Ata që nuk punësojnë persona me aftësi të kufizuara, do të paguajnë mjete financiare

Ekonomi

Ata që nuk punësojnë persona me aftësi të kufizuara, do të paguajnë mjete financiare

Më: 16 korrik 2016 Në ora: 16:34
Persona me aftësi të kufizuara

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka bërë të ditur se të gjitha institucionet publike dhe kompanitë private, të cilat nuk plotësojnë numrin e kërkuar të personave me aftësi të kufizuara, do të jenë të obliguara të paguajnë një shumë të mjeteve financiare, që do të shërbejë si fond për financimin e programeve dhe trajnimeve për personat me aftësi të kufizuara.
MPMS përmes një njoftimi për media ka sqaruar punësimin e personave me aftësi të kufizuara, ku thotë se është e vetëdijshme për numrin e ulët të të punësuarve nga kjo kategori, si në sektorin publik po ashtu edhe në sektorin privat.

Përmes njoftimit bëhet e ditur se MPMS ka iniciuar dhe proceduar për aprovim Plotësim-ndryshimin e Ligjit për Punësimin dhe Trajtimin e Personave me Aftësi të Kufizuara, të cilat pritet të aprovohen nga Kuvendi i Kosovës dhe pritet të sjellin ndryshime pozitive në punësimin e personave me aftësi të kufizuara.

“Bazuar në këto plotësim-ndryshime, të gjitha institucionet publike apo edhe kompanitë private të cilat nuk zbatojnë kërkesat e ligjit për punësim të numrit të kërkuar të personave me aftësi të kufizuara, do të jenë të obliguara që në mungesë të punësimit të personave me aftësi të kufizuar të paguajnë një shumë të mjeteve financiare, e cila do të shërbejnë si fond për financimin e programit të trajnimeve, hapjen e punëtorive mbrojtëse për persona me aftësi të kufizuar, mbështetjen me pajisje dhe mjete për vetëpunësim dhe mbështetje për kompanitë të cilat do të jenë të gatshme të punësojnë persona me aftësi të kufizuara”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se MPMS ka iniciuar draftimin e Ligjit të Ndërmarrjeve Sociale, ligj i cili do të ofrojë mbështetje për OJQ dhe kompanitë te cilat do t ofrojnë trajnime dhe punësim për personat me aftësi të kufizuara.

“Draft i ligjit është në procesin e konsultimeve publike dhe pritet që deri në shtator të këtij viti të procedohet për aprovim në Qeveri dhe më pas në Kuvendin e Kosovës. Këto dy iniciativa do të ndikojnë dukshëm që të përmirësohet dhe rritet niveli i pjesëmarrjes dhe angazhimit të personave me aftësi të kufizuar në punësim, si në sektorin publik, po ashtu edhe në sektorin privat. MPMS, edhe aktualisht në kuadër të programeve të masave aktive të tregut të punës, siç janë trajnimi në pune, praktika në punë, subvencionimi i pagave, apo edhe aftësimi profesional, vazhdimisht angazhon në këto programe persona me aftësi të kufizuar”, vazhdon njoftimi.

Bëhet e ditur se MPMS paguan pensione për 19 mijë persona me aftësi të kufizuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat