S’dihet si përzgjidhen përfituesit e subvencioneve në Istog

Ekonomi

S’dihet si përzgjidhen përfituesit e subvencioneve në Istog

Më: 17 korrik 2016 Në ora: 08:42
ilustrim

Komuna kishte subvencionuar ndërtimin e serrave individuale me vlerë 60,000€, ku kishin aplikuar 303 fermerë. Sipas raportit të komisionit, 90% prej tyre i kishin plotësuar kriteret e vendosura me konkurs, ndërsa kanë përfituar 93 fermerë. Kështu thuhet në raportin e Auditorit, të cilit nuk iu kanë ofruar dëshmi se si janë përzgjedhë këta 93 përfitues në mesin e 303 aplikuesve.

Auditori në raportin e publikuar për vitin 2015, ka thënë se Komuna e Istogut nuk kishte kontrolle efektive për monitorimin dhe raportimin e shfrytëzimit të automjeteve zyrtare. Automjetet janë shfrytëzuar nga zyrtarët e komunës pa e plotësuar dhe pa e miratuar formularin/kërkesën për përdorim të përkohshëm të automjetit zyrtarë.

“Përveç kësaj, çdo drejtues i automjetit ishte i obliguar që në formular/fletudhëtim të shënoj numrin e kilometrave të automjetit në momentin e nisjes, destinacionin e udhëtimit, qëllimin e udhëtimit, emrat e personave që udhëtojnë, numrin e kilometrave në momentin e kthimit, si dhe nënshkrimin e përdoruesve. Kishte raste që nuk ishte plotësuar fletudhëtimi, si dhe në shumë raste mungonin informacionet e plota. Nuk ishte zbatuar në tërësi rregullorja e komunës për përdorimin e automjeteve zyrtare”, thuhet në raport.

Auditori ka vërejtur se për kontratat e nënshkruara për mallra dhe shërbime nuk ishte përgatitur ndonjë plan për menaxhimin e kontratave.

“Ne kemi vërejtur se në 4 raste komuna kishte nënshkruar kontrata për punë pa projekte ekzekutive. Në kontratën “Hartimi i planit komunal për efiçiencën e energjisë 2014-2020” në vlerë 5,850€, nuk ishin zhvilluar procedura të prokurimit. Ky shërbim ishte kontraktuar në mes të komunës dhe operatorit ekonomik sipas një marrëveshje që kishte lidhur kryetari me operatorin ekonomik. Në kontratën “Rrënimi i objektit Radusha në Istog” në vlerë 9,829€ nuk ishin zhvilluar procedura të prokurimit. Ky shërbim ishte kontraktuar në mes të komunës dhe operatorit ekonomik sipas një marrëveshje që kishte lidhur drejtori i shërbimeve publike me operatorin ekonomik”, ka theksuar auditori.

Kurse, në kontratën kornizë dy vjeçare “Fshirja dhe larja e rrugëve dhe trotuareve në rrugët e zonave urbane në Istog”, vlera e përafërt një vjeçare e kontratës është rreth 25,000€, por sipas Auditorit kontrata ishte dhënë ofertuesit të papërgjegjshëm i cili nuk kishte nënshkruar dhe vulosur formularin për dorëzimin e tenderit.

Komisioni i vlerësimit të tenderëve e kishte vlerësuar të përgjegjshëm operatorin fitues. Në kontratën “Furnizimi me thëngjill për Institucionet Komunale të Istogut” , në vlerë të parashikuar 25,000€, komuna kishte shpërblyer me kontratë operatorin me çmimin prej 57.85 €/tonë, ndërsa kishte eliminuar operatorin ekonomik që kishte ofertuar me çmimin prej 36€/tonë, edhe pse të dy ofertuesit ishin të përgjegjshëm para komisionit për vlerësimin e tenderëve.

Në kontratën “Ndërtimi i kanalizimit fekal në fshatin Cerrcë - Lubozhdë” në vlerë 91,654€, ofertuesi edhe pse i kishte përmbushur kriteret në dosje të tenderit, para lidhjes së kontratës zyra e prokurimit kishte kërkuar vërtetimin nga Administrata Tatimore e Kosovës se nuk është me vonesë në pagimin e tatimeve së paku deri në tremujorin e fundit, përderisa sipas vërtetimit tatimor fituesi i tenderit ishte në marrëveshje me Administratën Tatimore të Kosovës për të shlyer borxhet tatimore të mbetura me këste. Kontrata ishte lidhur në mes të Komunës së Istogut dhe fituesit të tenderit i cili ishte i papërgjegjshëm.

Auditori thotë se komuna ka të punësuar punëtorë me kontrata për shërbime të veçanta.

“Ne kemi identifikuar se 17 kontrata kanë kohëzgjatje më shumë se gjashtë muaj e ndër to kishte edhe kontrata të lidhura që nga viti 2010. Sipas nenit 12 pika 4 të Ligjit për shërbyesit civil, kontratat për shërbime të veçanta mund të lidhen për një periudhe më të shkurtër se 6 muaj”, thuhet në raportin e Auditorit.

Në raportin e Auditorit thuhet se që nga viti 2010 komuna ka në listën e pagave 16 udhëheqës të personelit, ndërs, realisht me kontratë ka vetëm një udhëheqës të personelit, kurse të tjerët me kontrata të punës janë: çertifikues, shpenzues, udhëheqës sektorësh, koordinator për barazi gjinore, etj. Kjo kishte ndodhur për shkak se drejtorët e drejtorive komunale në vitin 2010 kishin marr vendime për ngritjen e koeficienteve nga 7.5 në 9.5 për 16 punonjës.

Pas rishikimit të kontrolleve menaxheriale të zbatuara në sistemin financiar kryesor të komunës, Auditori ka vërejtur dobësi evidente në raportim.

“Forma e raportimit që bëhet tek kryetari bëhet sipas nevojës, dhe nuk ka raportime me shkrim prej drejtorëve në baza të rregullta mbi punët dhe aktivitet e tyre. Për arsyet e përmendura, ne nuk jemi mbështetur në funksionimin e kontrolleve të nivelit të lartë tek disa kategori ekonomike, si: të hyrat, mallrat dhe shërbimet, investimet kapitale, subvencione dhe transfere”, thuhet në raport.

Komuna e Istogut nga tatimi në pronë kishte planifikuar që të realizoj shumën 695,628€, ndërsa sipas shënimeve të komunës planifikimi i të hyrave për këtë llogari është 295,009€.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat