Çfarë ka ndodhur më 16 nëntor?

Dokumentare

Çfarë ka ndodhur më 16 nëntor?

Më: 16 nëntor 2016 Në ora: 07:30
Fjodor Dostojevski

534 – Botohet Kodi i Justinianit, një koleksion veprash bazë të jurisprudencës, i hartuar me urdhër të perandorit romak lindor Justiniani i parë. Kodeksi ose Kodi Civil është një përmbledhje e përzgjedhur e akteve ligjore të perandorisë romake. Kodi është pjesa e parë e Corpus Juris ose Trupit të Ligjit Civil, ku përfshihen edhe “Pandectae” ose pjesë kryesisht të shkurtra nga shkrimet e juristëve romakë; dhe “Institute” që përmban elemente të rëndësishme konceptuale ligjore. Të tre Librat e Corpus Juris përbënin burimin e vetëm të referencave ligjore për gjykimin e çështjeve. Gjatë periudhës së tij si perandor, Justiniani miratoi edhe ligje të reja të cilat u përmblodhën në një libër të katërt të Jurisprudencës, të quajtur Novellae (të reja)

1272 – Ndërsa në udhëtim për Kryqëzatën e nëntë, princi Eduard bëhet Mbret i Anglisë pas vdekjes së Henrit III, por ai nuk do të kthehet në Angli për gati dy vjet për të marrë fronin.

1776 – Revolucioni Amerikan: Provincat e Bashkuara (Vendet e ulëta) njohin pavarësinë e Shteteve të Bashkuara.

1793 – Revolucioni francez: 90 priftërinj katolikë të dyshuar si anti-republikanë ekzekutohen duke u mbytur në lumin Nantes.

1828 – Lufta Greke e Pavarësisë: Protokolli i Londrës përcakton krijimin e një shteti autonom grek nën sovranitetin osman, duke përfshirë edhe Morenë dhe Cyclades.

1849 – Një gjykatë ruse dënon Fjodor Dostojevski me vdekje për veprimtari anti-qeveritare si pjesëmarrës në një grup intelektualësh radikalë; dënimi i tij u kthye më pas në punë të rëndë të detyruar. Kritikët thonë se kjo periudhë ndikoi thellësisht në formimin e Dostojevksit, duke e bërë atë një shkrimtar thellësisht analitik shpirtëror, filozof e psikolog.

Librat e Dostojevskit janë përkthyer në më shumë se 170 gjuhë. Ai ka ndikuar një numër shkrimtarësh e filozofësh, përfshi Anton Chekhov, Ernest Hemingway, Friedrich Nietzsche dhe Jean-Paul Sartre. Së bashku me Tolstoin, Dostojevski është konsideruar shpesh si një nga shkrimtarët më të mëdhenj dhe më me ndikim të Epokës së Artë të letërsisë ruse. Albert Einstein e cilëson Dostojevksin në letërsi si më të madh se Carl Friedrich Gauss në matematikë, duke e quajtur një “shkrimtar të madh fetar që hynë thellë në misterin e ekzistencës shpirtërore”.

1907 – Territori i banorëve indianë dhe territori Oklahoma bashkohen për të formuar Oklahomën, shtetin e 46-të SHBA-së.

1914 – Hapet zyrtarisht Banka e Rezervës Federale të Shteteve të Bashkuara.

1940 – Holokausti: në Poloninë e pushtuar, nazistët izolojnë nga bota e jashtme geton e re të Varshavës.

1945 – Ndërsa lufta sapo kishte mbaruar, përfaqësues nga 44 shtete u mblodhën në Londër për të “ndërtuar paqe në mendjen e njerëzve”, për të krijuar një organizatë që do të mishëronte një kulturë të mirëfilltë paqeje, mbështetur në solidaritetin intelektual dhe moral të njerëzimit për të parandaluar shpërthimin e një lufte tjetër botërore. Nga kjo konferencë lindi UNESKO, akronim në anglisht për Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë. Kushtetuta e UNESCO-s, nënshkruar më 16 nëntor 1945, hyri në fuqi një vit më vonë, pas ratifikimit nga njëzet vende: Australia, Brazili, Kanadaja , Kina, Çekosllovakia, Danimarka, Republika Dominikane, Egjipti, Franca, Greqia, India, Libani, Meksika , Zelanda e Re , Norvegjia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut , Turqia, Britania dhe Shtetet e Bashkuara. Sesioni i parë i Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s u mbajt në Paris nga 19 nëntor-10 dhjetor 1946 me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga 30 vende me të drejtë vote.

1990 – Në grup qytetarësh, shumica të rinj morën nismën e guximshme për të hapur xhaminë e Plumbit në Shkodër për të falur xhumanë, për të ripërtërirë fenë, për të rifituar të drejtën e ushtrimit të lirë të besimit fetar. Një rol të rëndësishëm në këtë veprimtari luajti imam Hafiz Sabri Koçi – i burgosur për 20 vjet, deri më 1986, për arsye të besimin e tij fetar. Kjo veprimtari ku morën pjesë rreth 50 mijë vetë nga Shkodra e fshatrat për rreth, pasonte meshën e pak ditëve më parë, të besimtarëve katolikë shkodranë, të udhëhequr nga Dom Simon Jubani, bashkëvuajtës në burg me imam Hafiz Sabri Koçin. Këto ndodhnin në nëntor 1990, ende nën kërcënimin e diktaturës komuniste, dhe kur njerëzit e një besimi frymëzonin ata të besimit tjetër, duke përcjellë mesazhin se të gjithë njerëzit e Zotit janë vëllezër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat