Sulejman Zalla, mësuesi rebel që u përball me Esad Pashën

Dokumentare

Sulejman Zalla, mësuesi rebel që u përball me Esad Pashën

Më: 5 mars 2013 Në ora: 22:08

Do të përplasej me turkoshakët, me atë që thërrisnin “Dum Babën”, me Esad Pashën, shumë më vonë me regjimin komunist… Gjithçka për arsimin shqiptar. Në hapësirën Krujë, Tiranë e Durrës do të kujtohet gjithmonë me respekt figura e veteranit të shquar të arsimit kombëtar, Sulejman Zalla, i cili zemrën, shpirtin, aftësitë mendore e fizike si rrallëkush ia kushtoi zgjimit të popullit, edukimit të tij. Po mbushen afro 50 vjet që ai s’është më midis nesh, por vepra e tij në të mirë të gjuhës e të shkollës shqipe ka zënë vend nderi në historikun e arsimit.
Sulejman Zalla u lind në 1892, në qytetin e lashtë të Krujës. Dëshira e madhe për dije, zgjuarsia e rrallë natyrore dhe puna e tij këmbëngulëse bënë që ta mbaronte shkëlqyeshëm shkollën fillore në vendlindje. Solidariteti për këtë adoleshent shumë premtues qe i madh: bashkëqytetarë të tij krutanë kontribuuan materialisht që ai të ndiqte Normalen turke në Shkodër. Ishte koha e premtimeve “lumë” nga xhonturqit, si edhe i miratimit të Alfabetit të Manastirit. Djaloshi ra në kontakt me patriotë shkodranë, të cilët e brumosën me ndjenja të thella atdhedashurie. Kthimi në vendlindje e bëri që veprimtarinë e filluar ta ndiqte me përkushtim. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Sulë Zalla i drejton një lutje Prefekturës së Durrësit, e cila e emëron mësues në zonën e thellë të Ishmit.
I ndodhur në veri të qarkut dhe vetëm 30 kilometra larg nga kryeqendra e tij, Durrësi, komuna e Ishmit më fshatrat e saj përmendet që herët në histori për atdhedashuri, mikpritje dhe bujari. Në skajin verior, në Kepin e Rodonit, që laget nga deti Adriatik, ndodhet kalaja e përmendur e Skënderbeut. Terreni i vështirë, kodrinat e thepisura, mjedisi i mbuluar me pyje të dendur e të pakalueshëm, e bënë të famshëm trimin Ibrahim Kërtusha, i cili me komitët e tij, për një kohë relativisht të gjatë, paralizoi administratën turke në tërë zonën e Ishmit. Kjo është arsyeja që pas shumë inkursionesh të ekspeditave turke, më në fund çeta e kryetrimit Ibrahim Kërtusha u rrethua. Por, ai nuk u dorëzua i gjallë. Ashtu të vdekur, komandanti turk i pret kokën dhe ia dërgon në Stamboll. Edhe sot e kësaj dite kalojnë gojë më gojë bëmat e paharruara të trimit ishmak, Ibrahim Kërtusha, njeriut me dy varre: njërin në Ishëm dhe tjetrin në Stamboll.
Dhe ja, në këtë krahinë të ashpër e të varfër, por me njerëz atdhetarë e arsimdashës, me entuziazmin e moshës, me çantën me të vetmen abetare që kishte mundur të siguronte dhe me disa fletore e lapsa, arrin në Ishëm djaloshi Sulejman Zalla. Ditën e parë të shkollës, 4 marsin e vitit 1913, e cila ka hyrë në histori si dita e hapjes së shkollës së parë shqipe, pas shpalljes së pavarësisë, në ish-qarkun e Durrësit (që në atë kohë përfshinte Durrësin, Kavajën, Tiranën dhe Krujën), na e përshkruan vetë ai me një pezmatim, që nuk e shleu dot nga kujtesa:
“… mora materialet që kisha sjellë me vete dhe u drejtova në atë që quhej shkollë, ku jepte mësim feje hoxha i fshatit (një anadollak). “Efendi, – i drejtohet postkomandanti hoxhës, i cili as që denjoi të më vështrojë në fytyrë, – këtë njeri na e ka dërgue prefekti i Durrësit me mësue kalamajt shqip…”. Hoxha mblodhi buzët dhe pa u vonue shpërtheu gjithë inat: “Kemi qenë batall me mësue shqip…”.
Në kushtet e një armiqësie të hapur të postkomandantit, hoxhës dhe të fanatikëve vendës (të cilët i mbështeste edhe Esat Pashë Toptani), iu desh të punonte mësuesit patriot, duke pasur vetëm përkrahjen e vegjëlisë dhe të atdhetarit me shumë autoritet, Sheh Adem Rodës. Dhoma e mësimit nuk kishte as banka, as dërrasë të zezë dhe të dyzet fëmijët shkruanin përmbys mbi dysheme. Materialet që kishte siguruar, fletoret, lapsat që i kishte blerë dhe do t’i blinte edhe në të ardhmen me lekët e tij, ua shpërndante falas nxënësve. Por, fushata denigruese ndaj mësuesit të ri do të vazhdonte më e fortë dhe me të gjitha mënyrat, me synimin për ta përzënë me çdo kusht. Mbas çdo ceremonie fetare apo faljeje të zakonshme, hoxha mallkonte mësuesin e ri, duke e quajtur: “Njeri pa fe”, “Kaurr” që po u mësonte fëmijëve “gjuhën e shejtanit”.
Si rezultat i kësaj fushate të egër, nga 40 nxënës, tashmë i mbetën 10 dhe vetëm atëherë Prefektura vendosi transferimin e hoxhës, por ndërhyrja e Esat Pashës e anuloi vendimin. Në këto kushte, fanatikët e tërbuar i organizuan disa prita për ta vrarë, po mësuesin trim e mori në mbrojtje vegjëlia ishmake, e cila i vuri edhe epitetin e bukur e shumë kuptimplotë “Sulë Shqipja”. Ky do të ishte një përgjithësim dhe përjetim mjaft i bukur i punës dhe luftës që bëri ky patriot për të futur mësimin e gjuhës shqipe në zonën e thellë të Ishmit, ku injoranca dhe varfëria ishin ulur këmbëkryq.
Por, Esat Pasha nuk ia fali kurrë mospajtimin me hoxhën e fshatit, prandaj më 1914 e arreston, për muaj të tërë e mban në burgun e Durrësit dhe më pas në atë të Krujës. Këtu rebelët e nxjerrin nga izolimi dhe e marrin me vete me forcë. Por, mësuesi nuk do të pajtohej asnjëherë me parullat anadollake: “Dum Babën!”, “O babë, o bar!”, apo me urrejtjen që shfaqnin ndaj gjuhës dhe shkollës shqipe, së cilave Sulejman Zalla u kishte kushtuar mendjen dhe zemrën. Pas disa kohësh ai iu dorëzua në besë bajraktarit të Mirditës.
Sulë Zalla për vite me radhë u end nëpër Krujë, Prezë, Ishëm, dhe në vitin 1927 vendoset përfundimisht në Shijak, të cilin e deshi njëlloj si vendlindjen e vet, Krujën. “Z. Sula”, siç e thërrisnim të mëdhenj e të vegjël, gjithnjë i papërtuar, stazhin e vet prej 50 vitesh në arsim më tepër e kaloi në fshat.
Pushtimi i vendit nga fashistët e preku thellë mësuesin patriot. Shpejt shtëpia e tij në qendër të qytetit do të bëhej bazë e sigurt e çetës atdhetare të komanduar nga kryetrimi i Shqipërisë së Mesme, kunati i tij, Qemal Deliallisi (të cilit vetëm demokracia i dha vendin e merituar). Këto ishin arsyet që si në punë, ashtu edhe në shtëpi, z. Sula të vëzhgohej nga agjentët e pushtuesit dhe kohë pas kohe të thirrej dhe kërcënohej nga organet fashiste. Madje, me urdhër të Ministrisë së Arsimit merret vendimi që të transferohet në Tuz të Malit të Zi, por që nuk zbatua. Rënia heroike e kunatit, Qemalit, në vitin 1942, nuk e theu dot mësuesin atdhetar.
Pas çlirimit të vendit nga pushtuesit e huaj, si shumë intelektualë të tjerë, edhe mësuesin përparimtar Sulë Zallën do ta zhgënjente demagogjia e “pushtetit të ri demokratik”. Në vitin 1947, bashkë me të vëllanë, Rizanë, arrestohen e torturohen në Hetuesi. Pasi u la ca kohë pa punë, përsëri do të rifillonte detyrën e tij të dashur në fshat dhe më pas, për arsye moshe, do ta vazhdonte edukimin e brezit të ri me atë përkushtimin e vet shembullor në qytet. Kontributi i tij në luftën kundër analfabetizmit është jashtë mase i çmuar në trevën e Shijakut, që në atë kohë përfshinte 64 fshatra. Gjithmonë kërkues ndaj vetes, z. Sula ishte nga ata që përgatitjes së vet metodiko-shkencore të përditshme i jepte rëndësi kryesore. Kjo praktikë pune, e shoqëruar me mjete të shumta didaktike, të cilat i përgatiste vetë, pa lënë mënjanë ekzigjencën e tij ndaj nxënësve, e bënë atë që të përmendej si një nga mësuesit më të mirë të rrethit të Durrësit. E kaluara atdhetare dhe rezultatet e tij të shkëlqyera si edukator bënë që të merrte pjesë në festimet e 50-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë. Gjithashtu, iu dhanë Urdhra Pune të kl. I dhe II.
Sulën-mësues është e pamundur ta veçosh nga Sula-njeri. Këshillat e tij dashamirëse, vërejtjet miqësore me takt, gatishmëria për të ndihmuar pa u kursyer mësuesit e rinj, si dhe humori i rrallë, kujtohen me shumë respekt e dashuri nga kolegët dhe ish-nxënësit e tij. Të moshuarit duhet ta mbajnë mend sesi për dekada me radhë e shndërroi shtëpinë në një çerdhe të vërtetë bamirësie. Zell të jashtëzakonshëm tregonte për arsimimin e popullit. Edhe kur vitet ia rënduan shëndetin, ai nuk përtonte të këshillonte prindërit në qytet edhe fshat që fëmijët t’i lejonin për të ndjekur arsimin e mesëm edhe të lartë. Bashkë me kolegët e tij të nderuar e të paharruar, si Qazim Domi, Abdyl Keçi, Tasim Këlliçi, Gani Keta, Sulë Shtraza, Hamdi Faja, Riza Kurshumi, Asllan Ademi, Tofik Deliallisi, Hamza Vlashi, Mereme Shkodra, Sheje Bajraktari, Hamza Shahini, Mehmet Domi, Bedri, Shefik e Riza Deliallisi, Xheje Arbana, Hasan e Xhyhere Belshaku, Hajro Kore e të tjerë, do të mbeten shembull frymëzimi për brezat e ardhshëm.
Devotshmëria e zotni Sulës për t’i shërbyer me mish e me shpirt punës së nderuar të edukatorit, mbase ka kaluar edhe në legjendë: gjatë 50 viteve të kontributit të tij në arsim ai nuk mungoi asnjë orë mësimi.
Fqinjët tregojnë për pasionin e tij të veçantë për bujqësinë: z. Sula me plot gojë mund të thuhet se si rrallëkush ishte i dashuruar plotësisht pas tokës. Kopshti i tij, që e rrethonte shtëpinë e bukur dykatëshe në qendër të qytetit, ishte shndërruar në një mikrofermë model, të përmendur në të gjithë trevën e Shijakut. Portokallet, limonat dhe zarzavatet e shumëllojshme të këtij kopshti model shpërndaheshin në të gjithë qytetin e në fshatrat panë tij. Çdo mëngjes herët do të punonte në kopsht dhe pastaj nisej për në shkollë. Edhe fëmijët i edukoi me dashurinë për tokën dhe punën fizike.
Z. Sula rriti dhe edukoi me nder 5 vajza dhe 5 djem, të cilët janë krenarë për prindërit e tyre të paharruar, madje disa prej tyre ndoqën profesionin e nderuar të babait. Në gjithë këtë veprimtari të gjatë, atdhetare e pedagogjike, ai pati mbështetjen e gjithanshme të së shoqes, nënë Hatijes (apo Tikut, siç e mbajnë mend shijakasit), të kësaj gruaje të rrallë kurajoze e mikpritëse, motër e trimit të shquar, Qemal Deliallisit.
Besnikë të parimeve atdhetare e humane të të atit, djemtë e z. Sulës u angazhuan fuqimisht që në fillim të proceseve demokratike. Me dekretin Nr. 814, të datës 12.04.1994, Presidenti i Republikës i dha edukatorit atdhetar, rilindësit Sulejman Zalla titullin e lartë “Mësues i Popullit”, me këtë motivacion:
“Për atdhetarizmin e tij të flaktë në drejtim të gjuhës e të shkollës shqipe; për përkushtimin në kryerjen e detyrës fisnike të mësuesit dhe për rezultate shumë të larta në ciklin e ulët, ku shërbeu për 50 vjet radhazi”.

Nikolla Sudar*
(*Historian dhe ish-përgjegjës i Muzeut Historik të Shijakut (1978 – 1997).

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat