Miqësia e Ali Pashës me Napoleonin e Francës

Dokumentare

Miqësia e Ali Pashës me Napoleonin e Francës

Më: 10 dhjetor 2009 Në ora: 18:37

Kur Napoleoni, me fitoren në Austerlitz dhe me traktatin e Petersburgut, në Dhjetor 1805, e ktheu balancën e Evropës nanë të tij, Ali Pasha vrapoi të hynte në marrëdhënie me të, por pa i këputur lidhjet me anglezët. Napoleoni e priti mirë afrimin e Ali Pashës, sepse ky mund t’i shërbente për t’u marrë rusëve ishujt jonianë. Pastaj, si frengët edhe anglezët e dinin që Ali Pasha bënte politikën e tij, të pavarur nga Porta e Lartë. Kështu Franca dërgoi në Janinë më 1806 një konsull të përgjithshëm, François Pouquevill, i cili i solli Aliut fjalë të mira nga anë e Perandorit, duke i premtuar edhe ishullin e Korfuzit në rast se do tu merrej rusëve. Me ndërmjetësimin e Francës, Porta e Lartë i bëri disa lëshime Ali Tepelenës dhe emëroi dy djemtë e tij, Myfta Pashën dhe Veli Pashën, si mytesarifë në sanxhaqet e Lepantit e të Moresë. Pas Gjin Bua Shpatës, Ali Tepelena është i dyti shqiptar që e ka shtrirë sundimin e tij gjer në Jug të Greqisë.

Prishja edhe me francezët

Por miqësia e Aliut me Francën nuk vazhdoi shumë kohë. Pas fitoreve të tjera që pati Napoleoni mbi rusët në Eylau e në Friedland dhe me paqen e Tilsit, në korrik 1807, ishujt jonianë dhe Parga kaluan përsëri nën sundimin Francës. Ali Pasha dërgoi një përfaqësues pranë Napoleonit për ti kërkuar Korfuzin, sipas premtimit, por ajo fjalë ishte harruar… Përkundrazi, francezët i kërkuan Aliut edhe Butrintin, por ai nuk ua lëshoi.

I pakënaqur prej Francës, Ali Pasha hyri përsëri në marrëveshje me anglezët, ndonëse këta ishin atëherë në gjendje lufte me Turqinë. U premtoi ndihmën për dëbimin e francezëve nga ishujt jonianë duke kërkuar për vete Pargën dhe ishullin e Santa-Maurës. Pas nënshkrimit të Paqes ndërmjet Anglisë dhe Turqisë më 1809, Aliu i vazhdoi bisedimet më lirisht, duke dërguar në Londër një njeri të tij të besuar. Anglezët, sipas zakonit, i dhanë premtime të mira, po kur i pushtuan ishujt jonianë, disa vjet më vonë, si lëshuan gjë Aliut. Mbasi deshën ta kishin si një aleat kundër Francës, i dërguan ca armë e municione dhe pak më vonë ca topa e varrela baruti, duke e përkrahur njëkohësisht edhe pranë Portës së Lartë.

Ndërmjet vjetëve 1808-1812, Ali Tepelena futi nën sundimin e tij gjithë Shqipërinë e Jugës dhe të Mesmen dhe më shumë se gjysmën e Greqisë. Disa kryengritje të shtytura prej francezëve në Greqi dhe në Shqipëri i shtypi si të tjerat. Sulmoi Beratin duke e rrahur me artileri dhe e shtrëngoi Ibrahim Pashën të largohej në Vlorë, të nënshtrohej dhe të dërgonte në Janinë të birin si peng. Më në fund e kapi dhe e hodhi në burg, megjithëse ishte i vjehrri i dy të bijve. Ndoshta do ta kishte vrarë sikur të mos druante zemërimin e Stambollit. Shkatërroi gjithashtu lidhjen e bejlerëve të Çamërisë, e cila udhëhiqej nga Hasan Çapari dhe Islam Pronja. Këta të dy u dorëzuan dhe iu shtruan burgut të Janinës. Në të njëjtën kohë Aliu iu vërsul Himarës, të cilën e nënshtroi. Francezët protestuan në Stamboll kundër këtyre veprimeve të Aliut dhe Napoleoni kërcënoi Portën e Lartë. Zgjerimi i fuqisë së Ali Tepelenës formonte një rrezik për pozitat e tyre në ishujt jonianë. Por Aliu nuk dëgjoi nga këto profka dhe vazhdoi në udhën e tij. Mbasi pati shtirë në dorë Beratin me Gjirokastrën dhe disa feudalë të tjerë aty-këtu, francezët u përpoqën vazhdimisht ti shtynin kundër Aliut, por ky e theu Mustafa Pashën e Delvinës, më 1811, e pushtoi atë qytet dhe Gjirokastrën, e disa muaj më vonë, në shkurt të vitit 1812, u dha grushtin e fundit kundërshtarëve të tij, të cilët ishin mbledhur në fortesën e Kardhiqit. Se sa u zemëruan francezët për këto veprime, kuptohet nga shkrimet e konsullit të tyre në Janinë, Pouqueville, të cilat janë plot helm e mllef jo vetëm kundër Ali Pashës, po edhe kundrejt shqiptarëve në përgjithësi.

I masakroi sepse ia kishin sharë nënën Ali Pashës

Nga krimet më shtazarake të Ali Tepelenës gjatë atyre vjetëve janë prishja e Hormovës dhe e Kardhiqit. Këto fshatra i kishin bërë një fymje së ëmës kur Aliu ishte i vogël, e prandaj ruante një urrejtje të thellë. Për t’i mbledhur tok të gjithë burrat e Kardhiqit, vajti gjoja për tu pajtuar me ta, i thirri, i mori me të mirë, dhe pastaj u dha urdhër ushtarëve: “Vritni!” Aty u zhvillua një skenë nga më të dhembshmet. Ushtarët shqiptarë që kishte me vete, toskë edhe mirditas, nuk pranuan të shtinin kundër njerëzve të çarmatosur. Aliu i tërbuar kërcënoi, përplasi këmbët, shtrëngoi grushtet, ulëriu, shkumëzoi, por ata nuk e dëgjuan. Më në fund u paraqit Thanas Vaja me një trupë grekësh, që e kryen atë shërbim xhelati duke vrarë lart nga 800 burra të Kardhiqit. Me të njëjtën lehtësi Ali Tepelena, si një bishë e etshme për gjak, u preu kokën gjithë bejlerëvet që mbante në burgun e Janinës, pa kursyer as Mustafa Pashë Delvinën, për të cilin kishte ndërhyrë Stambolli.

Duke përfituar nga pazotësia e Ibrahim Pashë Bushatit, nga pakënaqësitë që ai shkaktoi në Shqipërinë e Mesme e të Veriut dhe nga turbullimet që plasën në Shkodër pas vdekjes së tij, Ali Tepelena ndërhyri nato vende, me intriga e ryshfete, për ti lidhur me pashallëkun e Janinës. Bëri për vete disa nga sundimtarët e Shqipërisë së Mesme deri në Krujë, u mundua të gjente përkrahës në Dibër e Mat dhe tafronte kapidanin e Mirditës, Prenk Lleshin. Kështu, më të shumtët e feudalëve të Shqipërisë së Mesme iu nënshtruan Ali Pashë Tepelenës, sundimi i të cilit arrinte prej Shkumbinit gjer në Moré të Greqisë.

Kur qeverisjen e Shkodrës e mori në dorë Mustafa Pashë Bushati, Ali Tepelena lidhi krushqi me këtë duke i dhënë për grua të mbesën, Aishe Kadënën, të bijën e Veliut. Po nusja vdiq pas pak kohe, thuhet se e helmuar prej të vjehrrës, e cila dyshonte se mos mbesa e Ali Tepelenës kishte ardhur për të helmuar të birin. Mustafa Bushati, ose Kara Mustafa Pasha, siç është quajtur, për të mbrojtur pashallëkun e tij prej ndërhyrjet e Aliut, kërkoi të afrohej sa më shumë me Stambollin. Porta e Lartë përfitoi nga ky rivalitet midis dy pashallarëve më të mëdhenj të Shqipërisë për të shtytur Bushatlinë kundër Ali Tepelenës dhe Gegët kundër toskëve. Më 1815, Sulltani i dërgoi Mustafa Bushatit titullin “Vezir” edhe e ngarkonte me detyrën e valiut mbi sanxhaqet e Shqipërisë veriore gjer në Elbasan e në Ohër. Nga ana tjetër, Ali Tepelena e kuptonte se pashallëku i Shkodrës ishte një kockë e fortë për tu gëlltitur, prandaj të dy kundërshtarët vazhduan ta shikonin shtrembët njëri-tjetrin, por pa luajtur vendit e duke qëndruar secili në cakun e vet.

Vijon

P.S. Marrë nga libri “Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë” të prof. Abas Ermenjit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat