Rugova gjithëherë i parë, kurrë i dytë

Diaspora

Rugova gjithëherë i parë, kurrë i dytë

Nga: Idriz Zeqiraj Më: 20 maj 2018 Në ora: 12:43
Idriz Zeqiraj

Lidhja Demokratike e Kosovës në Beneluks, që nga themelimi, me kryetar të parë Ramiz Zekollin, pastaj kryetarin shumëvjeçarë Ismajl Bytyçin, në vijim, Kujtim Hajdaj dhe tani Bahtir Kastratin, ka qenë e një rëndësie të veçantë, sepse këtu janë disa Institucione të Evropës së Bashkuar.

Themelimi i LDK-së në Mërgatën shqiptare, ishte vendim i mençur i Dr. Rugovës me shokë. Të gjitha organizimet tjera, në atë kohë, do të përfundonin nën tutelën mafioze dhe kundra-kombëtare të Sigurimit Shqiptar dhe të UDB-së jugosllave, nëpërmjet krerëve të LPK-së së tyre.

LDK-ja e Mërgatës u rritë, u madhua duke nismuar me veprimtaritë lëndore:

1) Ndihma për mbijetesën e Kosovës, duke qenë nën pushtim;

2) Themelimi dhe begatimi i Fondit, i shprehur në 3 %-in obligativ, për të punësuar dhe të tjerët, në raport me të ardhurat mujore;

3) Mbështetje e të gjitha veprimeve të Dr. Ibrahim Rugovës dhe të bashkëpunëtorëve të Tij, për ndërkombëtarizimin e Çështjes të Kosovës.

Fati i madh i LDK-së dhe i Kosovës ishte qenia në drejtim e udhëheqje të Ibrahim Rugovës, i cili është shquar në fëmijëri, rini dhe në burrërimin e Tij, duke qenë gjithëherë i Parë dhe kurrë i dytë:  

1) Si nxënës-fillorist ishte i parë në mësime, poezi dhe hartime;

2) Si nxënës-normalist i parë në leximin e literaturës artistike botërore, në gjuhë të huaja. Së bashku me Jusuf Gërvallën, i dalluar në artet e bukura, shquheshin në Gjimnazin e Pejës, i cili ishte më i zëshmi dhe më numeriku në tërë Kosovën;

3) Si student, i parë në studime, Redaktor i parë Përgjegjës i gazetës studentore "Bota e re", dhe e revistave, përkatësisht, shkencore e letrare, "Dituria" dhe "Plejada". Kjo e fundit do të anatemohej nga pushteti i kohës dhe do të ndalohej së botuari, "për arsye politike!" Në atë kohë, redaktori përgjegjës, kishte kompetencat dhe përgjegjësinë, që ka sot kryeredaktori i një gazete. Rugova, së bashku, me shefin e tij, zotëri Daut Demakun, mik e koleg, ishin binomi i suksesshëm, në tejkalimin e pengesave serioze të kohës. Por, baza e tyre mbështetëse e luftarake, ishin studentët zemërzjarrë të fakulteteve e, më vonë, të Universitetit të Prishtinës. Rrjedhimisht, Rugova student, ishte i pari i gazetarisë alternative, oponente e shtypit monist të pushtetit të kohës;

4) Si studjues pasuniversitar, në Paris, u shqua në studimin e kritikës letrare, duke arritur, më vonë, titullin e doktorit shkencor, në këtë fushë;

5) I punësuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ishte drejtues sa profesional, aq edhe i dinjitetshëm i të vetmës revistë të mirëfilltë shkencore "Gjurmime Albanologjike";

6) Ishte më i zëshmi intelektual i Kosovës, në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë, ku u përball me nacionalizmin sebo-sllavë. "Jam këtu, për të mbrojtur qenien dhe dinjitetin e popullit tim...", - do të deklaronte, në mes tjerash, në fjalën e Tij, Dr. Ibrahim Rugova;

7) Ishte i pari në nismën e pluralizmit politik, themelimin e partisë së parë pluraliste në Kosovë, Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK);

8) Dr. Rugova e filloi karrierën politike me referimin për paqen dhe slloganin trinom: Liri, Pavarësi, Demokraci! Por, opcionin e luftës kurrë nuk e përjashtoi. Andaj, në marrëveshje me Presidentin e Republikës të Shqipërisë, Ramiz Alia, i dërgoi djemtë e Kosovës, për ushtrime ushtarake në Shqipëri. Ky fakt vetëfolës, demanton, madje, bindshëm, horrakët komunistë të LPK-së, të cilët shpifin, pa doganë fare se "Ibrahim Rugova ishte vetëm për zgjidhje paqësore të Çështjes të Kosovës dhe kundër luftës!?" 

Realisht, në Intervistën dhënë revistës prestigjioze gjermane, "Der Spiegel", Dr. Rugova shpjegon qartë qasjen fillestare paqësore të Tij: "Ne nuk jemi kurrëfarë paqësorësh, por, raporti i forcave, krejt i pabarabartë me pushtuesin, kushtëzon qasjen aktuale paqësore. Nëse dështon paqja, vjen opcioni luftë, edhe pse më shumë se luftë, do të jetë masakër. Dhe, vërtet, ndodhi masakra. Dhe, krahasimi i shifrave të viktimave e vërteton parashikimin, gjithnjë të pagabueshëm, të Presidentit mençurak, Dr. Ibrahim Rugova!!

9) Ishte i pari që hodhi idenë dhe e lëndëzoi atë, për krijimin e Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës, (FARK), si bazë e mëvonshme e UÇK-së, e dalë nga FARK-u;

10) Ishte i parë në krijimin e institucioneve paralele, rast unik i deri atëhershëm, duke e shtrirë pushtetin moral, jo vetëm në Kosovë, por, edhe në të gjithë Etnikumin shqiptar si dhe në Mërgatën shqiptare;

11) Dr. Ibrahim Rugova është nismëtari i Deklaratës të Pavarësisë, më 2 korrik 1990, i Kushtetutës të Kaçanikut, më 7 shtator 1990, i zgjedhjeve të para pluraliste e demokratike si dhe i zgjedhjes të Presidentit, duke u bërë edhe President i Parë i Republikës të Kosovës;

12) Rugova ishte personaliteti i parë shqiptar, i cili, në homazhin - nderim, në varrezat qendrore të dëshmorëve, në Tiranë, u përkul para Monumentit "Nëna Shqipëri", por, JO edhe pranë varrit të diktatorit stalinist, Enver Hoxha. Ai parashikoi se nuk mund të bashkë-prehen persekutori me viktimat e tij. Dhe, vërtet, me kërkesën ngulmuese e demonstrative të popullit heroik të Tiranës, varri u boshatis dhe eshtrat e vrastarit monstër u bartën në një varr të zakonshëm, në varrezat qytetare në fshatin Sharrë, 8 (tetë) km larg Tiranës.

13) Pas dështimit të unifikimit, bashkimit të faktorit ushtarak, në Mbledhjen e Osllos, të sabotuar nga Lëvizja Popullore e Kosovës, (LPK), që në fakt nuk ishte kurrëfarë faktori as ushtarak dhe as politik, oficerët e FARK-ut, të ndodhur në mes të dy zjarreve agresive e armike, Tiranës zyrtare social-komuniste dhe të bandave të LPK-së, kërkuan këshillën dhe urdhrin e Presidentit Rugova, tashmë, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës. Në takimin e bërë në Zvicër, oficerët e FARK-ut, njoftuan Kryekomandantin Rugovë, për vendimin e krerëve social-komunistë të Tiranës, për ndalim të përgaditjes për luftën e Kosovës dhe largim nga Shqipëria. Gjithashtu, faktuan provokimet dhe kërcënimet me jetë, që u bënin atyre, bandat e LPK-së, të vëna, tërësisht, nën komandën e Sigurimit Shqiptar, me instruktim të sigurimsave të Enver Hoxhës.

"Ç´të bëjmë", ishte pyetja-dilemë e oficërve të FARK-ut, fort të përkushtuar për Kosovën, atëherë, nën pushtim? Përgjigja-urdhër e Presidentit Rugova ishte e shkurtër, por, shumë domëthënëse: "Se çfarë të beni, e dini ju, sepse jeni ushtarakë profesionistë. Por, kthim prapa nuk ka!" Leximi ishte i qartë: Lufta duhet të vazhdojë, pavarësisht pengesave dhe rreziqeve nga trinomi armiqësor: Tirana zyrtare social-komuniste, LPK-ja - vegël e sigurimsave të Enver Hoxhës dhe Serbia pushtuese;

14) "Të mbrohet pragu i shtëpisë", - ishte porosia sentencë-kushtrim, e thënë në vitin 1990 dhe e përsëritur në vjeshtën e vitit 1997, e Presidentit Ibrahim Rugova. Dhe, mobilizimi nismoi, me shtrirje të gjerë dhe të rrufeshme;

15) LDK-ja, e prirë nga themeluesi i saj, Ibrahim Rugova, me shokë, e bëri paqen dhe luftën. Betjat e UÇK-së të FARK-ut, kanë data dhe vende betejash, përkundër të tjerëve, që nuk kanë as data dhe as emërtime fushë-betejash! Pa betejën blic, rrufe të Loxhës, Luftën heroike të Koshatës dhe minibetejat anë e kënd Kosovës, lufta në Kosovë do të ishte abstrakcion, e pa lëndëzuar, e pa faktuar.

Tri porositë-amanete të Presidentit Rugova

NjerëzIt e shquar porositë, amanetet, i lënë ngeshëm, në gjallje të tyre. Edhe Presidenti Rugova shquhet me tri porositë-amanete madhore për Kosovën dhe LDK-në:

1) Disa njerëz nuk duhet lejuar kurrë të ngritën në pozitë, në shtet e pushtet, sepse janë të rrezikshëm për Kosovën. Fjala ishte për Hashim Thaçin, kreun aktual të shtetit. Dhe, këtë pengesë Rugova ia bëri Hashimit, kur në koalicionin e parë me PDK-në, nuk e pranoi atë për kryeministër, por, Bajram Rexhepin. Ndërsa në zgjedhjet e dyta pasuese qendrore, me gjithë insistimin e ndërkombëtarëve, nuk pranoi as koalicionin me partinë-bandë PDK-në;

2) Vija kufitare me Malin e Zi, të mos të bjerë poshtë Qafës së Çakorrit, Kullës së Zhlebit, Maleve të Moknave, Qafës së Dasmorëve dhe tutje, për maje maleve vija ndarëse edhe me Serbinë. Edhe përtej këtyre vijave kufitare janë toka shqiptare, por, tani, nuk mund t`i marrim, mbetet çështje e hapur për të ardhmen;

3) Demokracia në shtet dhe parti, ka kuptim vetëm me debatin e gjithëmonshëm të lirë e demokratik; konkurrencën e fortë të kandidatëve pretendentë dhe votimin e fshehtë, për poste udhëheqëse, në shtet e pushtet si dhe për strukturat vedimmarrëse të partisë, madje, në të gjitha nivelet.

Mjerisht, të trija këto porosi, të Presidentit Rugova, të cilat, pas shuarjes fizike kthehen në amanete, u harruan dhe u shkelën, pacipërisht e kriminalisht, jo vetëm nga partitë-banda të PAN-it, por edhe nga vetë krijesa e Tij, LDK-ja, dikur prijetare e kryezonjë, sot e përtokur dhe bisht i PAN-it kriminal. Dhe, Kosova, bashkë me atë edhe LDK-ja, janë katandisur deri në pikën SOS!

Megjithatë, LDK-ja i ka të gjitha resurset, burimet e pashterrshme, për t`u ngritur dhe për të dalë nga pykimi në opozitë, ku vazhdojnë ta mbajnë argatët e SHIK-ut, brenda strukturave vendimmarrëse të partisë. LDK-ja ka filluar këndelljen dhe ka shansin historik, për t`u liruar nga ngerçi e stërkeqja e gjatë. Zgjedhjet e menjëhershme partiake, janë pa alternativë, domosdo, për suksesin e pritshëm. 

Frika, e përdorur si gogol, se zgjedhjet mund ta përçajnë LDK-në, është një panik i përhapur nga ata që duan statusquonë, vazhdimësinë e ngulfatjes të partisë dhe koalicionimin me bandat e PAN-it. Por, nëse aplikohet, zbatohet formula e porosisë-amanet numër 3 (tre), e Presidentit Rugova, për zgjedhjet demmokratike, amortizohen të gjithë zërat disfatistë. LDK-ja e dalë nga binarët e rugovizmit, i kthehet frymës rugoviane, jo vetëm me fjalë boshe, por, me reforma e veprime konkrete demokratike.

Lavdi të përjetshme Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-së së Tij dhe tonës - njëherësh.

Ju falemnderit për vëmendjen!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat