E diela me diell, politikë dhe artista

Diaspora

E diela me diell, politikë dhe artista

Nga: Gëzim Muçolli Më: 25 prill 2018 Në ora: 19:03
Foto nga vendi i ngjarjes

Të dielën me 22 prill rruga dhe tradita e vetdijësimit në mërgim na bashkuan me mërgimtarë të tjerë në teatrin Alberti në qytetin e bukur Desenzano buzë Liqenit Garda.Teatër i bukur klasik që mund të nxënte edhe poaqë publik sikur organizatori të kishte bërë njohtimin me kohë.

Folësi i parë kishte ardhur nga Gjermania dhe meqë kishte një mbiemër historik të kohëve të dikurshme dhe të reja,e duke qenë edhe koordinator për vende të Europës dhe militant partiak foli për shumëçka që mund të ishte interesante për mërgatën e Kosovës në Evropë por duke harruar dallimin se në Itali aktualisht mërgata sillet nga oportunizmi deri te mohimi i rolit funksional sidomos pas mosnjohjes së kujdesit dhe kontributeve në vendlindje, ku dikur shiheshin ndryshe kurse tash si " fattore di disturbo" gjatë pushimeve të verës duke marrë edhe epitetin "erdhën këta të huajt".

Folësi i dytë , kryesori, ishte Fatmir Limaj, zëvendës kryeministër i qeverisë aktuale të Republikës së Kosovës. I mirëpritur nga publiku i pranishëm, ai kishte shfrytëzuar rastin e një vizite institucionale me ftesë të autoriteteve italiane një ditë më parë, që të dielën t'iu fliste edhe bashkatdhetarëve që jetojnë në Itali.

Diskutimi i tij mjaft spontan dhe human u mirëprit nga publiku duke vlerësuar afërsinë që synonte dhe këshillat që mos të ketë qasje dëshpëruese apo urrejtje ndaj shtetit të Kosovës edhe kur pushteti ua vështirëson jetën në ato 10-15 ditë pushime në vendlindje. Mos e urreni shtetin për faj të pushtetit- tha ai.

Kjo ishte qasje direkte në problemet e komunikimit mes një udhëheqësi shtetëror dhe qytetarëve mërgimtarë nga Kosova, duke tejkaluar retorikën dhe premtimet që zakonisht dikush mund ta përdorte sikur në fushatë zgjedhore. Ishte si njohje e asaj që nuk duhet të jetë mes nesh për fajin e dikujt që nuk i kryen detyrat e veta.

Takimin e udhëheqi shkëlqyeshëm njëra nga figurat më të njohura të radiotelevizionit kombëtar shqiptar, artistja e madhe , zonja Silvana Braçe me plot fjalë të zgjedhura për mallin e vendlindjes si dhe sakrificën e ish ushtarëve dhe komandantëve të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës gjatë luftës dhe pas saj.

Pas i e kreu fjalën e tij zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, takimi zyrtarisht u mbyll përballë pakënaqësisë së heshtur të shumë mërgimtarëve që kishin pritur dialogim me të. Por siq duket organizatorët lokalë të këtij takimi kishin dëshiruar monologun dhe momentet e mëpastajme pas përfundimit zyrtar që dikush i shfrytëzoi për fotografi rasti me mysafirin e nderuar, veprimtarë të tjerë e përshëndetën duke biseduar shkurtimisht mbi çështje dhe probleme që munguan në këtë takim.

Zëvendëskryeministri me dashamirësi iu përgjigj pyetjeve spontane dhe ishte mjaft i drejtpërdrejtë, duke lënë të kuptohej se parapëlqen dhe nuk priton dialogimin sidomos me mërgimtarët.

Ishte edhe kjo një nga ditët e veçanta që kur janë për kronikë shënohen me diçka që na bënë ti kujtojmë . Këtë herë ishte dita me diell, nderimi për fjalën e Komandant Çelikut, teatri klasik , prania e artisteve shqiptare Silvana Braçe dhe Cota Luna, takimi me shokë mërgimtarë që kishte kohë pa u parë , një libër i dhuruar me temë jetën e një miku që ka sakrifikuar shumë për Kosovën si dhe panorama e bukur e bregut të liqenit në Desenzano sul Garda afër Veronës.

Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat