Ruhen traditat e kultivimit dhe prodhimit të gështenjës

Ekonomi

Ruhen traditat e kultivimit dhe prodhimit të gështenjës

Nga: Gjon Neçaj Më: 22 shtator 2016 Në ora: 13:15
Foto ilustrim

Tropoja aktualisht  ka masivin më të madh të gështenjave në Ballkan,me një sipërfaqe prej 2000 ha, duke u shtrirë kurorë Alpeve përmbi qytetin “Bajram Curri”, bjeshkëve deri në Dragobi, e vazhdon me Bujan, Tpla, masivet në vargmalet e Shkëlzenit në Tropojë, për të përfunduar në kurorën e Brisës, kufi me Toplanën, përngjatë Kaponit, Gjonpepaj, Bëtoshë, Korja e Merturit në Nikaj Mertur.
 
Siç informojnë për “Shqiptarja.com” specialistët e bujqësisë, herë pas here për gështenjën janë siguruar fonde në shtimin e numrit të rrënjëve duke mbjellë fidanë të rinj në disa komuna, apo për kryerjen e shërbimeve, si krasitje,prerje të degëve të thata për t'u ardhur në ndihmë pronarëve me shumë rrënjë gështenja. 
 
Por ngritja e linjave të reja të përpunimit të gështenjës është e domosdoshme. Është një ndihmesë e madhe për afrimin e tregut, veçanërisht atij të huaj në Tropojë, thonë banorët e këtyre zonave.
 
Për mjaft fermerë tropojanë, tregtia e gështenjës përmes së cilës sigurojnë të ardhurat për gjithë vitin është parësore në jetën e tyre. Edhe se Tropoja është e njohur për kultivimin e këtij drufrutori, dihet, se edhe para viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, eksportohej gështenja tropojane në Gjermani, Turqi, Austri e vende të tjera, ku përpunohej dhe prodhoheshin nënprodukte si çokollata, ëmbëlsira, apo nënprodukte të tjera të kërkuara nga konsumatorët.
 
|Pas viteve nëntëdhjetë  fillimisht nisi dëmtimi i kësaj pasurie, por shpejt interesi ekonomik që të ruhej kjo pasuri, kërkoi dhe privatizimin e domosdoshëm, që solli ruajtjen e shtimin e numrit të rrënjëve të këtij drufrutori. Ne tani i ruajmë  dhe i mirëmbajmë , e bëjmë përpjekje për shtimin e numrit të rrënjëve, pasi kështu rrisim të ardhurat tona”, thotë  Agimi  nga fshati Lekbibaj. 
 
Masivi i gështenjës në Tropojë zë një sipërfaqe mbi 2000 ha me rreth 220 mijë rrënjë, prej të cilave rreth 190 mijë janë në prodhim, ku rendimenti arrin deri në 40 - 45 kilogram për rrënjë, thuajse është i trashëguar nga brezi në brez. Është masiv i vjetër dhe i ruajtur dhe shtrihet thuajse në të gjithë rrethin e në toka relativisht inproduktive, por ka ardhur edhe duke u shtuar. Por kryesore është mbrojtja e tij, ky është shkaku që po investohet në masat mbrojtëse, tashmë edhe nga vetë pronarët.
 
Gështenja në Tropojë është e shtrirë në të gjithë zonën, por masivet më të mëdha janë në njësitë administrative  Lekbibaj, Bujan, Fierzë, Margegaj e deri në qytetin  Bajram Curri, qytet thuajse i rrethuar nga gështenja.
 
Fermerët e këtij komuniteti  thonë se gështenja siguron një pjesë të ardhurave sa për të mbajtur familjen.
 
Ai ka në pronësi rreth 300 rrënjë gështenja të cilën e tregton ku të ketë kërkesa .Vitin e kaluar,thotë,i morën në vend dhe me një çmim të lakmueshëm që varion nga 120 deri 150 lekë pë kilogram. Të ardhurat nga tregtimi i gështenjës mund të rriten , nëse sigurohet tregu i garantuar një treg të garantuar. Këtë vit besojmë se gështenja do ketë rendimente të mira e rruga e rikonstrutuar Fierzë-Lekbibaj është një garanci më e madhe për transportin, thotë Gjevalin Gjeloshaj,administrator i njësisë administrative Lekbibaj.
 
Pronarët e gështenjave në Tropojë thonë se tregun e kanë të siguruar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Në Shqipëri çmimi i një kilogrami gështenja ka arritur  deri në 150   lekë, ndërsa në Kosovë nga  një deri në dy euro.
 
Edhe pse fermerët përpiqen të mbjellin gështenja të reja, në fakt, sipas specialistëve, futja e tyre në prodhim zgjat shumë, rreth 10 vjet. Por interesi i tyre për rritjen e numrit të rrënjëve është edhe për faktin se kërkon pak investime dhe zë toka jo produktive. Veç kësaj, mikroklima ideale e këtij rrethi ka bërë që gështenja të zërë vendin kryesor ndër drufrutoret e këtij rrethi.
 
Por shqetësim i pronarëve të gështenjës është kërcënimi nga sëmundja e kancerit të këtij drufrutori. Kjo sëmundje ka qenë e pranishme që prej 30 e ca vitesh dhe  sjell tharjen e drufrutorit para kohe. Në realitet, dëmtimi nga kjo sëmundje është i rrallë dhe është gjithnjë nën vëmendjen e specialistëve të pemëtarisë. Fatmirësisht këto vite masivet e gështenjave nuk janë prekur masivisht nga kjo sëmundje.
 
Një nismë që tashmë prej disa vitesh është bërë  traditë në Tropojë,është festa e gështenjës që organizohet në muajin tetor,duke ekspozuar prodhimin vendas dhe nënproduktet e shumta të saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat