Malësia e Gjakovës-djepi i atdhedashurisë

Dokumentare

Malësia e Gjakovës-djepi i atdhedashurisë

Nga: Prof.dr.Bahri Brisku Më: 16 gusht 2016 Në ora: 11:03
Foto arkiv

Malësia heroike gjatë luftës nuk u kufizua vetëm në trollin e sajë, por ka marrë pjesë aktive në fushën e luftës në Kosovë dhe pjesët e saja nën administratën e Malit të Zi dhe të Maqedonisë. Luftime të ashpra kundër bandave titisto-drazhiste u zhvilluan sidomos në afërsi të Plavës dhe Gucisë.

Në verilindje të Atdheut tonë, në mesin e Bjeshkëve të Nemuna shtrihet Malësia e Gjakovës,e cila dikur para vitit l913 ishte pjesë përbërëse e Kosovës. Kjo krahinë të gjitha marrëdhëniet tregtare, shoqërore dhe politike i kishte me Kosovën e sidomos me qytetin e saj-Gjakovën, ku për këtë arsye është quajtur “Malësia e Gjakovës”. Flaka e 7 Prillit 1939, pushtoj Atdheun në tërësi, Italia fashiste tentoi ta zhduk nga harta e Ballkanit. Italianët hynë, por jo pa gjak të bijve dhe bijave më të mirë të popullit shqiptar. Brigjet e Adriatikut lindin një Skënderbeg të ri-Mujo Ulqinakun, heroin e rezistencës i cili me një grusht patriotësh i detyruan hordhitë fashiste të tërhiqeshin disa herë në det.

Në këto luftime ranë heroikisht dëshmorë kapteri i marinës Mujo Ulqinaku dhe shumë patriot të tjerë.

Pushtimi fashist i Shqipërisë ishte përfundim logjik i mos aftësisë politike, i servilizmit të mbretit Zog ndaj Italisë fashiste, por edhe i mos ndërhyrjes të demokracive perëndimore,të cilat pranuan të sakrifikonin lirinë dhe pavarësinë e popujve të vegjël për të kënaqur oreksin e shteteve fashiste të kohës.  Orvatja e okupuesve fashist për ta detyruar popullin shqiptar që ta njohin pushtimin dhe t’u bindej ligjeve e urdhrave të Musolinit qe e pa sukses. Lufta e shqiptarëve kundër agresorëve fashist nuk pushoi as një here.

Fashistet italian ndeshën gjithkund dhe në çdo kohë në qëndresën e popullit shqiptar, te të cilët ishte ngjall urrejtja kundër pushtuesve.

Me 07.04.1941, Hasan Isuf  Zherka, duke sulmuar dhe asgjasuar plotësisht postbllokun e ushtrisë fashiste në Qafë Stoberdë jep sinjalin e parë të kryengritjes së armatosur në Malësi të Gjakovës, me ç’rast Malësia i priti dhe i përzuri me pushkë në dorë përtej Drinit forcat fashiste.

Ndjenja e lartë e patriotizmit në luftë për bashkimin e tokave shqiptare brenda kufijve etnik i fuqizoj Malësorët e Malësisë së Gjakovës që të vazhdonin luftën e tyre për liri, përkrah vëllezërve.

Me 06. shtator 1943, Malësia, Hasi dhe Reka (5.000 vetë) të prirë nga Hasan Kryeziu, Ramë Mujë  Hoxha Mehmet Ali Bajraktari, Haxhi Bajraktari dhe Zenel Hoxha sulmuan barrikadat  e armikut në Gjakovë, ku pas dy ditësh forcat çlirimtare shpartalluan ushtrinë e madhe italiane dhe me 8 shtator çliruan Gjakovën. Çlirimi i Gjakovës nga fashistët Italian ishte një sihariq i madh për të gjithë shqiptarët,e posaçërisht për Malësorët, të cilët 30 vjet më parë ishin nda me dhunë nga qyteti i tyre Gjakova.

Ky gëzim ishte i pa përshkruar, luftëtarët e lirisë u pritën me duar hapur nga i gjithe populli vlla Kosovarë. Me fjalime të shkurta popullin e përshendetën Ramë Mujë Hoxha dhe Hasan Kryeziu. Populli i Malësisë së Gjakovës, ashtu sikur mbarë populli shqiptar nuk e shikuan me simpati luftën “e përbashkët shqiptaro-sllave”,e cila luftë kishte për qëllim përforcimin dominues serbo-malazias-maqedon në Kosovë,dhe njëherit skllavërimin e Shqipërisë politike,duke dashur ta fusin atë brenda të ashtu quajturës federatë jugosllave.

GANI KRYEZIU, i cili por sa ishte kthye nga kampi i shfarosjes Ventotteno e Italisë ku kishte qenë i internuar dhe i dënuar për vdekje,duke parashikuar se Atdheut po i kanosej rreziku i dyfishtë nga politika skllavëruese serbomadhe, arriti në malësi të Gjakovës në Nëntor të vitit 1943 së bashku me ish anëtarin e internacionales z.Lazar Fundo dhe Emisionin Ushtarak Anglez. Pas arritjes në Malësi Gani Kryeziu me 9 gusht 1944 i drejtohet popullit të Kosovës me një proklamatë në ku thuhet: Kosovarë, Gjermania e humbi luftën. Së shpejti ushtria gjermane do të kapitullojë ashtu siç kapitulloi edhe ushtria italiane,ndërsa qeveritë aleate në konferencën e paqes-do ta caktojnë fatin e popujve të botës. Për të dalë ballëhapur dhe për ta fituar të drejtën tonë në atë konferencë, ne, shqiptarët- e posaçërisht Kosovarët-duhet t’i dëshmojmë aleatëve se jemi të aftë me luftue për lirinë tonë, dhe se kemi të drejtë me qenë komb i lirë dhe i nderuar. Për këtë qëllim,ne tash duhet ti rrokim armët për të luftuar kundër okupatorit gjerman dhe hyzmeqarëve të tij.

Qeveria kuislinge në Tiranë dhe paria kosovare hyzmeqare e gjermanëve, e shndërrojnë popullin shqiptar në vegla gjermane dhe e shtyjnë në luftë kundër aleatëve dheshokëve të tyre, por edhe kundër patriotëve shqiptarë, të cilët-sikurse edhe ne, luftojmë për shpëtimin e Shqipërisë. Ne pa ndërprerë kemi përsëritur se bashkëpunimi i partizanëve Kosovarë me UNÇJ është rrugë e gabuar e cila sigurisht do të shpie në gllabërimin e Kosovës.

Ne nuk luftojmë për parti, ne nuk kemi kurrfarë partie. Ne luftojmë për ta çliruar vendin nga okupatorët gjermanë, ne luftojmë që popullit shqiptar t’ia sigurojmë të drejtat e t’ia te aleatët perëndimor. Prandaj, ne dëshirojmë me gjithë zemër të bashkëpunojmë vëllazërisht dhe të luftojmë krah për krah me të gjitha grupacionet dhe partitë, që luftojnë kundër okupatorit dhe hyzmeqarëve të tyre. Dëshirojmë që edhe populli liridashës të bashkëpunojnë me ne derisa ta dëbojmë okupatorin nga vendi ynë dhe derisa Shqipërisë t’ia sigurojë të drejtat e barabarta. Atëherë kur  të bëhet zot i vendit, populli shqiptar do ta ndërtojë Shqipërinë e Re, ashtu siç dëshiron vetë.

Atëherë populli në zgjedhje të lira demokratike do t’ua falë besimin atyre për të cilët konsideron se do ti shërbejnë më së miri vendit. ndaj, derisa të vijë ajo ditë, populli liridashës duhet të luftoj okupatorin në bashkëpunim të sinqertë me aleatët tonë perëndimor. Çfarëdo përçarje në mesin tonë, shkakton vëllavrasje dhe dobëson forcën tonë goditëse ndaj okupatorit.

Vetëm uniteti mbarëshqiptar mund ta ngritë në këmbë popullin kundër okupatorit,sidomos popullin e Kosovës. Vetëm uniteti mundet me vendosë themelet e një Shqipërie të lirë dhe demokratike. Prandaj ne thërrasim të gjithë shqiptarët kudo që janë - tërë popullin e Shqipërisë dhe të Kosovës- që të bashkohet dhe ta bëjnë luftën e përbashkët kundër gjermanëve dhe shërbëtorëve të tyre.

Koha nuk prêt.Ose sot ose kurrë. Ardhja e Gani Kryeziut në Malësi të Gjakovës dhe proklamata e tij fuqizoj idenë për bashkimin e të gjitha forcave patriotike të vendit, në një front të përbashkët antifashist.Si rezultat konkret i përpjekjeve të t’ia ishte formimi i shtabit të ”Djemëve të Shqipës”- me qendër të përkohshme në Vlad(zonë e malësisë së Gjakovës), dhe zgjerimi i çetave luftarake. Shtabi i “Djemëve të Shqipës” përbehët nga:Hasan Kryeziu, Ali B.Zherka, Rrustem Abdyli, Shpend Hoxha, Ramë Osmani, Selim Musa, Musë Neza,Selim Bajraktari,Shpend Zherka,Dervish Kryeziu,Lazar Fundo dhe Said Kryeziu, nën udhëheqjen e Gani Beg Kryeziut kryente detyra ushtarake, politike e ekonomike. Mbështetje e armatosur e shtabit ishin çetat luftarake, të cilat kishin marrë një përpjestim të madh në tërë malësinë e Gjakovës.

Në këtë kohë,”shtabi operativ dhe komiteti krahinor i Jugosllavisë për Kosmetin” (me qendër në malësi të Gjakovës), i pushtuar nga paniku, dhe në pamundësi të një sulmi të drejtëpërdrejtë dhe për të fituar kohë përpiqej që t’a mbante afër shtabin e “Lëvizjes Kryeziu” me fjalë dhe premtime të rrejshme, gjoja se kërkesat e Kryezijëve për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë do të meren parasyshë,” pas përfundimit të luftës kundër okupatorit”.

Duke i njohur nga afër liderët sllavo-komunist, Lazar Fundo deklaroi:Shqipëria nuk mund të bëhet duke mbajtur një qëndrim pritës sepse, Kremlini, Beogradi dhe Athina nuk i kanë ndryshuar orientimet e tyre armiqësore dhe skllavëruese karshi çështjes shqiptare. Udhëheqja e PK të Shqipërisë, qysh heret u zu në “grepin” e Titos të cilin e kishte hedhur të maskuar me parullën”të bashkohem në frontin e luftës së madhe botërore antifashiste”, (brenda të cilit ishin:Bashkimi Sovjetik, SHBA, Britania e Madhe si dhe popujt tjerë të robëruar të botës),gjë që nga ky “bashkim”populli shqiptar nuk nxori asnjë përfitim, kështu që u detyrua me dhunë ti pranoj kufijtë politik të l913-tës, duke i lënë serish nën robërinë e serbit dhe grekut vëllazërit tonë Kosovarë dhe Çamë. Pos politikës së ndyer të Titos, rol negativ  me rëndësi vendimtare kanë luajtur edhe misionet e huaja,të cilat sikurse më parë edhe në këtë kohë i konsiderojshin tokat shqiptare si monedhë për t;i kënaqur lakmitë e shteteve ballkanike, fqinje me Shqipërinë dhe për t’i lidhur këto me politikën e vet.

Kështu që lufta dhe sakrifica e popullit shqiptar për çlirim nuk gjeti përkrahje të siqertë nga jashtë.

Titistët serbomëdhenjë i kushtuan kujdes shumë të madhe shtypjes së kryengritjes shqiptare e në veçanti Shtabit të Lëvizjes Kryeziu i cili paraqitej si rrezik real për realizimin e planeve të tyre për ripushtimin e Kosovës. Në rrethanat e ndërlikuara që u krijuan nga agjentura e titos dhe bashkë- puntorët e tyre shqiptar, të cilët kishin humbur ndjenjen e formimit të shtetit etnik Shqiptar,shtabi i Lëvizjes Kryeziu ashtu sikur edhe çetat dhe grupet e ndryshme patriotike u detyruan të manovronin të veçuar nga fryma titiste e cila kishte infektuar shpirtin e disa shqiptarëve injorant të mashtruar nga propaganda titiste.

Rritja e mëtejshme e luftës kundër pushtuesve e tradhtarëve e bënte më të ngutshme dhe imperative krijimin e një vije unike politike në luftën pa kompromise kundër pushtuesve nazi-fashist dhe serbo- malazias-maqedon,të cilët sikurse sot edhe atëherë mbanin me dhunë nën çizmën e rëndë të robërisë popullin dhe tokat shqiptare (Kosovë e Çamëri), të dhuruara si plaçkë lufte nga fuqitë e mëdha.

Marrëveshja u arrit sidomos në mes të Shtabit të “Lëvizjes Kryeziu” dhe Çetës së Malësisë, e cila kryesohej nga “Mbreti i Maleve” Ramë Muj Hoxha.

Me 13 shkurt 1944 hordhitë gjermane më tepër se 8.000 vetë sulmuan malësinë e Gjakovës heroike, ku u ndeshen përball me malësorët trima. Lufta ishte e ashpër,armiku bëri terror të egër ndaj popullit, por nuk ia doli në krye që ti shpartalloj ushtarët e shqipes, dhe aq më pak ti largoi nga foleja e lashtë stërgjyshore. Forcat e “Lëvizjes Kryeziu” (1.200 veta), të Ramw Mujw Hoxhës(600 veta) në unitet sulmuan vijat e armikut në Devë, Vagovë, Kamë, Qafw Prush, Kepenek, Lejthizë e gjetiu, ku armikut i shkaktuan dëme të konsiderueshme dhe humbje njerëzish. Në pranverë lufta e malësorëve për LIRI mori hov, ajo u zgjërua edhe në Kosovë, gjysmën tjetër të Atdheut tonë të robwruar.
Luftërat e një pasnjwshme që i zhvillonte populli i malësisë së Gjakovës në fronte të ndryshme dëshmonin më së miri për rritjen dhe pjekurin e saj ideo-politike,por organizativisht akoma ishte e dobët për shkak të mungesës së një vije unike. Grupet dhe tarafet e ndryshme të infektuara që ishin  të ndarw nga masa e gjerë e popullit shpresat i kishin varur pas qerreve të huaja, në të cilat ishin grumbulluar të gjitha plehrat e kohërave.

BYTYQI - në periudhën e Luftës së Dytë Botërore(në Malësi) mbajti peshën kryesore dhe luajti rolin vendimtar në asgjwsimin e okupatorit nazi-fashist. Në krahasim me krahinat tjera të Malësisë së Gjakovës, Bytyçi është një ndër krahinat më të dëmtuara në njerëz dhe në vlera materiale. Në luftën e Bytyçit kanë marrë pjesë të gjitha krahinat e Malësisë dhe të Hasit, përmes çetave të Gani Kryeziut i cili ashtu si më parë edhe në këtë kohë luajti një rol me rëndësi në organizimin dhe zhvillimin e luftës antifashiste në Malësi, Has dhe Rekë, gjë që dëshmon mitingu i përbashkët i organizuar nga Gani Kryeziu dhe Muharrem Bajraktari, në vitin 1944 në Bregun e Krumave, në Has, ku mori pjesë 500 veta. Malësia e Gjakovës, ndonëse e plagosur për vdekje,dhe e ndezur flakë qëndroi në këmbë dhe sy pa trembur,armikut iu përgjigje me kundërgoditje akoma më të ashpra. Malësia heroike gjatë luftës nuk u kufizua vetëm në trollin e sajë, por ka marrë pjesë aktive në fushën e luftës në Kosovë dhe pjesët e saja nën administratën e Malit të Zi dhe të Maqedonisë. Luftime të ashpra kundër bandave titisto-drazhiste u zhvilluan sidomos në afërsi të Plavës dhe Gucisë. Pra,siç shifet, lufta e popullit shqiptarë në tërësi u tradhtua nga bashkim-vwllezërimi dhe lufta e përbashkët me popujt sllavw të propaganduar nga partia komuniste në të dy anët e kufirit. Bandat e Titos nën maskën e miqësisë e të bashkwpunimit vëllazëror i vunë thikën e tradhtisë pas shpine popullit shqiptarë, e masakruan dhe ia grabitën trollin stërgjyshor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat