Veliera, projekti që transformon imazhin e Durrësit

Durrësi

Veliera, projekti që transformon imazhin e Durrësit

Më: 13 qershor 2018 Në ora: 14:44
Ilustrim

Veliera në Durrës është një ndërhyrje që do të transformojë jo vetëm një zonë, por imazhin e një qyteti të tërë.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në prezantimin e projekteve të reja për qarkun e Durrësit.

Rama u ndal në projektin e transformimit në bashkinë e Durrësit, atë të velierës, ndërsa kërkoi që të marrë fund maskarada e organizuar politikisht kundër saj.

“Shpresoj shumë që të marrë fund maskarada e organizuar politikisht, përmes disa sharlatanëve që vetëquhen mbrojtës të ambientit, për të bllokuar një prej projekteve që kush e ka kundërshtuar do ta mohojë, velierën”, tha Rama.

Kryeministri kërkoi që puna të vazhdojë dhe sezonin e ardhshëm dhe Veliera të jetë aty jo vetëm për të transformuar Durrësin nga pikëpamja e ndotjes së trafikut dhe shëmtisë, por edhe është kthyer në magnet për turizmin.

“Më vjen shumë keq për ato që kanë ndodhur kundër këtij projekti. Ky është turpi i atyre që e kanë orkestruar, përfshi edhe ata që janë bërë palë në sistemin e ashtuquajtur të drejtësisë kundër këtij projekti. Ata janë përfshirë në një histori të turpshme, histori tipike kur ka diçka të re që thyen marrëdhënien me të shkuarën dhe hap dritare për të ardhmen”, tha Rama.

Ai solli në vëmendje edhe reagimet kundër ndërtimit të Parkut të Lojërave te diga e liqenit në Tiranë, apo reagimet kundër ndërtimit të Stadiumit të ri Kombëtar, që sipas Ramës, “është i standardeve më të larta europiane dhe më të bukur të Europës”.

“Duam që të përfundojmë Velierën, të transformojmë shëtitoren bregdetare të Durrësit dhe ta bëjmë të së njëjës cilësi dhe standard me atë të Vlorës dhe Himarës. Duam të krijojmë një energji komplet të re në Durrës me Velierën në hyrje, Sfinksin në fund dhe në drejtim të detit me terminalin e pasagjerëve të krocerave”, tha Rama.

Nëse Veliera do të ishte përfunduar, Rama shprehu bindjen se Shqipëria do të kishte 4  projekte finaliste në Çmimin Europian për Hapësirën më të Bukur Publike.

“Nga 470 qytete europiane në konkurs ne jemi vendi i vetëm me 3 projekte finaliste: Sheshi “Skënderbej”, Lungomare dhe shëtitorja e Himarës”, tha Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat