27 nëntori në histori

Dokumentare

27 nëntori në histori

Më: 27 nëntor 2016 Në ora: 07:48
Papa Gjon Pali II

8 pes - Vdiq Horaci, poet romak, lindur më 64 pes si Quintus Horatius Flaccus, i njohur në periudhën e kalimit të Romës nga republika në perandori. Odet e tij janë cilësuar si të vetmet vargje latine që ia vlen të lexohen jo vetëm për përmbajtjen por edhe për hijeshi, dhe përzgjedhje.

176 - Perandori Markus Aurelius i jep djalit të tij, Komodus, gradën e gjeneralit dhe e bën komandant të lartë të legjioneve romake. Filmi “Gladiator”, me drejtor Ridley Scott dhe aktorët Russell Crowe dhe Joaquin Phoenix, e merr temën nga kjo ngjarje, megjithëse devijon nga e vërteta historike.

602 - Perandori romak bizantin Maurice detyrohet të shikojë ekzekutimin e 6 djemve të tij, para se edhe atij t'i pritej koka; trupat e tyre u hodhën në det dhe kokat u ekspozuan në Konstandinopojë; bashkëshortja Konstantina dhe tre bijat e tyre u vendosën në një manastir. E gjithë kjo ndodhi, pasi Maurice dekretoi qëndrimin e ushtrisë gjatë dimrit përtej Danubit, për të ndalur valën e fiseve nga lindja, por ushtarët të lodhur nga disa muaj luftimesh dhe në prag të dimrit, u rebeluan.

1095 - Në Këshillin e Klermontit, Papa Urban II shpalli kryqëzatën e parë (1096-1099), e cila filloi si një pelegrinazh i përhapur në Francë dhe Gjermani dhe përfundoi si një fushatë ushtarake nga Evropa katolike romake për të rimarrë tokat e Shenjta nën kontrollin mysliman. Kjo kryqëzatë përfundoi me rimarrjen e Jeruzalemit më 1099.

1895 - Në Klubin suedez - norvegjez në Paris, Alfred Nobel nënshkruan testamentin e tij, duke ndarë mënjanë një fond për Çmimet “Nobel”, që do të themeloheshin pas vdekjes së tij.

1912 - Në Durrës, shqiptarët ulin flamujt e perandorisë osmane dhe ngrenë në ndërtesat qeveritare flamurin e Skënderbeut me fushë të kuqe me shqiponjën e zezë dy krerëshe. Funksionarët osmanë që refuzuan të njohin këtë ndryshim u përjashtuan nga zyrat e tyre.

1991 - Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miraton rezolutën 721 të Këshillit të Sigurimit, që hap rrugën për fillimin e operacioneve paqeruajtëse në Jugosllavi.

2004 - Papa Gjon Pali II i kthen Kishës Ortodokse Lindore reliket e Shën Joan Gojartit dhe Shën Gregor Theologut.

2005 - Kryhet transplantimi i parë i pjesshëm i fytyrës njerëzore në një spital në Amiens të Francë. Pacientja iu nënshtrua operacionit për të zëvendësuar fytyrën, e cila ishte dëmtuar rëndë nga një qen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat