Kosova vazhdon të ketë pengesa për eksportimin e mallrave në Shqipëri

Ekonomi

Kosova vazhdon të ketë pengesa për eksportimin e mallrave në Shqipëri

Më: 21 maj 2019 Në ora: 14:13
Pamje nga takimi

Kosova vazhdon të ketë pengesa për eksportimin e mallrave në Shqipëri, ku disa nga barrierat janë procedurat e zhdoganimit, pagesa e skanerit, noterizimi i analizave dhe pagesa në Rrugën e Kombit.

Këto janë bërë të ditura në forumin ekonomik mbarë-shqiptarë që sot është mbajtur në Tiranë, me temën “Mundësitë dhe sfidat e marrëdhënieve tregtare Kosovë-Shqipëri”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, ka përmendur problemet që bizneset kanë në Doganën e Kosovës në Portin e Durrësit, ku ai tha se nuk ka nevojë që mallrat e Kosovës të skanohen, pasi sipas tij pagesa që bizneset bëjnë është një lloj “haraçi”.

Limaj: Kemi kërkuar që malli i Kosovës të mos futet në skaner

“Në pikën doganore në Durrës  e kemi hapur për transit dhe është korridori i Kosovës dhe nuk ka nevojë asnjë letër dhe asgjë, çdo mall që futet për Kosovë të preket ose të kontrollohet nga Shqipëria. Është korridori ynë se ka pasur dhe vërejtje për certifikatat, për skanerin. Unë e di që biznesi nga Prishtina e ka pjesën kryesore përveç tjerash siç u tha skaneri dhe çështjen e taksës së rrugës. Ministrja që është sot këtu, zëvendëskryeministri dhe kolegët kemi biseduar një kohë të gjatë për të gjetur se si mund të dalim nga kjo situatë. Jemi të vetëdijshëm që Parlamenti i Shqipërisë është futur në disa koncesione, ka obligime shtetërore, por ne jemi të bindur që për një vendim të keq të Parlamentit të Kosovës nuk duhet të vuajë biznesi i Tiranës. Për një vendim jo të mirë të Parlamentit të Shqipërisë nuk bënë të ngarkohet biznesi i Kosovës. Skaneri për mua është një gjë e çudit shme, vetëm Shqipëria e ka skanerin, nuk ka askund tjetër. E di që është vështirë, Qeveria shqiptare e ka jashtëzakonisht vështirë kontrata të tilla t’i rishikojë. Por ajo që ne kemi kërkuar është që malli i Kosovës të mos futet në skaner, nuk është duke ndalur në Shqipëri është duke ardhur në Kosovë. Rrezikshmërinë e marrim ne ose nëse ka informacione nga inteligjenca, nga institucionet e sigurisë atëherë në bazë të atyre informacioneve të skanohet, por jo çdo maunë, dje dëgjuam që në një maunë me 15 produkte, për 15 produktet duhet të paguhet nga 22 euro, kjo më nuk është as siguri, kjo është ne i themi në Kosovë haraç, nuk ka lidhje kjo me kurrfarë sigurie”, u shpreh ai.

Limaj tha se në Prishtinë kanë përdorur skanerët përpara, por ai tha se nëse organet kanë kërkuar të futet një mall në skaner përgjegjësinë për shpenzimet i ka marrë shteti dhe jo bizneset.

Sa i përket kësaj çështjeje, ministrja e Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë Anila Denaj, tha se do të angazhohen për të diskutuar me kompaninë që ofron shërbimin e skanerit dhe se do ta zgjidhin deri në fund të qershorit.

Denaj: Çështja e skaneri do të zgjidhet deri në fund të qershorit

“Është një çështje që na lidh me një kompani, e cila ofron shërbime, mendojmë që nuk është e pamundur të ulemi dhe të flasim me kompaninë, të diskutojmë atë pjesë që Limaj përmendi pak më parë korridore. Por, edhe kjo nënkupton hapjen e diskutimeve më të gjera mes ministrive dhe këtë do të angazhohemi ta bëjmë deri në fund të qershorit. Njëkohësisht atë që e kemi shumë thjeshtë ta bëjmë më herët është analiza e riskut për të parë se cilat mjete skanohen dhe elementi tjetër po aq i rëndësishëm faturimi, i cili për kompanitë është shumë i rëndësishëm”, tha ajo.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala, ka thënë se bizneset kosovare po përballet me shumë barriera gjatë eksportit të tyre në vendet e CEFTA-së, për arsye politike.

Ai tha se barrierat e bizneseve kosovare rrallë herë janë raportuar, por sipas tij, janë evidente dhe pikërisht këto barriera janë arsyet themelore për bilancin tregtar që ka Kosova aktualisht.

Shala: Bizneset kosovare po përballen me barriera

"Ekonomia e Kosovës, është ekonomi e vogël, është ekonomi konsumuese, ndër ekonomitë që ka më së paku eksporte në raport me vendet tjera anëtare të CEFTA. E gjitha kjo, sipas mendimit tonë jo për shkak se ne nuk kemi produkte të cilësisë së duhur, jo pse nuk kemi kapacitete për prodhim, por për shkak të barrierave të cilat janë aplikuar për bizneset e Kosovës potencialisht gjatë tentimit të eksportit të produkteve të Kosovës në vendet nënshkruese të CFTA-së...kryesisht barrierat me të cilat ballafaqohen bizneset e Kosovës, përpos Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës me të cilat tashmë Kosova ka marrë masa reciprociteti për shkak të qasjes që këto shtete kanë pasur me Kosovën, një nga vendet me të cilat bizneset e Kosovës kanë barriera të mëdha gjatë të të bërit biznes është edhe Republika e Shqipërisë. Është mirë që dy ministritë tona përkatëse që sa më shpejt këto barriera të evidentuara t’i zgjidh im sa më shpejt”, tha ministri Shala.

Kreu i MTI-së u ka bërë thirrje bizneseve nga Shqipëria që t’i raportojnë barrierat me të cilat përballen, pasi sipas tij qëndrim i Kosovës është të respektohen të gjitha marrëveshjet e arritura dhe të hapen tregjet për produkt shqiptare.

Shala tha se kërkon të njëjtin trajtim edhe për prodhuesi kosovar që eksportojnë në Shqipëri. Ai tha se prodhimet andej dhe këndej kufirit nuk duhet të trajtohen nga qeveritë ndryshe, por ato duhet të trajtohen pa dallim, si prodhime shqiptare.

Ministri Shala iu bëri thirrje prodhuesve nga Shqipëria që të shfrytëzojnë taksën e vendosur nga Kosova për produktet që importohen nga Serbia e Bosnja Hercegovina, pasi sipas tij janë të interesuar që të gjitha produktet serbe të zëvendësohen me prodhime shqiptare.

Drejtori ekzekutiv i Forumi Ekonomik Mbarë-Shqiptarë, Astrit Panxha, ka bërë prezantimin e raportit për marrëdhëniet tregtare Kosovë-Shqipëri, ku ka thënë se në marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri ka përmirësim, por që është shumë i ulët krahasuar me potencialin që kanë të dyja vendet.

Ai tha se shkëmbimi tregtar në 2014 ka qenë rreth 170 milionë euro, ndërsa në  2018 janë 270 milionë euro.

Sipas tij, Shqipëria ka eksportuar në Kosovë produkte në vlerë 205 milionë euro në vitin 2018, ndërsa Kosova në Shqipëri në vlerë 65 milionë euro.

Panxha: Vendin e dytë ku kemi më së shumti sfida është Shqipëria

“Pengesat për eksport, problemin kryesor Kosova e ka eksportet me Serbinë, diku 52 për qind të anketuarve kanë deklaruar që kanë probleme në eksportin me Serbinë. Vendin e dytë ku kemi më së shumti sfida është Shqipëria, 23 për qind e të anketuarve kanë treguar se problemin e dytë për eksport e kanë Shqipërinë. Kjo duhet të trajtohet, duhet të analizohen të gjitha këto pengesa dhe si t’i largojmë këto pengesa, sepse disa nga problemet janë edhe për prodhuesit e Shqipërisë të cilët dëshirojnë të eksportojnë në Kosovë. Barrierat jo tarifore, procedurat e zhdoganimit, janë disa nga barrierat të cilat i kanë prodhuesit. Pagesa e skanerit, noterizimi i analizave, pagesa në rrugën e kombit, pagesa e terminaleve në Kosovë nga prodhuesit e Shqipërisë, të gjitha këto kanë kosto të cilat rritin koston e produkteve dhe e ulin konkurrencën e produkteve të Kosovës dhe Shqipërisë”, tha ai.

Një problematikë tjetër, sipas Panxhes, janë edhe deklaratat që ai i quajti të pamatura të politikanëve që i dëmtojnë bizneset shumë, duke përmendur një rast kur një politikan nga Shqipëria ka goditur cilësinë e miellit nga Kosova. Ai tha se nuk është e drejtë që një politikan të bëjë deklarata të tilla, pasi është inspekorati që e kontrollon cilësinë e produkteve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat