Fluturime lirike në trojet e mërgatës shqiptare

Diaspora

Fluturime lirike në trojet e mërgatës shqiptare

Nga: Baki Ymeri Më: 25 maj 2018 Në ora: 00:30
Kopertina e librit

Poeti është si shqiponja. Misioni i tij është që të flatrojë në botën e fjalëve, për ta bërë të përjetshëm atdheun, duke e mbrojtur me art ekuilibrin e botës. Lasgush Poradeci thekson se qëllimi i artit është që të na japë gëzim estetik, por këtë gëzim e ndjen ai që është i përgatitur për ta ndjerë. Prandaj duhet kulturë e madhe. Lulzim Gashi jeton dhe krijon në një vend nordik të njohur për standard të lartë dhe kulturë të gjerë. Në moshën e tij gjysmëshekullore, poeti vjen para nesh me një gamë inspirimesh lirike që të joshin që në shikim të parë. Autori përdor gjuhën letrare, por në disa poezi edhe dialektin e veriut që ka një rëndësi specifike për bashkëvendasit e tij në Llapushnik të Drenicës.

Pas vëllimeve „Drita e shekujve” dhe „Liqeni i dashurive”, edhe në vëllimin e tretë të tij („Hijet e heshtjes”), ballafaqohemi me vlera të veçanta lirike dhe dhurata shpirtërore. Indiferent nga fakti se janë nga Kosova, Shqipëria, Norvegjia, Gjermania e gjetiu, poetët takohen mbi një urë që përshkon detra e vende mbi brigjet e imagjinatës së bekuar me pluhurin magjik të muzave. Lulzim Gashi në këtë kontekst, vjen para nesh si poet i nostalgjisë, autor i qindra poezive me karakter kombëtar dhe universal. Libri i tij nuk reflekton vetëm traditën, por edhe aktualitetin shqiptar, pa e humbur karakterin e tij historik dhe artistik. Duke lexuar vargjet e tij, e ndjejmë veten si në një anije me ëndrra, apo në një karrocë fluturash me buzëqeshjen e fjalëve në limanin e dashurisë, dashuri të cilën „Pas shumë vitesh e shijova/ E shpirti m’u ndez zjarrë.”

Autori i ëndërrimeve lirike shkruan për ëndërrat e rinisë, për engjëjt e dritës dhe zjarrin e zemrës, për valët e lumit dhe dallgët e detit, për djalërinë, bukurinë, besnikërinë dhe dashurinë, për dritën e kandilit dhe rrugët e inspirimit, për zërin e atdheut dhe krushqit e Skënderbeut, për shpirtin shqiptar dhe flakën e dashurisë, për fusha e male, për shpatije e bregore, „ku dikurë kullosja bagëtinë/ kroje të ftohta me ujë dëbore/ që dikurë ma freskonin beqarinë”.

Sipas Lasgush Poradecit, jeta është e shkurtër, po sa e shkurtër është po aq edhe e rëndë. Lindim me të qarë, rritemi duke qarë, humbin nënën, babanë, të afërmin, shokun, shoqërinë. Humbim të dashurin, dashurinë, humbim rininë, jetën, shpresën. Lulzim Gashi nuk është tribuni suprem i lirikës shqipe, por njëri nga poetët më të talentuar të mërgatës shqiptare. Kosova sipas tij është një piramidë dhimbjesh të papërshkruara. Ai na jep një profil të ri të lirikës shqipe, ku fjala nusërohet me fjalë, ku gegërishtja gërshtohet me toskërishten: „Kur u k'theva nga gurbeti/ Në ato fusha ku jam rritë/ Ja fillova i këngë nga qejfi/ E nisën malet me buçitë.” Takimi me poezinë e tij është një dhuratë shpirtërore dhe një festë e veçantë për bashkatdhetarët e tij nga Drenica kreshnike, vatër e trimërisë dhe krenari e shqiptarisë.

Rinia e poetit është si një përrallë që s'ka fund: „Len gjurmët e veta e ecë ngadalë/ Jetës i bëhet lumë.// Rinia është/ Një port ëndrrash/ Plotë fshehtësi/ Sado të hidhura ato janë/ Atë ditë kur shpalosen/ Përsëri lind një dashuri.” (Kujtimet rinore). Humori, satira dhe ironia janë prezente jo vetëm në vargjet ku i fshikullon me „elegancë” butakët e politikës, por edhe në lirikën erotike: „Kur nisë e kallet dashnia/ Dhe e prekë pabesia/ N’tana anët/ Nisë t’i dalë tymi/ Bash si kërrlesh Aga/ Kur han mana e shan nana!” Autori vjen para nesh me një imagjinatë të bujshme kosmogonike: „T'fluturoj atje lart në qiell/ T'bëhem rreze t'bëhem diell/ Zemrës tënde t’i sjellë zjarrë/ Ta ndjejmë bashkë atë mallë.” Apo: „Unë jam vetëm një pikë drite/ Atje largë në horizont/ Ku dita dhe nata kurdo m’rrëmbejnë/ Unë jamë atje lart ku fluturohet/ Ku dot heshtja nuk ndëgjohet.”

Humori është prezent edhe në poezitë patriotike: „Veç për hatër të kumarisë/ I fryjnë zjarrit të dinakërisë/ Duke lujtë me mexhë t'Atdheut/ Si me qenë oxhaqet e Beut!” Lirika meditative zë një vend të veçantë në korpusin e vlerave letrare të Lulzim Gashit. Poeti mediton për pleqërinë dhe „Ditët kalojnë njëra pas tjetrës/ E unë ende i vetmuar/ Ofshamën e shpirtit e ndjej/ S’e kuptoj pse diçka mungon/ E diçka tepron nga koha e vjetër/ Pyes veten nga ky çast ku jam/ As i zgjuar dhe as i fjetur!” Dhe më tej, del engjëlli në pah, që mund të ketë kuptim të dyfishtë: e dashura e poetit apo engjëlli i inspirimi poetik: “Në këtë natë diçka mungon/ Diçka m’duket se është tepër/ Nga mendja e godas/ Çdo kujtim  të vjetër/ Sepse n'mes qiellit e tokës/ Përveç teje në shpirtin tim/ S'pushon asnjë engjëll t'jetër!”

Pasojnë sintagma tjera me vlera të dukshme letrare: Shtrati i lumturisë, Flora dhe fauna e frymëzimit, Roja besnike në dritaren e ardhmërisë, Bota e zbrazur në kopshtin e shkretëtirës, Injoranca, eleganca dhe toleranca, Parajsa e bekuar e dashurisë, Jazi i jetës, Dallgët e shkëlqimit, Hijet e heshtjes, Zgavrat e zhgënjimit etj. Apo vargje vlerash të veçanta, si: “Ta sjell bjeshkën e ta sjell malin/ Me aromë lulesh e shije dredhëzash.” „Rrezet e diellit/ Që pas reve të zeza agjërojnë.” Poeti e ndjen veten si „një copë rrënje”, si „një pikë frymëzimi”, si „një fëmijë kurioz/ që i prek ëndrrat e jetës”, si „një copë balte/ që i stolis muret e Kullës/ e Kulla t'mos mbetet pa emër.” Kroni i qershisë, Dy lëndina n’mes një lumë, Moj e bukura vajzë shqiptare, Fshatari, Fshatarja ime, Dashnia, Takimi. Ëndrra e disa poema tjera ndërlidhen me kujtimet e rinisë dhe mallin ndaj vendlindjes.

Autori ndjen, ëndërron dhe marshon shtigjeve të jetës „nën ombrellën e nostalgjisë.” Shumica e poetëve të mërgimit i japin prioritet mallit, atdheut dhe vendlindjes. Poezia e ekzilit shqiptar është një subjekt i veçantë për eseistët, kritikët dhe historianët e letërsisë. Sipas Rrustem Gecit, në brendinë e mërgimit, çdo njeri veç e veç artikulon mallin, dhimbjen, idetë në vlerat e së bukurës. Mërgimi dhe nostalgjia ndaj vendlindjes janë subjekte permanente në lirikën e Luzim Gashit: „Po të kisha flatra”, „Në dhe të huaj”, „Ëndrra” dhe „Erë nga diaspora” janë disa nga poezitë më të bukura kushtuar mërgatës sonë. Autori na jep një refleksion interesant lidhur me lirikën e shtegtimit, të ekzilit apo mërgimit: ”Gjashtë muaj dimër e dy verë/ Ikin vitet pa asnjë pranverë/ Zogjtë gjatë vjeshtës/ Nga dushku e ahu flatrojnë/ N’vapën e mërgimit të rrojnë!”

Lirika patriotike vjen në trojet e letërsisë sonë që nga periudha e klasicizmit dhe romantizmit shqiptar. Lulzim Gashi, edhe në këtë libër të ri vjen para opinionit me perla frymëzimesh atdhetare të denja për lexim dhe rilexim. Ja disa nga to: Mos më lypni te trrolli i vjetër, Pikturë mbi gur, Kori i kombit, Lumja ti moj Kosovë, Tre republika, Stuhi në kohë, Hijet e heshtura të kalasë, Heroit Nasip Rashit Bytyqit, Një flamur, një etni, Oj lahutë m’përcjell tej varrit etj. Ja disa vargje mbresëlënëse: „Fryj moj erë nga diaspora/ Lum për djemtë që i ka Kosova/ Sikur këta në botë nuk ka/ Për dashni e për sevda.” (Mos më lypni te trrolli i vjetër). Apo: „Atje në atdhe tek ai burim/ Është rrënja shqiptare/ E dashurisë së shpirtit tim.” (Kroni i qershisë)

Të gjithë ndjejmë, dashurojmë, ëndërrojmë dhe marrim frymë. Por jo të gjithë kanë fatin të jenë të prekur nga flatrat e frymëzimit poetik. Thonë se nuk është njeri ai që nuk ka krijuar familje, që nuk ka mbjellur një pemë, që nuk ka ngritur një shtëpi, apo që nuk ka botuar një libër. Jo çdokush mund të shkruajë e botojë libra, por vetëm ata që i prek flatra e engjëllit. Autori i plason frymëzimet e tij edhe në faqet e Facebokut, por mbi të gjitha e lumturojnë librat e botuar. Ato bëjnë pjesë nga garda e vjetër e atyre që qysh para dy shekujsh e prisnin me padurim postierin t’ua sjellë zarfet me letra nga miqtë, apo pakot me libra. Tashmë jemi në shekullin e elektronikës dhe ende trokasin në portë postierët me zarfe letrash të shkruara apo librash të botuar. Botimi i një libri paraqet një moment emocionues dhe festë të veçantë për lumturimin e shpirtit. Kjo vlen edhe për shqiponjën e Kosovës në trojet e mërgatës, Zt. Lulzim Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat