"E vranë si qen rrugëve!" Flet babai i 20 vjeçares që vdiq në Itali

Diaspora

"E vranë si qen rrugëve!" Flet babai i 20 vjeçares që vdiq në Itali

Më: 14 qershor 2018 Në ora: 17:21
Anxhela Meçani

Familjarët e Anxhela Meçanit nga fshati Baltëz i Fierit i bëjnë apel shtetit t’i kthejë trupin e vajzës së tyre, pasi ata nuk kanë asnjë mundësi financiare për të vepruar vetë.

Babai i 20- vjeçares, Dritan Meçani, tregoi dje se e bija ishte larguar në Itali rreth 4 vjet më parë.

Sipas të dhënave, Anxhela ishte njohur në rrjetin social “Facebook” me djalin dhe ishte larguar me të duke i thënë familjes se do të martoheshin.

Pas largimit në Itali, ajo humbi gjurmët për disa kohë, duke mos pasur asnjë kontakt me prindërit. Por, siç thekson i ati, më vonë ajo u bë vetë e gjallë. Dritan Meçani shprehet se nuk kishin dijeni për ndonjë shqetësim të së bijës dhe se ajo u thoshte, jam mirë, sa herë që flisnin me të. Por vrasja barbare, duke e hedhur nga një makinë në asfalt, është mjaft e rëndë për babain dhe motrat e saj.

Sipas kryefamiljarit, Anxhela nuk u kthye dot disa muaj më parë për t’i dhënë lamtumirën e fundit të ëmës, pasi nuk kishte dokumente për të ardhur.

Si e mësuat lajmin që vajza juaj Anxhela kishte humbur jetën?

Ne nuk dinim gjë se askush nuk e ka kontaktin tonë që të na lajmëronte. Por nga lajmet në televizion mësuam atë që kishte ndodhur. Njëra nga vajzat e mia e kishte dëgjuar dhe më tha: “motra ime po del në televizor, paska vdekur”. Nuk e besonim. Hymë edhe në internet dhe pastaj e identifikuam që bëhej fjalë për Anxhelën tonë. Pas kësaj, më morën nga Policia dhe më kërkuan ca të dhëna që të siguroheshin që ishte ajo. Më treguan fotot dhe u dhashë datën e lindjes e detaje të tjera.

Kur keni folur ju me të për herë të fundit?

Ne flisnim shpesh me të. Ajo na shkruante në internet dhe flisnin. Edhe një natë më parë se të ndodhte ngjarja, kemi folur. Nuk është se kishim shkëputur kontaktet me të. Pra, mund të kemi folur shumë pak orë para ngjarjes.

Pas kësaj që ndodhi, ju nuk mundët të niseni në Itali për të marrë trupin?

Jo, ne nuk kemi asnjë mundësi të shkojmë atje. Ne arritëm të flasim me ambasadën shqiptare në Itali dhe ata na kërkuan që të tërheqim trupin. Por nuk kemi asnjë mundësi ta tërheqim dhe u thamë atyre që të ndërhyjnë me shtetin tonë që të na e sjellin këtu, se ndryshe ne s’kemi mundësi. I lutemi edhe vetë shtetit që të na ndihmojë ta varrosim vajzën këtu.

Anxhela ishte 20 vjeçe tani? Kur ka ikur nga shtëpia për në Itali?

Po mund të ketë rreth 3 a 4 vjet, ndoshta. Nuk na pyeti kur iku. E kishte mbushur mendjen dhe tha do iki, se kam gjetur një djalë të mirë. E kam të dashur dhe do martohemi. Ne e besuam dhe nuk ia premë rrugën. Pas kësaj, ajo nuk na foli ca kohë dhe u bë vetë e gjallë më pas. Na tha që ishte mirë. Nuk më tregonte shumë gjëra për veten. Ndërsa vjet në fillim të vitit, më duket, na tha kam gjetur një njeri tjetër dhe jam martuar. Na tregoi që ishte italian dhe ishte njeri i mirë, vetëm se kishte moshë të madhe.

Po më vonë ju jepte detaje nga jeta e saj?

Jo, asnjë detaj. Madje, këtë vit mua më vdiq gruaja. Ishte para 5 muajsh kur u sëmur rëndë dhe vdiq. Ne I thamë vajzës, por ajo nuk erdhi dot se nuk kishte letrat dhe tha se po të vinte, nuk do kthehej dot më.

Nuk ju kishte shprehur juve si prindër asnjëherë ndonjë shqetësim të saj?

Asnjëherë nuk na është ankuar. Gjithmonë thoshte se ishte mirë dhe dukej e qeshur. Motrat e saj flisnin më shumë me të.

Sa fëmijë keni ju Dritan?

Kisha katër vajza. Tani më mbetën tre dhe jam shumë dobët me ekonomi. Sëmundja e gruas më shkatërroi, tani më vdiq edhe vajza. Jam i shkatërruar shpirtërisht dhe ekonomikisht. Të paktën shteti të ma sjellë këtu trupin e saj.

Çfarë kërkoni nga drejtësia italiane?

Vetëm drejtësi. Dua të gjendet kush ma hodhi time bijë si leckë. Të gjendet dhe të dënohet. Vajza ime ishte e re dhe nuk meritonte të vdiste si qen, rrugëve. Shteti italian të dënojë maksimalisht autorin apo autorët që ma vranë vajzën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat