Në Qeverinë e Kosovës në bashkëpunim me OJQ GERMIN, këto ditë u mbajt një debat i hapur me përfaqësuesit e diasporës. Panelin e diskutimit e drejtuan zotërinjtë Jahja Lluka-këshillar i Kryeministrit Zt. Haradinaj dhe njëkohësisht Kryetar i Komisionit Qeveritar për Vitin Mbarë-Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Znj. Liza Gashi, përfaqësuesja e OJQ GERMIN dhe ish Ministri i parë i Diasporës Zt. Ibrahim Makolli.
Në takim u diskutuan tema të rëndësishme për diasporën, për krijimin e mundësive për investime në Kosovë dhe shtetet shqiptare, për kthimin e trurit në Kosovë. U diskutua poashtu mundësia për përfaqësimin e diasporës përmes deputetëve në Kuvend.
Qeveria Haradinaj është shumë e përkushtuar që ndërmjet diasporës dhe institucioneve vendore të krijohen kushte të cilat do sjellnin rezultate në shumë fusha, e që do ndikonin në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Poashtu, pjesëmarrësit nga diaspora në debat u shprehën entuziastë dhe të hapur për bashkëpunim dhe investime në fusha të rëndësishme si kulturë, shendetësi dhe arsim.
Numri i mërgimtarëve tanë në diasporë është jashtëzakonisht i lartë. Roli i diasporës shqiptare ka qenë i madh, konstruktiv, produktiv dhe vendimtar në periudha kyçe, kur kombi ynë ishte në rrezikun e shfarosjes. Ishte diaspora shqiptare ajo që me mundin dhe sakrificën e saj ndihmoi në krijimin e dy shteteve shqiptare. (20 Maj 2018)