Bukureshtarët e Rekës Shqiptare: Matej Danili (1909-1993) - Bota Sot
Bukureshtarët e Rekës Shqiptare: Matej Danili (1909-1993)

Dokumentare

E premte, 22 qershor 2018

Bukureshtarët e Rekës Shqiptare: Matej Danili (1909-1993)

Nga: Baki Ymeri Më: 18 prill 2018 Në ora: 23:54
Matej Danili i Rekës Ortodokse Shqiptare në Bukuresht

Rruga Translivaniia, nr. 28. Mu në qendër të qytetit, përballë godinës së madhe të Radiodifuzionit, gjendet shtëpia ku banonte familja e një rekaliu të prekur nga flatrat e engjëllit. Kur u njohëm për herë të parë me shqiptarin e Rekës Ortodokse Shqiptare, na u fanit parasysh krejt kolonia e shqiptarëve të këtij vendi. Në vend të tij, tani e kemi Todor Priftin në Tetovë, një shqiptar i kulluar që nuk toleron t’i dalë emri në gazetë, nga frika e fundrinave të sllavizuara që e kërcënojnë pse thot se të parët tanë ishin shqiptarë. Stërkuqet kur i kujtohet fakti se serbët para 100 vitesh, stërgjyshin e tij, Priftin e bënë Popoviç, ndërsa koço-komunistët e Shkupit para 60 vitesh, Popoviçin e bënë Popovski. I ati i Matejit, Milan Danili, ishte me prejardhje nga Shtirovica shqiptare që gjendet mes Gostivarit dhe kufirit shqiptaro-shqiptar. U lind ne vitin 1886 dhe erdh në Rumani, atë vit kur Shqipëria e shpalli pavarësinë totale (1912), edhepse po ato vite (1911-1913), Dhelprat e Ballkanit (Serbia dhe Greqia), bënin gara se cila do të gllabërojë më shumë troje nga trojet etnike të “Arnautllëkut” ballkanik.

“Babai im jetoi 58 vjet. Ishte një shqiptar i kulluar. I shndrisnin sytë nga ngazëllimi kur e përmendte dikush Shqipërinë. Kur erdhi në Bukuresht, pat kthyer në kishën e Shumbrisë (Shën Mërisë) në Tetovë (sot: Sfeta Bogorodica), dhe e pat lutur priftin  shqiptar t’i japë Ungjillin shqip, për ta prurë në Bukuresht si një kujtim i shenjtë. Në vend të Ungjillit, prifti ia kishte dhënë Psalterin e Konstantin Kristoforidhit, një përkthim nga ebraishtja e vjetër, i rikënduar me rimë në dialektin geg, që ishte botuar në Konstantinopojë (1872)”. Kështu do të shprehet Matej Danili para 20 vitesh në Bukuresht, në moshën 80 vjeçare.

Së bashku me Nikolla Bojaxhiun e Nënë Terezës dhe rilindës të tjerë, babai i tij militonte qysh ne rini për  krijimin e shtetit shqiptar, siç e parashihnin të parët tanë dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Por, para e të vijë këtu (1912), para se ta helmojne serbët babanë e Gonxhe Bojaxhiut (1919), Milan Danilin e patën burgosur në Beograd. “Mos i paça sytë e ballit në të gënjej!”, thoshte i biri i tij, Matej Danili derisa ishte gjallë. “Të papërshkruara janë persekutimet që pat përjetuar babai im në burgjet e asaj kohe. Para se ta dënojnë, e kishin  nxjerrë para mbretit serb. Ti s’je shqiptar! - i kishte thënë mbreti. “A s’e sheh se nuk ke emër myslimani! Sikur të mos isha shqiptar, do ti kisha nxjerrë sytë. Jam shqiptar dhe dua të vdes si i tillë, - ia kishte prerë Milan Danili, Aleksandrit asokohe, në atë kohë kur Halil Emurllaun e Novo Sellës tetovare e dënuan me 101 vjet burg të rëndë.

Image
Ish kisha shqiptare Shën Maria (Shumbria) e Tetovës

Bibla e Shejtë dhe veprat e Namit e të Samiut në Bukuresht

Pasi kishin verifikuar burimet lidhur me qëndrimin në paraburgim, kur kishin konstatuar se nuk e kishte pranuar fenë e pushtuesit osman dhe nuk e kishte shitur askend si pasojë e karakterit të fuqishëm që kishte, mbreti kishte dhënë urdhër që të lirohet, por me një kusht, që ta braktisë Jugosllavinë.  Me të ardhur në Bukuresht, paralelisht me punët e tregtisë, së bashku me Asdrenin dhe veteranë të tjerë të atdhetarizmit shqiptar, Milan Danili militon edhe këtu për çështjen shqiptare. “E mbaj mend si tani: Në restoranin e babait tim, në Kalea Moshilor, pos Asdrenit, vjente Aleko Vançi, Visar Dodani, Dhimitër Kristo Rëmbeci, gostivarliu Llukë Llokmani, korçarë, kërçovarë, tetovarë, kosovarë. Psalterin e Kristoforidhit ia kishte marë një shqiptar i Brailës, babai i Florentina Bocit. Pata fat ta njoh Florentinën, e cila ma dhuroi këtë vepër të vjetër e të rrallë, tashmë pronë e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në koleksionin tim.

Matej Danili theksonte se “Përveç  Ungjillit, respektivisht Biblës së Shejtë, babai im mbante në sertar Shqipërinë e Samiut dhe librat e Naimit, të botuara në Bukuresht. Para se të vijmë këtu, Lufta e parë më pat kapluar në Sofje, në moshën tetëvjeçare. Bullgarët asokohe nuk kishin kurrfarë urrejtjeje ndaj nesh. Sa për sivëllezërit tanë nga Kosova dhe Maqedonia, nuk mund të them gjë. Më vjen keq për ta. Edhe si pasojë e emrit, edhe si pasojë e fesë, edhe si pasojë e trimërisë, në 100 vitet e fundit patën përjetuar tmerre të mëdha, arrestime, tortura, deportime, masakrime. Në Sofje fuunksionte një shtypshkronjë dhe një shoqëri e fuqishme shqiptare. Ishte kohë e mbretërisë asokohe. Komunizmi  ende nuk e kishte depersonalizuar shpirtin e njeriut. Edhe pse ishte krizë, bullgarët  na jepnin më parë neve miell, e pastaj bullgarëve”.

Asdreni vjente rregullisht në shtëpinë tonë

Rrëfimet e Matej Danilit na duken sa të sinqerta, po aq interesante. Disa i kemi bërë publike, do tjera i publikojmë për herë të parë. Ishte njëri ndër shqiptarët më të bukur të Bukureshtit. Në albumet e tij defilojnë fotografitë e 300 vajzave me të cilat ishte njohur para se të martohet. Bashkëshortja e tij, Zonja Tika, rumune është prezente përmes buzëqeshjes së saj karakteristike, në një numër fotografishë të panumërta. Mateji njihte gjashtë gjuhë ballkanike dhe kishte marrë pjesë aktive në shoqëritë e këtushme shqiptare. Sipas Thanas Kristo Rëmbecit, Matej Danili njihej si valltari më i mirë i valleve shqiptare te Bukureshtit. Në disa fotografi dallohet përmes kostumeve kombëtare të Rekës. “Asdreni vjente rregullisht në shtëpinë tonë. Fliste rrallë e për mallë. Babai im thoshte se fjala e Asdrenit peshonte 100 karate. Ardhja e tij te ne ishte një sihariq i madh për krejt familjen. Dukej si një tip asketik, nuk e kam parë kurrë me ndonjë femër, edhe pse në poezi e hymnizonte dashurinë. Mbaj mend pos Asdrenit edhe Filip Manon, Nikollaq Zoin, Dhimitër Paskon, Stelian Eftimiun (vëllaun e Viktor Eftimiut). Steliani fliste shqip njësoj si ne, ndërsa Viktori nuk e dinte gjuhën amtare pos disa fjalëve, ngase pat ardhur këtu qysh si fëmijë.”

Dhimitër Kristeku, sipas Matej Danilit, dallohej përnga atdhetarizmi i tij i shenjtë. I frekuentonte edhe ai ballot shqiptare të Bukureshtit. I ndihmonte bashkatdhetarët dhe arumunët që vinin këtu, për të studjuar apo për të punuar”. Si shumë bij e bija rilindasish, edhe Matej Danili ka vajtur në botën e hijeve. Jetoi deri para disa vitesh bashkëshortja e tij e moshuar, zonja Tika, mamaja e dy gocave që kanë studjuar medicinën. Njëra jeton në Bukuresht, ndërsa më e vogla, Daniela, punon si stomatologe në qytetin multietnik të Dobruxhes, në Mexhidi, atje ku prehen eshtrat e rilindësit më të shquar shqiptar të kësaj krahine: Dr. Ibrahim Temo. Matej Danili e mbante mend edhe bashkatdhetarin e tij nga Dobërdolli mes Tetovës e Gostivarit. Ramiz e quanin dhe ishte nga familja e Lekëve, përndryshe familjar i Xhemal Ahmetit, alias Jon Lekës.

Komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test