ka humbur imazhi i Kosovës. Ai ka thënë se mungesa e lëvizjes së lirë ka bërë që kosovarët të blejnë pasaporta nga vendet e rajonit.

Ai ka thënë se që nga hyrja në fuqi e reformave fiskale në vitin e kaluar janë bërë shumë ndryshime pozitive.

“Duhet që të jemi të vetëdijshëm se problemet ekonomike në Kosovës, janë grumbulluar për shumë vite dhe këto për t;i zgjidhur duhet kohë. Është e pamundur që këto probleme të zgjidhen sikur me një shkop magjik. Pra nga Pakoja e re fiskale është e tepërt që të kemi pritje të mëdha. Për këtë duhet që të kemi analizë për efektet afat shkurtë, mesëm dhe afatgjatë”, ka thënë Gërxhaliu.

Sipas tij, për të pasur një pasqyrë më të mirë se çka në të vërtet do të ketë pozitivistet nga kjo reformë fiskale, duhet shikuar në planin afatgjatë.

“Ne duhet që të punojmë që të përmirësojmë bilancin e pagesave, të rrisim eksportin e Kosovës, i cili do të mund që të ketë mpakte pozitive në hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillim të gjithëmbarshëm të Kosovës”, ka thënë ai.

Gërxhaliu ka vlerësuar se një shtet nuk mund që të jetojë vetëm duke eksportuar para të gatshme.

Ai ka folur edhe për bashkëpunimin Shqipëri-Serbi, duke thënë se anashkalimi i Kosovës në marrëveshje të ndryshme, nuk i bënë mirë bashkëpunimit.

“Kosova është realitet, ajo ka institucionet e veta, kuvendit, qeverinë dhe institucione e tjera, Nuk mund që të ketë rrugë, Shqipëri Serbi, pa Kosovë. Pra është shqetësues qasja e tyre, në infrastrukturën ajrore dhe hekurudhore, Këto janë dëme që po i bëhen Kosovës. Me një fjalë Memurandumi i vitit 2009, Tadiq-Qosiq, është duke tentuar heshturazi të implementohet”, ka thënë ai.

Ndërsa sa i përket buxhetit që qeveria e Kosovës e ka propozuar për vitin 2017 e që është dy miliardë euro, Gërxhaliu ka thënë se nuk janë objektiva që nuk mund të arrihen.

“Duhet që të jemi transparent, duhet që të sundojë ligji si dhe të kemi dialogim, në këto rrethana, kur biznesi të jetë i barabartë, kur të luftohet informaliteti, atëherë mund që të kemi këtë arritje’, ka thënë ai.

Gërxhaliu ka thënë se qeveria e Kosovës, nuk e ka komoditetin që të prishet me FMN-në, dhe se duhet koordinim me të që të kemi respektim të marrëveshjes.

Kreu i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, ka folur edhe për projektin e Kompanisë bordi i së cilës udhëhiqet nga Gjenerali Wesley K. Clark, e cila ka kërkuar të ketë monopolin në hulumtimin e rezervave të qymyrit në Kosovë.

Kompania “Envidity Energy Inc” ka kërkuar nga Komisionit i Pavarur për Miniera dhe Minerale tri licenca për hulumtim të qymyrit dhe bitumit në territorin e Kosovës. Ai ka thënë se është një qasje e gabuar e kritikëve, të cilët nuk janë kompetentë për atë punë.

Sipas tij, ardhja e brendeve të reja në Kosovës, është e mirëseardhur në Kosovës. Sipas tij debatet e tilla nuk e përmirësojnë imazhin e vendit.

“Një kompani shumë e madhe, tregon se Kosova, po shikohet nga investitorë të mundshëm, dhe ardhja e tyre, siç është “Envidity Energy Inc”, e cila po dëshiron që të hulumtojë për pasuritë e Kosovës, është treguar pozitiv”, ka thënë ai.

Ndërsa sa i përket projektit të ndërtimit të termocentralit “Kosova se re”, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se ai është stërzgjatur dhe se më nuk duhet humbur kohë për këtë projekt, pasi që energjia është një nga elementet kyçe për të thithur më shumë investime. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat