Shqipëri-Kosovë, me qendër të përbashkët kulturore në Australi

Diaspora

Shqipëri-Kosovë, me qendër të përbashkët kulturore në Australi

Më: 5 maj 2018 Në ora: 20:10
Pandeli Majko u takua të shtunën me përfaqësues të diasporës shqiptare në Melburn

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko u takua të shtunën me përfaqësues të diasporës shqiptare në Melburn, ku edhe përqëndrohet numri më i madh i shqiptarëve në Australi.

Gjatë bashkëbisedimit, u fol për reformat që po ndërmerr qeveria shqiptare sa i përket trajtimit të shqiptarëve jashtë vendit.

Majko që informoi të pranishmit lidhur me përmbajtjen e ligjeve të miratuara së fundmi, ai “Për Diasporën” dhe Ligji për Agjencinë Kombëtare të Diasporës.

Ndërsa e vuri theksin tek rëndësia e përfshirjes së gjuhës shqipe në programin shkollor në zonat ku jetojnë shqiptarë, Majko kërkoi bashkëpunimin e shoqatave shqiptare dhe pjesëtarëve të tjerë të komunitetit në organizimin e aktiviteteve të rregullta vjetore, ku do të mblidheshin shqiptarët.

Ministri foli për planet e ngritjes së një qendre kulturore në Australi, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, me të cilën do të ndajnë edhe shpenzimet.

“Si Tirana, ashtu edhe Prishtina janë përballë një prove delikate lidhur me mënyrën se si do të koordinohen për diasporën”, tha Ministri Majko, i cili shpjegoi në detaje edhe marrëveshjen për një qendër të përbashkët botimesh, me bazë në Prishtinë dhe degë në Tiranë.

Përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Melburn shprehën kënaqësinë për vizitën e Ministrit Majko dhe u ofruan të ndihmojnë për ruajtjen e kulturës dhe identitetit shqiptar tek brezi i ri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat