Krasniqi: Sivjet 8 milionë euro të ardhura nga mjedrat

Ekonomi

Krasniqi: Sivjet 8 milionë euro të ardhura nga mjedrat

Më: 20 gusht 2016 Në ora: 13:04
Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi

Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi ka thënë se Kosova pritet sivjet të ketë prodhim rekord të mjedrës, deri në 5 mijë ton nga mbi 1000 hektarë sa janë në prodhim. Ai, në një postim në faqen e tij në Facebook ka thënë se kjo do të sjellë 8 milionë euro për Kosovën.

Ai ka shtuar se përkundër raportimeve, nuk ka probleme me grumbullim, pasi ka kapacitete të mjaftueshme.

“Sot takova pronarët e qendrave grumbulluese të mjedrës dhe me vjen mirë që konstatuam bashkë se kemi kapacitete të mjaftueshme për grumbullimin dhe ruajtjen e mjedrës. Edhe në rastet kur disa qendra në disa rajone të caktuara mund të kenë vështirësi në grumbullimin me kohë, ka kapacitete të mjaftueshme nëpër komunat tjera dhe ato janë të gatshme ta pranojnë prodhimin nga fermerët. Po ashtu, ruajtja apo ftohja mund të bëhet edhe në qendra të tjera të cilat kanë hapësira të mjaftueshme për deponim me ftohje.

Ne do të jemi në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë akterët për të mundësuar që çdo kilogram mjedër të grumbullohet nga fermerët dhe të shitet. Bashkë edhe me shoqatën e kultivuesve të mjedrës dhe përfaqësuesit e qendrave grumbulluese do të punojmë që në vitet e ardhshme të rrisim kapacitete grumbulluese dhe ftohëse.

Është për tu theksuar fakti se këtë vit kemi shënuar rritje rekodre të prodhimit dhe sipërfaqeve me mjedër, nga 400 hektarë vitin e kaluar në mbi 1000 hektarë këtë vit. Prodhimtaria vjetore këtë vit pritet të shkojë në 5 mijë tonë, me një vlerë prej rreth 8 milionë eurove”, ka shkruar ai. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat