Mërgata vlerëson dhe nderon atdhetarët

Diaspora

Mërgata vlerëson dhe nderon atdhetarët

IDRIZ ZEQIRAJ Nga IDRIZ ZEQIRAJ Më 5 gusht 2018 Në ora: 18:18
Me mirënjohje u nderuan dëshmori i kombit, Ismet Rrahmani, aktivisti dhe anëtari shumë vjeçar i LDK-së, Fetah Rudi, ish deputeti i LDK-së, Fadil Geci, dhe kryetari LDK-së, dega në Klinë, Fadil Gashi.

Në përvjetorin e 28-të të themelimit të Degës të LDK-së në Beneluks, Kryesia e saj, në konsultim me anëtarësinë, vendosi të nderojë me - Mirënjohje - disa dëshmorë, komandantë të luftës, veprimtarë të devotshëm të LDK-së dhe kuadro të saj.

Kryetari i Degës të LDK-së në Beneluks, Bahtir Kastrati, sekretari Xhavit Belaj, anëtari i Kryesisë, Xhevdet Tafilaj, të shoqëruar nga deputeti i Parlamentit të Kosovës, Anton Quni, koordinatori për Degët e LDK-së në Mërgatë, Sali Morina, nënkryetarët e komunave në Istog e Klinë, përkatësisht, Lulzim Blakaj e Besim Hoti, kryetari i Komisionit Shtetëror për të pagjeturit e luftës, Prenkë Gjetaj, ish-deputeti dhe luftëtari i orëve të para, Fadil Geci, veprimtari Ibrahim Ahmeti, kryetari i LDK-së në Bavarinë gjermane, Idriz Zeqiraj dhe i kudondodhuri, drejtori dhe moderatori i Radio-Fontanës, Zeqir Mehmetaj, dorëzuan - Mirënjohjet - për kuadrin e LDK-së, bashkëpunëtorin e Presidentit Ibrahim Rugova, heroin e gjallë - Fetah Rudin; për ish-komandantin e UÇK-së, kryetarin aktual të Degës të LDK-së dhe kryetarin e Asamblesë të Komunës së Klinës, Fadil Gashin; për komandantin-dëshmor Ismet Rrahmanin; për ish-komandantin e UÇK-së dhe ish-deputetin Fadil Geci.

Image
Kuadri i LDK-së, Fetah Rudi, nderohet me Mirënjohje

Ekipi i LDK-së nismoi me vizitën në shtëpinë e kuadrit dhe të veprimtarit të devotshëm të LDK-së, Fetah Rudi, i atentatuari politik, për rrjedhojë, i mbetur, përjetësisht, në karrikën invalidore. Takimi me heroin e gjallë Rudi, ishte shumë emocionues. Në oborrin e shtëpisë na pritën: kryetari i Degës së LDK-së në Malishevë, Sami Kafexholli, ish-luftëtari Emrush Gashi, kushëriri Xhaviti, vëllai Shaipi, me djalin Admirin, shoqërues të përhershëm të veprimtarit aktiv, Fetah Rudi, djali Petriti, gazetar dhe redaktor i zëshëm i kombëtarës "Bota sot", vajza gjimnaziste - Gentiana.

Kuadri, bashkëpunëtori besnik i Dr. Rugovës, Fetah Rudi, gjithëherë stoik, modest, i dashur, i sinqertë dhe trim. Prania e tij në jetë, dëshmi faktike e krimit politik të "komandantëve" vrastarë. "Ardhja juaj në shtëpinë tonë flet shumë. Përcjell aktivitetin, kontributin e Mërgatës shqiptare, e cila ka qenë dhe mbetet maxhja e Kosovës. Në emër të familjes time ju falenderoj ju, kryetar Kastrati, Kryesinë Tuaj, për - Mirënjohjen - e çmuar, të ndarë për mua. E vlerësoj si një letër me vlerë të veçantë", - tha, fort i emocionuar, njeriu i mirë, Fetah Rudi.

Miku i tij i idealit, Fadil Geci tha se "LDK-ja dhe Kosova frymëzohen nga qendresa e Fatah Rudit. Zoti e ruajti për të rrëfyer për brezat".

U larguam nga Familja atdhetare e fisnike Rudi, duke marrë një pjesë të dhimbjes, por, edhe të krenarisë së ligjshme.

Veprimtari unik, Fetah Rudi, u bashkua me ekipin e LDK-së, në aktivitetet në Klinë, Açarevë, Llaushë e deri në Istog. 

Image
Kryetari i Degës të LDK-së, Fadil Gashi, nderohet me Mirënjohje

Në vijim, agjenda jonë ishte Klina, përkatësisht, selia e Degës së LDK-së së këtueshme. Kryesia, e prirë nga Fadil Gashi, ish-komandant i luftës, për të cilin Dega e LDK-së në Beneluks kishte ndarë - Mirënjohje-, na priti me përzemërsi: nënkryetari i komunës, Besim Hoti, një djalë xhentil, energjik dhe premtues; Mirjeta Kalludra, deputetja dinjitoze dhe bukuroshe e Parlamentit të Kosovës; kryetari i Komisionit Shtetëror për të pagjeturit e luftës, Prenkë Gjetaj, njëherësh, miku im i rinisë, me të cilin u takuam, sërishmi, pas plot  50 vitesh; malësorja vuthnjane, Vezire Kukaj-Elshani, kryetare e Forumit të Gruas; Adnan Bekaj, kryetar i Forumit të Rinisë; Arben Limani, drejtor i Arsimit; anëtarët e Kryesisë Naim Berisha, Agustin Selmani, Prend Zefi dhe të tjerë. Një kolektiv, një Kryesi aktive dhe simpatike, që jep shpresë për suksese.

Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Anton Quni, përshëndeti Kryesinë e Degës së LDK-së në Klinë, në emër të kryetarit Isa Mustafa: "Në Klinë vij me dëshirë, sepse kolegu im Fadil Gashi është punëtor i mirë, besnik i programit të LDK-së dhe frymës rugoviane".

Image
Bahtir Kastrati i dorëzon Mirënjohjen Nënës Cymë të Ismet Rrahmanit

Açareva, nga viti në vit, po bëhet më shumë e njohur. "Açareva e Ismet Rrahmanit", - po e quajnë vizitorët e shumtë, të cilët vizitojnë edhe - Kullën-muze të Ismet Rrahmanit. Duke qenë mësues i mirë, Ismeti u bë edhe drejtor i mirë i Shkollës të Açarevës, e cila, tashmë, krenarisht, e mbanë emrin e tij. Njohës i mirë i artit luftarak, Ismeti la ditarin shkollor dhe rroku pushkën për liri.

Por, jetën e tij e shuan dy plumba, nga një gjuajtje fort e dyshimtë. Të një mendjeje janë edhe njohësit e fushës ushtarake. 

Vëllezërit Ramushi, Destani, Halili, nënë-Cyma, presin dhe përcjellin bashkëluftëtarët e vëllait dhe të djalit të tyre dëshmor. Ismet Rrahmani, Haki Imeri, Bahtir Kastrati, ishin trinomi i veprimtarëve të kësaj ane. Ilustrimet numerike fotografike flasin, mjaftueshëm, për veprimtarinë e begatë të Ismetit. Andaj, Mërgata e ka përzgjedhur për ta nderuar me -Mirënjohje - pas amëshimit. "Kemi ardhur me nderuar veprën e Ismet Rrahmanit, familjen e tij fisnike. Lavdi jetës dhe veprës së tij",- shprehet anëtarii Kryesisë të LDK-së, njëherësh, edhe Koordinator për Degët e LDK-së në Mergatë, Sali Morina.

Nënë - Cyma e Ismet Rrahmanit, edhe pse me barrën e 8 (tetë) dekadave, mbahet e fort. "Tash po e shoh në fotografi Ismetin",- thotë ajo. Dhe, provon të mbajë lotët. 

Image
Në Kullën e Bajraktarit në Llaushë, i jipet Mirënjohje Fadil Gecit

Destinacioni i fundit i ekipit të LDK-së ishte Shtëpia e Bajraktarit të Llaushës, Drenicë, e cila identifikohet me Familjen Geci. Në luftën e fundit të Kosovës, kjo Familje ripërtërinë traditën dhe lavdinë e dekadave dhe shekujve më parë. Vëllezërit Geci, ndër pushkët e para të Drenicës, me drejtëpeshimin e duhur, institucionalisht të orientuar, ishin dhe mbetën zë i veçantë, në mbrojtjen e vlerave të luftës dhe të ideve të Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova.

Tek Shtëpia-Kështjellë e Bajraktarit të Llaushës, na pritën Vëllezërit Geci me kushëri-vëllazëri dhe të tjerë. Oda karakteristike, me hapësirë enorme, e cila veçon nga odat e zakonshme, që në pamjen e parë, shpalosë historinë e brezave të kësaj Familjeje, sa historike, aq edhe fisnike.

Ish-deputeti Fadil Geci i përshëndeti dhe u uroi mirëseardhje mysafirëve të respektuar, për nderimin me Mirënjohje të bërë atij dhe, natyrshëm, Familjes Geci. Mysafirët vlerësuan lart Vëllezërit Geci, angazhimin e tyre në luftë dhe pas luftës, mbrojtjen e afërt fizike të Presidentit Rugova. Mysafirët folën me radhë, sipas hierarkisë, ashtu siç e kërkon kodi zakonor i Kullës së Bajraktarit. U shpalosën edhe kujtime nga epoka lavdiplote e Presidentit Rugova. Ishin, pikërisht, dy komandantët institucional, Fadil Gashi dhe Fadil Geci, që i bënë roje trupit të pa jetë të Presidentit të ndjerë, përgjatë natës. Dhe, këtu nuk kemi të bëjmë, thjeshtë, me një rastësi, por, me një besueshmëri të kuadrit të përkushtuar dhe përjetësisht me frymë rugoviane.

Ekipi i LDK-së nga Mërgata dhe Kosova, veprimtarinë ditore e përmbylli me shkëmbim mendimesh, në një tryezë, në Kompleksin Hotelier e Turistik "Trofta", në Istog. 

Dega e LDK-së në Beneluks dhe Familja Geci, shtruan një drekë për të pranishmit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat