Projekti për rrugën Sllovi - Malësi e Zhegovcit mbështetet me 1 milion euro

Ekonomi

Projekti për rrugën Sllovi - Malësi e Zhegovcit mbështetet me 1 milion euro

Më: 18 gusht 2016 Në ora: 11:34
Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, kryetari i Lipjanit Imri Ahmeti dhe kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, kryetari i Lipjanit Imri Ahmeti dhe kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për financimin e projektit të asfaltimit të rrugës Sllovi-Gjilan, me gjatësi mbi 8 kilometra dhe në vlerë rreth 1 milion euro.

Ministri Zharku theksoi se do të vazhdohet më tej me investime në përmirësimin e infrastrukturës së këtij rajoni.

"Ministria e Infrastrukturës do të mbështesë iniciativën e kryetarëve Ahmeti dhe Haziri, në mënyrë që në vitin 2017 të fillojmë me realizimin e këtij projekti madhor", ka thënë ministri Zharku.

Ndërsa, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, është shprehur i lumtur që kjo rrugë shumë e rëndësishme do të mbështetet nga ministri Zharku.

"Kjo rrugë e lidh Malësinë e Zhegovcit me Sllovinë e Lipjanit, që është edhe korridori kryesor i juglindjes së Kosovës. Kjo rrugë, përveç banorëve të Gjilanit, do të shfrytëzohet edhe nga banorët e Kamenicës dhe të Bujanovcit për të komunikuar më lehtë me Lipjanin dhe Prishtinën. Investimi në këtë rrugë do të krijojë lehtësira në shpenzimin e kohës dhe shpenzimet tjera", ka thënë Haziri.

Kryetari Ahmeti ka falënderuar ministrin Zharku dhe kryetarin Haziri për përkrahjen e idesë së përbashkët për të bërë këto investime në Lipjan. Kjo ide do të krijojë mundësi të reja të komunikimit në mes banorëve të komunës së Lipjanit dhe Gjilanit nëpërmjet Sllovisë, duke e lidhur me Malësinë e Zhegovcit.

Ministria e Infrastrukturës do të investojë edhe projekte të tjera kapitale në këtë komunë, të cilat do të fillojnë shumë shpejt të implementohen, siç janë: rruga “Lipjan- Magurë”, rruga Sllovi- Smallushë-Gadime dhe disa projekte të tjera: disa rrethrrotullime në Lipjan dhe një arterie e re që lidhë qytetin e Lipjanit me magjistralen Prishtinë – Hani i Elezit, që do të fillojë së realizuari në fillim të vitit 2017. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat