Adoleshentja lind fëmijën në mes të lulishtes në Durrës - Bota Sot
Adoleshentja lind fëmijën në mes të lulishtes në Durrës

Durrësi

E mërkurë, 19 shtator 2018

Adoleshentja lind fëmijën në mes të lulishtes në Durrës

Më: 22 prill 2018 Në ora: 22:52
Durrës

Mekja 15-vjeçare u bë nënë me djalë.

Dhimbjet e lindjes e kapën në lulishten pranë pallatit të kulturës në Durrës. Në këtë lulishte, Mekja, bashkëshorti, motra e saj me katër fëmijë, nëna me fëmijë të vegjël po ashtu, e vëllezërit e saj, kanë mbi katër net e katër ditë që qëndrojnë këtu. Këtu flenë, hanë, pijnë, lypin dhe po në lulishte kryejnë edhe nevojat fiziologjike. Në qiell të hapur po qëndron edhe më i vogli i fisit Alushi, i cili pasi doli nga materniteti i Durrësit, si banesë të parë të tij njohu lulishten, ndërsa shtrat, barin e njomë të pranverës.

Mbi 30 veta të fisit Alushi që i përkasin komunitetit rom, pjesa më e madhe fëmijë të vegjël, mbërritën nga Kosova në Durrës. Ata kishin qëndruar disa muaj në Kosovë për të lypur, ndërsa me ngrohjen e motit u kthyen në Shqipëri. Njëri prej djemve tha se banesat i kanë në fshatin Drizë të Fierit, por meqënëse nuk kanë as ujë as drita e asnjë kusht për të qëndruar në shtëpi, gjithë fisi lëviz nga një qytet në tjetrin dhe mbijetojnë vetëm duke lypur.

Çështja problematike qëndron te fëmijët sepse asnjë prej tyre nuk shkon në shkollë, as në ciklin para shkollor e as në atë të detyrueshëm. Vajzat e këtij komuniteti martohen që 13 apo 14 vjeçe, dhe fëmijët i lindin nëpër lulishte dhe nuk kanë asnjë kusht për t’i rritur si fëmijët që kanë të drejtat e tyre. Për më tepër që fëmijët e këtij komuniteti përdoren nga më të rriturit për vepra të ndryshme penale, duke rënë pre e trafikimit të tyre.

Asnjë përfaqësues i asnjë institucioni nuk i vizitoi gjatë këtyre ditëve që fisi Alushi me fëmijë nga 0 deri në 10 vjeç flejnë jashtë në lulishte, nëse kanë apo jo nevojë për ndonjë ndihmë, qoftë edhe ushqim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test