Kumtesat dhe mesazhet, për me rastin e promovimit të librit të Frank Shkrelit, “Demokracia nuk pret” në selinë e Vatrës

Diaspora

Kumtesat dhe mesazhet, për me rastin e promovimit të librit të Frank Shkrelit, “Demokracia nuk pret” në selinë e Vatrës

Më: 23 prill 2018 Në ora: 06:13
Promovimi i librit të Frank Shkrelit, "Demokracia nuk pret"

Fjala e Dr. Elez Biberaj, Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë - Zëri i Amerikës, në Promovimin e Librit te Frank Shkrelit, Demokracia nuk pret!

VATRA, New York

21 prill 2018

Ju falenderoj perzemersisht per ftesen per te marre pjese ne kete takim. Eshte nder dhe privilegj per mua qe te marre pjese ne promovim te libirt te mikut dhe kolegut tim, Fran Shkreli.

Frani ka dhene dhe vazhdon te jape nje ndihmese te cmuar ne publicistiken shqiptare, ne pergjithesi, dhe ne avancimin e ceshtjeve shqiptare, ne vecanti.

Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu ne VATAREN tone dhe në shoqërinë e personaliteteve të njohura dhe të miqve e kolegëve.

Deshiroj te shpreh mirenjohje per VATREN, per kujdesin qe gjithmone ka treguar dhe vazhdon te tregoje per promovimin e veprave te anetareve te bashkesise sone.

Para se te flase per librin e Franit, do te kisha deshire te theksoj lidhjet e ngushta qe kane ekzistuar historikisht midis Zerit te Amerikes dhe VATRES – qe nga vitet e veshtira te Luftes se Ftohte e deri ne ditet tona. Zeri i Amerikes gjithmone eshte perpjekur te pasqyroje veprimtarine dhe angazhimin e organizatave dhe shoqatave shqiptaro-amerikane, vecanerisht ato te VATRES.

Image
Elez Biberaj

Arkivi i Zerit te Amerikes permban regjistrime te shumta te ngjareve, takimeve, dhe personaliteteve me te rendesishme te bashkesise sone.  Ketu perfshihen fjalimet e Fan Nolit, te cilat nepermjet VATRES iu dhuruan Bibliotekes Kombetare ne Tirane.

Gazetare te shquar te Zerit te Amerikes kane luajtur rol te rendesishem ne mbarevajtjen e VATRES dhe te Diellit –  Xhevat Kallajxhiu, Idriz Lamaj, Gjek Gjonlekaj, e te tjere.  Disa prej nesh, perfshire edhe mua, shkrimet e para i kemi botuar ne gazeten Dielli.

Frank Shkreli ka nje kariere te gjate, te shquar e te pasur.  Gjate gjithe veprimtarise se tij, ai e ka deshmuar vehten si mbrojtes i flaket i lirise se fjales e te shtypit, i te drejtave te njriut, dhe si avokat i ceshtjes shqitare.

Veprimtaria publicistike e Frank Shkreli shtrihet ne gati pese dekada. Karieren e tij ai e ka filluar menjehere pas imigrimit ne Shtetet e Bashkuara dhe gjate studimeve universitare.  Fillimish, ai u perqendrua ne ceshtjet shqiptare – sfidat e ndryshme me te cilat ballafaqohej bashkesia jone shqiptaro-amerikane si dhe shqiptaret ne vendlindje.

Pasi e dallon veten ne kete fushe, Frani zgjeron horizontin e tij dhe fillon te merret me ceshtje rajonale e globale – me ceshtje me madhore. Ai zhvillon njohuri te gjere per marredheniet nderkombetare, ne pergjithesi, dhe ish-blokun komunist, ne vecanti. 

Frani ka nje ndergjegjesim te larte politik dhe njohuri te jashtezakonshme mbi politiken e jashtme amerikane dhe funksionimin e Uashingtonit.

Frani ka aftesi te analizoje dhe te shkruaj mbi ceshtje aktuale rajonale dhe nderkombetare. Por pas daljes ne pension, ai ben nje kthese 360 gradesh, duke u kthyer aty ku e kishte filluar veprimtarine e tij publistike: Ai vendos t’ia kushtoje vemendjen kryesore ceshtjeve dhe zhvillimeve shqiptare. 

Kjo pasqyrohet ne angazhimin e tij te gjithaneshem per ndergjegjesimin e Shteteve te Bashkuara mbi gjendjen, kerkesat dhe aspiratat e shqiptareve, vendosjen e demoracise ne trevat shqitare, dhe krijimin e shoqerive demokratike e gjitheperfshirese. 

Fruti i kesaj veprimtarie eshte libri qe kemi perpara, Demokracia nuk pret! Ne shkrimet e tij, dhe vecanerisht ne ato qe jane perfshire ne kete liber, Frani trajton ceshtje, ngjarje dhe tema nga me te ndryshme dhe e ben kete ne menyre te besueshme dhe objektive. Ai trajton te kaluaren tone – anet positive, ato negative, dhimbjet, gezimet – si dhe problemet bashkekohore. Frani i analizon te gjitha keto me nje sy kritik, por gjithmone duke arritur perfundime te rendesishme qe mund t’u hyjne ne pune vendim-marresve shqiptare ne perballimin e sfidave te dukshme strategjike dhe diplomatike me te cilat ballafaqohen.

Ne artikujt e tij, Frani thekson me force domosdoshmerine qe shqiptaret te konsolidojne orientimin e tyre perendimor.

Shtrohet pyetja: pse jane shkrimet dhe pikepamjet e Fran Shkreli te rendesishme?  Cka u ofron ai lexueseve ne nje kohe kur peisazhi mediatik shqiptar eshte zgjeruar dhe ndryshuar ne menyre dramatike?

Fran Shkreli eshte gazetar dhe analist profesionist.  Pasuria e tij me e madhe eshte niveli i larte i besueshmerise qe ai ka arritur te krijoje tek lexuesit e tij. Kete besueshmeri ai e ka siguruar fale aftesise per te qene objektiv dhe duke anashkalluar qendrime te njeaneshme.

Frani eshte i vetdijshem se ndersa sot gazetaret kane mundesi te jashtezakonshme dhe mjete te sofistikuara, misioni i gazetarit vazhdon te jete po ai qe ka qene gjithmone – qe te tregohet e verteta, edhe kur ajo eshte e hidhur. Ai ka qene gjithmone ne kerkim te se vertetes.

Frani bashkebisedon me lexuesit e tij nga nje kendveshtrim i vecante – nga kendveshtrimi i nje publicisti te njohur shqiptaro-amerikan, i cili eshte thellesisht i interesuar ne konsolidimin e demokracise ne trevat shqiptare dhe ne thellimin e partneritetit strategjik midis shqiptareve dhe Shteteve te Bashkuara. 

Ai u kujton shqiptareve se keto marredhenie duhet kultivuar ne vazhdimesi dhe se thellimi i tyre varet nga perfaqesimi, nga ana e shqiptareve, te vlerave demokratike – respektimi i te drejtave te njeriut, vendosja e sundimit te ligjit dhe qeverisja e mire dhe llogaridhenese.

Ne kete drejtim, besoj se Frani pasqyron pikepamjet dhe deshirat e bashkesise sone per krijimin e nje shoqerie me te drejte dhe me demokratike ne trevat shqiptare.

Libri i Franit, Demokracia nuk pret, eshte nje burim i rendesishem per gazetaret, studentet, dijetaret dhe politikanet.  Me kete veper, Fran Shkreli ka dhene nje nidhmese te rendesishme ne debatin politik dhe mediatik shqiptar.  Toni dhe substanca e shkrimeve te tij jane te vecanta ne peisazhin mediatik shqiptar.

Libri i Franit eshte botuar ne kohen e duhur dhe eshte shume aktual.

Shqiptaret – kudo qe ndodhen, ne Shqiperi, Kosove, Maqedoni, dhe vende te tjera – kane te drejte te ndihen krenare per arritjet e gjithaneshme ne krahasim me gjendjen e tyre para nje cerek shekulli.  Dhe kete jave, Shqiperia mori nje lajm shume te mire nga Brukseli – rekomandimin per fillimin e bisedimeve per anetaresim ne Bashkimin Evropian. 

Por, sic ve ne dukje Frani ne librin e tij, shqiptaret kurresesi nuk mund te te jene te kenaqur me stadin e tanishem politik, economik, dhe shoqeror.

Ndersa rekomandimi i Brukselit eshte shpresedhenes, ai paraqet nje moment te volitshem qe elitat qeverisese, jo vetem ne Shqiperi, por edhe ne Kosove e ne Maqedoni, te reflektojne mbi ato qe do ti quaja raste te arta qe shqiptaret kane humbur gjate viteve dhe dekadave te fundit dhe qe kane ngadalesuar rrugen e tyre per konsolidimin e demokracise. Bisedimet per anetaresim ne Bashkimin Evropian duhet te kishin filluar vite me pare. Duhet pranuar se ky dhe raste te tjera te arta per Shqiperine dhe per Kosoven, jane humbur kryesisht si rrjedhim i i mangesive te theksuara udheheqese te vendim-marresve shqiptare.

Sot, shqiptaret perballen me sfida te dukshme:  problemet ekonomike; papunesia e larte dhe varferia; korrupcioni qe ka depertuar ne te gjitha nivelet e qeverisjes dhe te shoqerise; paligjshmeria dhe mungesa e shtetit ligjor; institucionet e dobeta; dhe politikane te papergjegjshem qe tolerojne e nxisin korrupcionin dhe perdorin praktika jodemokratike per te siguaruar dhe mbajtur pushtetin.

Ketyre sfidave te brendshme tani u shtohen edhe disa probleme te jashtme: prirja rajonale dhe globale e rreshqitjes se demokracise; forcimi i alternatives autoritare, si ne Turqi dhe Rusi; dhe ndryshimi i peisazhit politik balkanik dhe evropian.

Nderkohe, aktoret kryesore perendimore po tregojne shenja lodhjeje me shqiptaret – te cilet vazhdojne te prodhojne kriza, qe pastaj kerkojne vemendje dhe burime te medha. Keto prirje negative nderkombetare mund te minojne pozitat e shqiptareve dhe te shkaktojne nje perkeqesim ne ecurine e tyre politike dhe ekonomike.

Sot nuk flitet me per nje dinamizem ose ritem te sigurt reformash ne trevat shqiptare.  Perkundrazi, ndihet nje ngecje, zvarritje, renie e pergjithshme, humbje shprese, dhe polarizim i skajshem politik, qe mund te kene pasoja te rrezikshme per te ardhmen.

Ne qofte se nuk ndryshohen se shpejti, keto prirje negative do te veshtiresojne perpjekjet e shqiptareve per t’u ankoruar qartesisht ne familjen e vendeve dhe shoqerive demokratike perendimore.

Qe te nderpritet kjo renie e pergjithshme, shqiptaret duhet te ndermarrin ndryshime radikale, qe do te rezultonin jo vetem ne nje kurs te ri drejtimi por do te transformonin rrjenjesisht shoqerine shqiptare. 

Per te arritur keto objektiva, eshte e domosdoshme qe,

Stili i tanishem i qeverisjes te ndryshoje me themel dhe te perqendrohet tek interesat themelore kombetare e jo tek ato partiake ose tek objektivat politike afat-shkurtera.

Forcat kryesore politike te bien ne ujdi mbi vizionin per te ardhmen e vendit dhe mbi perpilimin dhe zbatimin e politikave madhore qe do te conin ne realizimin e ketij vizioni.

Te krijohen dhe te fuqizohen institucione me te vertete te pavarura dhe te afeta per vendosjen e shtetit ligjor dhe crrenjosjen e korrupsionit.

Media te clirohet nga trysnia dhe interesat politike dhe financiare.

Procesi i vendimmarrjes per ceshtje te rendesishme te jete gjitheperfshires, me pjesemarrjen e aktoreve kryesore, grupeve te interesit, te shoqerise civile, dhe eksperteve.

Dhe se fundi, e gjithe shoqeria duhet te ndryshoje thellesisht – menyra si mendon dhe si vepron ajo.  Shqiptaret duhet te jene me kerkues dhe ndeshkues ndaj politikaneve te tyre dhe te kerkojne llogaridhenie, transparence dhe pergjegjshmeri me te madhe. 

 

Keto jane objektiva shume te veshtira dhe duhet vullnet politik dhe kohe qe ato te arrihen. 

Por shqipetaret ne pergjithesi, e jo vetem udheheqesit dhe politikanet e tyre, ndodhen para nje prove historike: te pajtohen me gjendjen e tanishme ose te zgjohen nga amullia, te kapin momentin dhe te ndermarrin hapat e nevojshem per te realizuar potencialin e tyre te plote demokratik.

Sic thekson Frank Shkreli, Demokracia nuk pret.

 

Fjala Përshëndetse në bashkëbisedimin e mbajtun në selinë e Vatrës me rastin e promovimit të librit “Demokracia nuk pret” e shkrimtarit Frank Gjeto Shkreli (Tiranë, 2016) datë 21 prill 2018.

Përshëndetje Z. Kryetar,

Të nderuem kolegë e miq të Vatrës dhe kolegut Frank Gjeto Shkreli:  Mirëdita! 

Ju falënderoj që më jepet sot mundësia me thanë dy fjalë të mira për kolegun tim Frank Gjeto Shkreli. Siç thotë edhe emni ai vjen nga katundi i Shkrelit. Unë vij nga Repishti, të dy pjesë e rrethit Koplik, Shkodër, rreth 2-3 orë distancë me kambë. E kam kushëri. simbas zakonit të maleve tona…..

Image
Sami Repishti, Ph.D

Kërkoj falje që gjendja e ime shëndetsore nuk më lejon sot me qenë këtu e me nda së bashku kënaqsinë tonë për celebrimin e punës së frytëshme të këtij kolegu aktiv e të çmuem.

Kanë kalue shumë vjet që nga dita kur unë njoha Frankun rastësisht gjatë nji vizite në zyrët e Zërit të Amerikës. Paraqitjen e bani kolegu i ynë i përbashket, Dr. Elez Biberaj, dhe të tre kaluem nji dreke pune që, për fatin e mirë, krijoi premisat e nji shoqënie të sinqertë dhe të nji bashkëpunimi të frytëshëm. Ishin vitet e veprimtarisë sonë aktive në sherbim të kauzës për të gjithë ne: për pavarësinë e Kosovës. Cili shqiptar që mban këte emën me krenari guxonte me mohue kontributin e vet për nji kauzë të shenjtë, siç ishte pavarësia e Kosovës? Na, të gjithë na, ishim “kosovarë” që nga Tivari deri në Prevezë, si thotë kanga e vjetër.

Shumë ujë ka rrjedhë nen urë; shumë gjak ashtë derdhë; e shumë djersë ka shkue rrke si rrjedhim i punës së madhe e të përbashkët në sherbim të Nanës Kosovë. Nga ata që u dalluen ka qenë Frank Gj. Shkreli në cilësinë e tij si drejtor i seksionit euro-aziatik në Zerin e Amerikës për vite të gjata dhe kushtim të plotë. Ma parë kam shkrëue: “Paraqitja në publik e gazetarit dhe transmetuesit të programeve televizive të analistit politik shqiptaro-amerikan, Frank Shkreli, ashtë nji eveniment me randësi për botën kulturore shqiptare, dhe sidomos per ne, shqiptaro-amerikanët. Ashtu ashtë edhe sot. Jetëshkrimi dhe veprimtaria e këtij personaliteti që u lind në nji fshat të vogël e arriti pozita të nalta në administratën amerikane ashtë tregimi ma i mirë i përgatitjes, aftësisë, dedikimit dhe ndershmënisë intelektuale të Frank Shkrelit. Arsim e punë kambëngulëse kanë qenë dy krahët që lehtësuen fluturimin e Frankut në sukses, dhe e ngritën ate në sferat e nalta amerikane. Sot, ai thotë me mburrje: ”Jam shumë krenar për sherbimet e mia në Administratën amerikane”.  Në vitin 2003, Franku doli në pension që do të thotë ma shumë kohë me shkrue.

”E gjithë veprimtaria e Frank Gj.Shkrelit, qoftë ajo letrare, qoftë politike, përshkohet nga tri ide kryesore, boshti i filozofisë së jetës tij;

E para: besimin në Zotin, feja e krishtenë; dhe

E dyta: sherbim për atdheun Nanën Shqipëri, që për atë përfshinë të gjithë hapësinën shqiptare në Ballkan, Me nji pikë qendrore: epoka e lavdishme skenderbegiane. “Fe e Atdhe”.

E treta; përpjekja koshiente dhe konstante me mbrojtë demokracinë liberale amerikane, dhe me luftue pa kompromis murtajën komuniste në Shqipëri, dhe kudo që ajo paraqitej.

E kaluemja e Frankut në vendlindje, jeta e peripecitë e familjes tij në Shqipëri dhe në ish-Jugosllavi, tragjedia e popullit shqiptar, sidomos gjenocidi i klerit katolik shqiptar, vorfënia, shtypja, paditunia masive dhe poshtënimi i pësuem si shqiptar në nji shtet sllav kanë formue karakterin e tij, dhe kanë lanë gjurme të thella tek i riu Frank Shkreli, pa u sherue asnji herë. Lexoni “Demokracia nuk pret” e do ta kuptoni.

Ky tubim u pagëzue nga organizatorët si “bashkëbisedim” dhe për këte unë i përgëzoi plotësisht. Ashtë nji term që përmbledh shokë e miq me mendime të ndryshme por me qellime të përbashkëta. Si akt krijimi, kjo inisiativë ashtë jashtëzakonisht e randësishme dhe i ka mungue bashkësis sonë këtu në Amerikë për shume vjet. Ka ardhë koha kur elementë pozitivë dhe të ndërgjegjshëm të mblidhen me njeni-tjetrin me shqyrtue gjendjen tonë këtu si komunitet dhe atë të hapësinës shqiptare, sepse ka nevojë urgjente për nji orientim që e kërkon e nuk e gjen. Kjo hapësinë përfshinë të gjithë ata që me ndërgjegje dhe lirisht bukën e quejnë bukë,dhe besën shqiptare e mbajnë besë shqiptare. Aty ashtë Shqipëri, pavarësisht nga ndeshtrashat politike e ndasitë kufitare. Uroj që organizatorët të inkurajohen, të ndihmohen dhe të shpërblehen me bekimet tona për këte punë me vlera të pa përshkrueshme. Këtu ashtë Shqipëria e jonë, kjo ashtë Shqipëria e jonë! Le ta ndertojmë simbas konditave të vendit shoqëninë tonë shqiptaro-amerikane, të lirë, të denjë dhe të aftë me ndihmue vëllaznit e motrat tona kudo që janë, në të gjitha fushat, kryesisht në gjuhë shqipe arsim. 

Dhe ma në fund, si thonte Noli i madh: “Paçi uratën e Perendisë!”

Falemnderit!                                               (Sami Repishti, Ph.D)

--------------------------------------------------------------------------------------------

Fjala Përshëndetse në bashkëbisedimin e mbajtun në selinë e Vatrës me rastin e promovimit të librit “Demokracia nuk pret” e shkrimtarit Frank Gjeto Shkreli (Tiranë, 2016) datë 21 prill 2018.

Profesor Nick Pano:  Demokracia nuk pret  

The panel discussion “Demokracia nuk pret” is both timely and relevant as Albania finds itself at another critical juncture in its post-communist transition. This program is being held in the immediate aftermath of the issuance of the 2018 Freedom House Report on Albania and the 2018 European Commission Progress Report on Albania. The observations and conclusions reported in these documents have aroused both positive and negative reactions from the various segments of the Albanian political elite as well the country’s extensive commentariat.

With the exception of the generally positive reception of the EC recommendation that the European Union begin accession negotiations with Albania, the responses to both these reports have been largely colored by the partisan and ideological perspectives of their authors. Given the highly charged and polarized Albanian political environment in which the discussions of these recent evaluations of the status of  the country’s transition have occurred, today’s program provides a valuable opportunity for a more detached and sober analysis of the multi-faceted aspects of Albania’s transition and the challenges the country must overcome to succeed in its quest for political democracy, a free market economy, greater socio-economic equality, the rule of law, human rights and the  mitigation of crime and corruption.

Image
Profesor Nick Pano

The realization of this agenda may prove to be an even more daunting challenge than in the past, given the growth of political polarization in mature democracies such as the United States and several countries in Western Europe and the emergence of authoritarian nationalist parties and regimes in Central and Eastern Europe. This latter development has been well received by some elements of the Albanian political right. And, in Albania, the implementation of the democratic agenda is further complicated by what appears to be the ingrained undemocratic instincts of key members of the leaderships of the major political parties. Additionally, there appears to be a deepening resentment on the part of some Albanians to the ongoing role and influence of external actors and interests in the affairs of their homeland.

The panelists for this program are uniquely qualified to provide informed and authoritative perspectives regarding Albania’s transition experiences and future prospects. All have served with distinction as members of the Albanian Service of the Voice of America. Frank Shkreli is the retired director of the VOA’s Eurasian Service and Elez Biberaj serves in that capacity today. Idriz Lamaj was a long time VOA broadcast journalist and is the author of a number of studies on Albanian affairs. The panelists have followed, reported on and participated in major events in the evolution of post-communist Albania from the collapse of the communist regime to the present. All have published books, articles and have made numerous presentations regarding Albania’s history, politics, society and international relations that have been well received. Indeed, the first volume of Frank’s Demokracia nuk pret, comprises the initial installment of his approximately 1,000 articles on various aspects of Albanian life published in the Albanian press in the homeland and the diaspora. And this book provides both the inspiration and title for today’s program.

My greetings to the panelists and conference participants. And, my best wishes and congratulations to those VATRA officers and members involved in the planning and hosting of this event.

Prof. Nick Pano

Nëpër kohë...Jusuf Buxhovi

Publicistika shqiptare, nga koha e Konicës e këndej, përherë ka ruajtur qasjen e angazhuar ndaj problemeve shoqërore, politike dhe atyre kulturore. Ky fokusim përherë është sjellë kah çështjet identitare si dhe ato ekzistenciale, sidomos në rrethanat e kapërcimeve historike siç ishin ato nga pushtimi osman tek pavarësia për një pjesë të kombit të përfshirë nën kufijtë e shtetit të përgjysmuar, dhe ato të robërisë serbo-jugosllave për pjesën tjetër. Natyrisht se këto kapërcime historike nuk janë përcjellë kurdoherë edhe me ndryshimin e mentaliteteve, që kanë sjellë gjendjet e reja, sidomos atyre me cilat thyheshin paragjykimet fetare ose ato të përkatësisë së qytetërimeve, me të cilat merrej aq me përkushtim Konica ynë, duke u përpjekur që ato t’i përshpejtojë jashtë natyrës së gjerave dhe jashtë kohës madje.

Meqë komunizmi mbylli për gjysmë shekulli diskursin kritik-ironik të Konicës ndaj problemeve shoqërore dhe politike duke i vendosur ato në sfondin e kundrimeve të njohura ideologjike dhe të idiolatrisë së saj, me tranzicionin e fillim viteve të nëntëdhjeta, shoqëria shqiptare në Shqipëri dhe ajo në Kosovë, serish u gjend para sfidës së ndryshimeve të mëdha shoqërore dhe politike, kur duhej të mësohej me demokracinë, lirinë dhe përgjegjësinë që sjellin ato jo vetëm në raport me qytetarinë, po edhe me çështjet identitare, në mënyrë që t’i bashkohemi rrjedhave të përgjithshme të shoqërive të lira dhe të qytetëruara.

Image
Jusuf Buxhovi

Natyrisht se në një shoqëri të robruar mendërisht, ku liria përjetohet vetëm si një mundësi për sjellje të pambikëqyrur dhe pa përgjegjësi, kapërcimi kthehet në një ngatërresë tjetër, në një humbje të drejtpeshimit shpirtëror dhe moral, në një gjendje anarkike, ku rendi dhe ligji shihen si pengesa që duhet rrënuar me çdo kusht, me çka, një shoqëri e humb edhe kompasin e vet midis vlerave dhe jovlerave, midis të mirës dhe të keqes...

Dimensioni i shthurur i lirisë pas tranzicionit të papërfunduar ose keq të përfunduar - në Shqipëri, si dhe problemet me lirinë pas çlirimit - në Kosovë, preokupojnë edhe publicistin Fran Shkreli, objektivi i të cilit, mbi këto çështje drejtohet nga jashtë, pra nga SHBA-ja, një vend demokratik, prej nga botës shqiptare në çastet më të rëndësishme të ekzistencës nga politika amerikane i ka ardhur ndihma e duhur (herën e parë, nga Presidenti Wilson, kur në Konferencën e Paqes në Paris kërkoj mbrojtjen e shtetit shqiptar nga copëtimet, dhe herën e dytë, kur presidenti Bush, në vitin 1997, tha se Kosova duhej të shpallej e pavarur).

Duke parë nga një pozitë e tillë, F. Shkreli trajton problemet shqiptare, jo me brengën e Konicës deri në dëshpërim, por me një shqetësim ngaqë, në njërën anë shoqëria shqiptare nuk po ia del që të mundë apo të lirohet nga ngarkesat ideologjike dhe mbetjet e tyre,  dhe në tjetrën anë, nuk po ia del që të tejkalojë  sa duhet ngarkesat e mentaliteteve fetare, të cilave,  Rilindja jonë kombëtare, u kishte dhënë përgjigje të duhur.

Këtu dhe te këto çështje, F. Shkreli i referohet pikërisht ideve dhe personaliteteve që nacionalizmin shqiptar e kthyen në nacionalizëm politik, me të cilën u shpall shteti shqiptar, si parakusht për t’iu kthyer gjenezës së qytetërimit perëndimor, ku i ka rrënjët dhe vendin.

Ndaj, jo rastësisht, ridefinimit të shqiptarizmit në rrethanat e reja, Shkreli i referohet me shëmbëlltyrën e Skënderbeut si dhe rolin e tij në historinë tonë kombëtare. Jo rastësisht, Shkreli, i referohet Fishtës dhe veprës së tij madhore për ta treguar dimensionin e fuqisë shpirtërore dhe krijuese të një populli që buron nga arti i madh.

Në tërësi, kundrimet publicistike të F. Shkrelit paraqesin një udhëtim nëpër kohë, kohë kjo që sillet në qarkun tonë shpirtëror dhe historik.

....           

Mbi vlerat dhe temat kryesore të gazetarit Frank Gjeto Shkreli - Nga Thanas L. Gjika

Në vitet kur Shqipëria nuk kishte marrëdhënie diplomatike me SHBA-të, “Radio Zëri i Amerikës”, luajti rolin e ambasadës amerikane për të ndihmuar popullin shqiptar për informimin e popullit shqiptar mbi ngjarjet kryesore, duke ia treguar ato me vërtetësi, ashtu si kishin ndodhur. E në këtë mision kanë dhënë ndihmën e tyre të çmuar një sërë burrash e djemsh shqiptarë si, Jozef Paskali, Talat Karagjozi, Xhevat Kallajxhi, Ilia (Louis) Prifti, spikerja Lulu Vrioni (mbesë e Mit'hat Frashërit), Ruzhdi Daca, Gasper Kiçi, Bardhyl Pogoni, Dr. Elez Biberaj, Idriz Lamaj dhe Frank Gjeto Shkreli.

Image
Thanas L. Gjika dhe Frank Shkreli

Krijimtaria publicistike e gazetarit Frank Shkreli e shpërndarë në shumë gazeta të diasporës, të Shqipërisë dhe Kosovës, bashkë me librin e tij të ri “Demokracia nuk pret” (BOTIMET MORAVA, Tiranë 2016, 476 f.), është një minierë e vërtetë me vlera politike, shkencore dhe kulturore. Ky autor ka si tipar kryesor shprehjen flakë për flakë të interpretimeve të tij për politikën shqiptare, për marrëdhëniet amerikano-shqiptare dhe për çështje rajonale të Ballkanit, të cilat drejtpërdrejt ose terthorazi kanë interes të veçantë për botën shqiptare. Vigjilent tregohet ky autor dhe ndaj politikës së jashtme të Rusisë dhe të Turqisë ndaj Ballkanit Perëndimor dhe ndaj politikës së brendshme të shteteve fqinjë që vijojnë t'i shkelin të drejtat e shqiptarëve që jetojnë brenda tyre.

Shpresa do ta mundë dëshpërimin

Frank Shkreli, është një politolog që jep mendime kritike ndaj shkaqeve që e pengojnë ecjen e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, por atij nuk i mungon orientimi optimist për të ardhmen. Duke u mbështetur dhe te gjeopolitika dashamirëse e SHBA-ve dhe e BE-së ndaj Shqipërisë, ai ka formuluar idenë pozitive “shpresa do ta mundë dëshpërimin” (“Demokracia nuk pret” f. 30). Optimizmin e vet objektiv, Shkreli e lidh dhe me ngjarjet e mëdha që kanë ndodhur në këto 27 vjet, si shkërmoqja e diktaturës komuniste në Europë dhe Shqipëri, çlirimi i Kosovës nga zgjedha sërbe dhe rritja e përpjekjeve të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, Mal të Zi dhe Sërbi për të fituar më shumë të drejta politike dhe qytetare. Ai thekson: “Eshtë në dorë të shqiptarëve si asnjëherë më parë, që Shqipëria dhe shqiptarët ta ndjejnë sot veten mirë në mbarë trojet e tyre autoktone” (f. 144).

Ku shkelet e drejta e shtypit, do të shkelen dhe të drejtat e tjera

Frank Shkreli ecën në rrugën e Profesor Repishtit lidhur me luftën për zbatimin e të drejtave të njeriut. Mbështetur në artikullin 19 të “Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut”, ku përcaktohet e drejta për lirinë e shprehjes së opinionit, e marrjes dhe e dhënies së informacionit, Shkreli sulmon shkeljen e kësaj të drejte në Republikën e Turqisë dhe në Republikën e Shqipërisë.

Autori, pasi sqaron sesi organizmat ndërkombëtare e kritikuan qeverinë turke për gjendjen e rëndë të krijuar për gazetarët e atij vendi, në shkrimin “Shtypi nën presion në Turqi dhe në Shqipëri” (f. 16-21), kalon te rasti konkret i sulmit që z. Gjiknuri i bëri gazetës së pavarur “Telegraf” të Tiranës. Kjo gazetë kishte kritikuar një ditë më parë Ministrinë që ai drejtonte dhe ky Ministër të nesërmen e paditi këtë gazetë të përditshme te Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me akuzën se ka cënuar rëndë nderin dhe personalitetin e tij dhe ka përhapur në publik informacion të pavërtetë. Gjiknuri i kërkoi Gjykatës që ta detyrojë gazetën “Telegraf” t'i paguajë atij si dëmshpërblim shumën prej 10 milion lekësh ose 100 mijë dollarësh. Mirëpo një ditë më pas, Komisioni i Lartë i Shtetit (KLSH) njoftoi se kishte dorëzuar padinë e vet në Prokurori ndaj z. Gjiknuri për shpërdorim detyre. Për ta demaskuar më tej këtë Ministër dhe kolegë të tij që shkelin të drejtat e shtypit shqiptar, autori citon pjesë nga fjalimi që mbajti Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, zoti Ban Ki Moon, në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit ku ai theksoi nevojën e mbrojtjes së gazetarëve nga presionet e qeveritarëve. Si konkluzion autori konkludon se në Shqipëri sjellja e z. Gjiknuri paralajmëron edhe shkelje të tjera të të drejtave të njeriut, sepse aty demokracia është e brishtë...

Vlerësimi i Kishës Katolike dhe i barinjve të saj

Frank Shkreli është bir i komunitetit të krishter katolik shqiptar mbi të cilin politika e regjimit komunist solli pasoja shkatërrimtare, prandaj ai e ndjen për detyrë shpirtërore të kujtojë herë pas here plagën e shkaktuar gjatë diktaturës komuniste në fushën e besimit fetar dhe pasojat e saj. Kështu ai vë re se edhe në Shqipërinë pasdiktatoriale ka një nënvlerësim ndaj kolosit At' Gjergj Fishta. Poema “Lahuta e Malsisë”, sqaron autori, midis shqiptarëve të Jugosllavisë ka qenë kënduar në çdo vatër familjare gjatë gostive e festave familjare. Gjergj Fishta për mbarë shqiptarët gegë, pra për 4/3 e popullit shqiptar, ka luajtur rolin e “Poetit Kombëtar”, ashtu si Naim Frashëri për shqiptarët toskë. Prandaj lënia e shtëpisë së Gjergj Fishtës në gjendje të rënuar edhe pas 25 vjet tranzicioni dhe mospërgjigja e Ministrisë së Kulturës ndaj ofertës së zotit Sabri Maxhuni, biznesmenit nga Kosova, për të riparuar e kthyer në Muze shtëpinë e poetit me shpenzimet e veta, e revolton gazetarin Shkreli. Në fund, autori pasi i shpreh mirënjohje z. Sabri Maxhuni, e mbyll shkrimin duke e vlerësuar dhe uruar: “Kjo është atdhetari e vërtetë! Qofsh gjithmonë me faqe të bardhë!”, urim që nënkupton se Ministrisë së Kulturës i mbetet mungesa e atdhedashurisë dhe turpi.

Nostalgjia ndaj diktatorit Hoxha, një pengesë serioze për Shqipërinë

Një problem që e shqetëson shumë analistin Shkreli është mbajtja gjallë e nostalgjisë ndaj Enver Hoxhës gjatë viteve të tranzicionit. Këtë dukuri ai e konsideron si një paralele me mbajtjen gjallë të nostalgjisë së Josif Stalinit në Rusi.

Me rastin e festimit të Ditës së Dëshmorëve më 5 maj 2014, u panë tek vorrezat e dëshmorëve në Tiranë foto të diktatorit në prani të fëmijëve të shkollave që kishin shkuar atje. Këtë veprim autori e quan “të shëmtuar dhe të pafalshëm”, në një kohë kur Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe synon të hyjë në Bashkimin Europian. Shqetësimi i autorit ka lidhje me faktin se në Shqipëri këto veprime u kryen në prani të personave që janë në pozita kyçe partiake dhe qeveritare, anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë. Të tillë njerëz që nderojnë fotografinë e diktatorit me grushtin lart, sqaron autori, dëshmojnë se: “Ata... jetojnë krejt jashtë realitetit shqiptar dhe ndërkombëtar... se janë të paaftë për t'i paraqitur popullit shqiptar ide të reja për zgjidhjen e problemeve të shumta me të cilat ai përballet,.. se ata i thonë botës se gjithnjë janë krenarë që kanë qenë pjesë e një regjimi të një historie të humbur” (f. 459 - 460).

Si zgjidhje ai sjell fjalët e Presidentit amerikan Ronald Regan të vitit 1983: “Të keqen duhet ta kundërshtojmë me çdo mjet dhe me të gjitha fuqitë tona... Krenaria e Amerikës është aftësia e saj për të kapërcyer të këqiat morale të historisë së vet, duke u shkëputur prej tyre dhe duke u zotuar se nuk do të ndodhin kurrë më” (f. 458 – 459).

Ashpër e sulmon Ministren e Kulturës, zonjën Mirela Kumbaro, kur ajo sugjeroi që statujat e Leninit e të Stalinit të mos mbaheshin më në ambjente prapa Galerisë së Arteve, por të vendoseshin në ambjente të dukshme të Ministrisë së Kulturës. Shkreli kritikon jo vetëm këtë ministre, por dhe gjithë forcat politike të pozitës dhe opozitës, intelektualët dhe mbarë popullin, që heshtin kur dëgjojnë të tilla mendime në një kohë që në ambjentet e Ministrisë së Kulturës duhet të vendosen statujat e At' Gjergj Fishtës dhe atdhetarëve që ndërtuan kulturën tonë e jo statujat e ideologëve të ideologjisë komuniste që kapitulloi me turp.

Të hapen Dosjet!

Disa institucione dhe fondacione gjermane ndihmuan për të hapur gjatë dhjetorit 2014 në Tiranë dhe më pas, gjatë prillit 2015 në Berat, një ekspozitë kushtuar historisë së Europës gjatë shekullit të XX-të për të nxjerrë mësime nga jeta që kaluan popujt e këtij kontinenti nën diktaturat dhe si po jetojnë tani në demokraci. Shëmblli që ndoqi populli gjerman me qëndrimin e tij pas daljes nga diktaturat naziste e komuniste nuk u ndoq prej popullit shqiptar. Në Gjermaninë Perëndimore pas 9 majit 1945 u dënuan krimet e nazizmit dhe kriminelët nazistë, kurse në pushtet erdhën njerëz të ndershëm që nuk kishin lidhje me nazizmin. Kurse pas bashkimit të dy Gjermanive mbas vitit 1990, populli i Gjermanisë Lindore nëpërmjet hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit duke u ballafaquar me të kaluarën e tmerrshme arriti të siguronte paqen shoqërore dhe sejcili të gjente vendin që i përkiste. Kështu Gjermania e bashkuar (Republika Gjermane) ndërtoi shpejt shtetin e përbashkët demokratik, i cili eci shumë përpara si fuqi botërore politike dhe ekonomike.

Kurse në Shqipëri pas ndërrimit të sistemit nuk u vendos asnjë masë që të mënjanonte ish-komunistët dhe ish-sigurimsat nga pjesëmarrja në pushtet. Partia Komuniste Shqiptare u quajt më 1948 Parti e Punës dhe pas shpalljes së pluralizmit më 1991 nuk u shpërbë, por ndërroi vetëm emrin në Parti Socialiste. Kjo parti me të njëjtët deputetë që trashëgoi prej Partisë së Punës vijoi të ishte parti parlamentare në sistemin pluralist dhe shumë shpejt rimori pushtetin politik e atë ekonomik. Eshtë e kuptueshme se në Shqipëri kuadrot ish-komunistë dhe ish-sigurimsa që vijojnë të sundojnë politikën e vendit, nuk janë të interesuar të hapet asnjë debat mbi krimet e kohës së diktaturës komuniste. Mirëpo pikërisht mosdënimi i krimeve të kohës së diktaturës përbën ngërçin e politikës shqiptare.

Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë duke e kuptuar fatkeqësinë tonë, pasi vizitoi ekspozitën në Berat, dha një këshillë: “ka ardhur koha për të hapur dosjet e ish Sigurimit të Shtetit. Mendoj që ky është një proces i dobishëm për të gjithë shqiptarët dhe shpresoj shumë që ky proces të përmbyllet në mënyrë të suksesshme” (f.148). Mirëpo autori i shkrimit, i cili e di se për 25 vjet është folur e përfolur për këtë problem, janë krijuar komisione, janë përpiluar edhe projektligje, shton se ky proces “nuk ka gjasë të përfundojë askund, ai do të mbetet në hava, as me sukses as pa sukses” (f. 148).

Ballkani Perëndimor, SHBA-të Rusia dhe Turqia

Shqipëria dhe gjithë Ballkani Perëndimor janë në qendër të vëmendjes si të SHBA-ve, të Rusisë dhe të Turqisë. SHBA-të përpiqen që popujt e këtyre vendeve të ndërgjegjësohen dhe të ecin në mënyrë të pavarur drejt demokracisë dhe të vendosin vetë se në cilat organizata do të hyjnë. Kurse Rusia dhe Turqia me rrugë të ndryshme janë përpjekur që të ndalin procesin e demokratizimit të këtyre vendeve dhe të ndalojnë hyrjen e tyre në organizatat ndërkombëtare si NATO dhe BE. Rusia dhe Turqia përpiqen që të shtrijnë influencën e tyre në këto vende duke ëndërruar rikrijimin e perandorive të vjetra në forma të reja si perandori ekonomike me pushtet autokratik.

Në fund të prillit 2015 u mbajt seanca e Nënkomisionit të Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan që merret me Europën dhe Azinë. Midis tjerëve atje ishte ftuar dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, z. Hoyt Yee (Huajt Ji) përgjegjës për Ballkanin Perëndimor. Gazetari Shkreli pasqyron mendimet kryesore që tha ky diplomat i lartë dhe i mbështet ato. Duke karakterizuar situatën gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor ai theksoi se misioni amerikan për krijimin e një Europe të tërë të lirë dhe në paqe, është kërcënuar më shumë se kurrë mbas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe terrorit që po ushtrojnë forcat e ISIS në Siri dhe Irak. Për këtë arsye, vijoi ai, puna jonë për krijimin e Ballkanit Perëndimor si një zonë të lirë, me tregëti të lirë dhe pa korrupsion, duhet forcuar “për të ndihmuar këto shtete që të marrin vetë vendimin e pavarur për të ardhmen e tyre Euro-Atlantike... e deri tek përpjekjet për të çrrënjosur kancerin e korrupsionit që është duke brejtur nga brenda këto shoqëri” (f. 135).

Ka kohë që qeveria turke punon për gjallërimin e një fryme filoturke midis popullit shqiptar në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, dukuri të cilën Shkreli e kritikon pa hezitim. Në prill të vitit 2015 bota po përkujtonte me keqardhje 100-vjetorin e genocidit turk ndaj popullsisë armene, kurse agjentura turke në Maqedoni arriti të nxiste shumë shqiptarë myslimanë dhe pakicën turke e atë bosnjake që të delnin në një demonstratë në Shkup para xhamisë së Murat Pashës për ta kundërshtuar të vërtetën historike, vrasjen e njëmilion armenëve që kërkuan bashkimin me shtetin amë. Shkreli revoltohet nga ky fakt dhe pasi e kritikon demonstratën, dënon dhe fakte të tjera si rishikimin dhe ndryshimin e historisë së popullit shqiptar që kërkojnë qeveritarët turq, grekë dhe sërbë, me synim që të ndryshohet dhe së fundi të zhduket identiteti shqiptar në trojet ku populli shqiptar ka qenë gjithnjë autokton. Autori i shkrimit ngul këmbë se fajtorë kryesorë në këtë problem janë qeveritarët shqiptarë që nuk kundërshtojnë hapur, por iu nënshtrohen këtyre kërkesave absurde antikombëtare. Kjo heshtje e shtyn Shkrelin të sjellë si kritikë një citat të Faik Konicës: “armiku më i madh i shqipërve kanë qenë dhe janë vetë shqipëtarët” (f.146).

Idetë demokratike nuk vdesin, ato ndriçojnë popullin drejt së ardhmes

Midis recensioneve të veprave shkencore rëndësi të veçantë ka dhe shkrimi kushtuar veprës së Ndiçim Kullës “Enciklopedi Antologjike e Mendimit Shqiptar, 1807 – 1957 vol. 1-3”. Kjo vepër e rëndësishme përfshin shkrime të 75 intelektualëve shqiptaë të atyre viteve. Mendimet e tyre i përkasin botëkuptimit të djathtë, të cilat Shkreli i vlerëson duke bërë pyetjen retorike: “Si do të ishte sot Shqipëria dhe shqiptarët nëse në shekullin e kaluar do të kishin fituar pikëpamjet e tyre properëndimore?” (f. 409). Ky studiues dhe sociolog optimist sqaron se idetë demokratike të intelektualëve të shquar, të cilët u mundën prej Partisë Komuniste, humbën një betejë por jo vlerat e ideologjisë së tyre.

Ai sjell mendimin e Ernest Koliqit të cilin e takoi në Romë më 1968 në festimet e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Mendimtari Koliqi i pati thënë djaloshit Frank se Shqipëria pas vdekjes së Heroit Kombëtar u pushtua prej osmanëve, por drita e veprës dhe e ideve të tij e ringjalli kombin tonë dhe e drejtoi drejt lirisë. Duke qenë se z. Shkreli beson në forcën e ideve përparimtare, është i një mendjeje me z. Ndriçim Kulla, autorin e kësaj enciklopedie, se edhe mendimet përparimtare të intelektualëve shqiptarë properëndimorë të shekullit të XX-të, të cilët e humbën luftën, do ta ndihmojnë popullin tonë të gjejë rrugën e vet të rigjenerimit dhe ky “do të ecë drejt krijimit të një Shqipërie tjetër... të dijes e të përparimit” (f. 410).

Grindjet kanë penguar susksesin

Frank Shkreli e njeh mirë historinë dhe karakterin e popullit shqiptar. Ai vlerëson tiparet pozitive të tij si bujaria, mikpritja, trimëria, besa, etj, por nuk nguron të vërë në dukje dhe karakterin grindavec të shqiptarit, tipar ky që ka penguar në ecurinë tonë si shoqëri dhe si komb. Jo rastësisht ai në recensionet e librit “Vetëvrasja e një kombi” të Kol Bib Mirakajt dhe të librit anglisht të Albert Lulushit “Operacion Valuable Fiend” (“Operacioni, kundërshtar i dobishëm”, pranon idenë e artikuluar së pari prej këtyre dy autorëve se forcat antikomuniste shqiptare (indipendentë, ballistë, zogistë dhe proqeveritarë) gjatë viteve 1941 – 1944 dhe pastaj edhe diversantët e dërguar me ndihmën e Cia-s amerikane prej po këtyre forcave të arratisura jashtë shtetit) gjatë viteve 1948 – 1953, e humbën luftën kundër Partisë Komuniste, sepse ato nuk kishin një program të përbashkët, por grindeshin midis tyre.

Diaspora - pasuri e madhe shkencore, letrare dhe kulturore

Si njohës i mirë i veprimtarisë atdhetare të diasporës shqiptare në Amerikë, ky autor vlerëson me artikuj përkujtimorë, ose me recensione veprash figura të shquara si Xhevat Kallajxhiun, të cilin e quan dekan i gazetarisë shqiptare demokratike, Profesor Arshi Pipën shkrimtar, studiues, kritik letrar dhe pedagog i Letërsisë Italiane në Universitetin e Minesotës; Profesor Sami Repishtin një nga krerët e intelektualëve shqiptarë të diasporës sonë në SHBA si veprimtar i shquar i të drejtave të njeriut; Dr. Elez Biberajn shef i departamentit të Euro – Azisë në Radio Zëri i Amerikës dhe autor i disa librave mbi Shqipërinë dhe popullin shqiptar në vitet e tranzicionit; Idriz Lamajn gazetar në “Zëri i Amerikës” dhe autor i shumë studimeve dhe i veprës “Vatra dhe vatranët”, etj.

Guximi dhe qartësia e shprehjes së mendimeve si tipar dallues i këtij gazetari bie në sy në të gjitha shkrimet e tij edhe në ato që po vijon të shkruajë dhe sot. Ai ka kritikuar veprimet jo demokratike të shtetarëve të Ballkanit, por edhe të SHBA-ve. I tillë është rasti i këtyre javëve, kur ai u bashkua me ata senatorë e kongresmenë që kritikuan presidentin Donald Trump për urimin që i bëri me telefon Vladimir Putinit për zgjedhjen e tij shef i Kremlinit. Edhe Shkreli e kritikoi këtë veprim si një urim të panevojshëm për shkak se zgjedhja e Putinit ishte jo demokratike.

Demokracia nuk pret- pak fjalë për mënyrën dhe stilin e të shkruarit të gazetarit Frank Shkreli - Nga Dalip Greca

Kam mendimin se libri që promovojmë"Demokracia nuk pret" i gazetarit Frank Shkreli, përveç mesazheve dhe shqetësimeve qytetare, sjell edhe përvojën e tij gazetareske, ku dallohet një stil i veçantë i të shkruarit, me një gjuhë të pasur nga ana leksikore dhe të pastër nga fjalët e huaja, pa fjalë e fjali parazite, pa shprehje standarte e pllakateske, që vlen të studiohet dhe të merret në konsideratë nga gazetarët e rinj, natyrisht pa e imituar. Stili i tij gazetaresk nuk vuan nga mania e oratorizmit apo e ligjërimit fals.

Në shikimin tim, z. Shkreli është një vëzhgues i kujdesshëm i zhvillimeve demokratike, i ngjarejeve të ditës dhe ato të perspektivës, veçanërisht në trevat etnike shqiptare dhe një analist gjakftohtë, që operon kujdesshëm me faktet, pa e ngarkuar tekstin. Frazat dhe fjalitë në 80 artikujt e këtij libri që promovojmë janë të zhveshura nga mbingarkesa e huazimeve të huaja dhe përdor mjaft mirë gjuhën shqipe, edhe pse ka mërguar në moshë fare të re në SHBA.

Image
Dalip Greca

Mendoj se kapja e temës dhe vendosja e titujve përbën një model për atë që do të mësoj prej përvojës së gjatë të tij. Duke jetuar në SHBA, larg trojeve kombëtare, ai nuk e ka të vështirë që të ndjekë zhvillimet mbarëshqiptare dhe të jetë një mbrojtës i flaktë i çështjes kombëtare me argumente dhe jo në mënyrë folklorike siç e bëjmë ne shqiptarët shpesh. Gazetarit Shkreli i shërben si lëndë e parë për analizat e tij edhe një fakt, një problem, i ngritur në median e shkruar apo atë televizive. Në shkrimet e tij, të cilat në tërësi janë analiza të dukurive dhe fenomeneve që pengojnë demokracinë e brishtë, nuk mungojnë edhe shkrime -tip leksion demokracie apo vlerësime Historike për figura Kombëtare të nëpërkëmbura. Jo rrallë ai jep kushtrimin për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.

Në stilin e tij gazetaresk të bie në sy operimi mes fakteve dhe gjykimit. Në shumicën e shkrimeve ka një shqetësim bazë; ka një fakt-themel, mbi të cilin ngrihet ngrehina e artikullit. Shpesh herë ai e nis analizën duke iu drejtuar një fakti apo disa fakteve së bashku. Po sjell në vëmendje për të ilustruar idenë artikullin-analizë: "At Gjergj Fishta si vlerë Kombëtare". Shkrimi nis me një referencë të shtypit të Tiranës, në rastin konkret të Gazetës "Telegraf (gazetë ku ai vetë është një bashkëpunëtor i aktiv", - ku jepet kushtrimi”SOS” për gjendjen e mjerushme në të cilën ndodhej dhe ndodhet ende sot, Shtëpia e At Gjergj Fishtës, e kthyer në një magazinë kallamishtesh, ndërsa përballë saj qëndron stoik busti i poetit kombëtar, kandidat për Çmimin Nobel! Analistit Shkreli i mjafton ky sinjal-fakt i gazetës, për të na sjellë shqetësimin plot nerv të intelektualit për Kolosin e letrave shqipe, për atdhetarin, shërbestarin e Kombit, At Gjergj Fishta. Është një analizë e plotë, e detajuar, që përcjell përveç vlerësimit historik të kësaj figure madhore Kombëtare, edhe një kritikë të ashpër e të pamëshirshme për shtetarët indiferentë shqiptarë. Gazetari është i pamëshirshëm ndaj autoriteteve shqiptare, që mbyllin sytë dhe veshtë përballë gjendjes skandaloze të banesës së Homerit Shqiptar: Ai denoncon me kurajo qytetare. Gazetari flet hapur, pa kursyer kënd dhe del në përfundimin se: ”Kundër At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij, vazhdon ”përdhunimi historik”, harresa dhe denigrimi nga një grup, siç duket me influencë në vendimarrje të tilla, nga një grup historianësh politikë të doktrinuar, të cilët gjithnjë i referohen Homerit të shqiptarëve me epitetet më fyes si:”fashist” e “tradhëtar”…

Stili i gazetaresk i z. Shkreli dallohet edhe për faktet burimore dhe refencat e pasura mbi të cilat ngrihen shkrimet e tij.  Për ta ilustruar këtë do të mjaftonte si referencë shkrimi-kumtesë, i mbajtur këtu, në këtë sallë, në Vatër: “Arshi Pipa: Mendime të hedhura me rastin e 95 vjetorit të Lindjes”.  Për të analizuar e portertizuar shkrimtarin, poetin, filozofin, përkthyesin, studiuesin, politikanin disident, autori operon me figura të tjera të njohura, të cilat sjellin vlerësime për të, ose ai për ata… si poeti e shkrimtari disident Visar Zhiti, që ashtu si Pipa, vuajti tmerret e hetuesisë dhe burgjeve të diktaturës komuniste, që në takimin e parë me shkrimtarin e madh, pat sjellë këtë vlerësim: …Arshi Pipa “ishte njeri i prerë, i pa kompromis, madhërisht i pamëshirshëm me diktaturën”,… apo tek vlerëson prelatin e Lartë të Kishës, shkrimtarin dhe Ipeshkëvin Martir Vinenz Prendushi; apo referimi i vlerësimit të Pipës nga poeti Kombëtar Martin Camaj, të gjitha këto së bashku, me sjelljen e mesazheve të veprës, plotësojnë figurën e Arshi Pipës.

Përsëris: Stili i të shkruarit të z. Shkreli, dallon nga pastërtia e frazës dhe e fjalisë; nuk ka fraza e fjali parazite të ndërmjetme të ngufatura me ujëra, që e rëndojnë shkrimin. Tjetër cilësi e stilit të tij: Ka një raport të drejtë mes fakteve dhe analizës.

Ka një dallim në shkrimet e z. Shkreli duke u nisur nga natyra e shkrimit, tema që trajton. Në këndvështrimin tim, duket se kur ai trajton tema historike apo sjell personalitete historikë, ka një stil të vçantë, përmban në vetvete një lloj kushtrimi, shoqëruar me një pathos të veçantë brenda vetes, që përcjell krenarinë e të qenurit shqiptar. Mjafton të lexosh shkrimet kushtuar figurave historike si;  At Gjergj Fishta si vlerë Kombëtare, Dedë Gjon Luli në Shërbimin Kombëtar, Luigj Gurakuqi në një Optikë të re, Rivarrimi i eshtrave të Heroit Kombëtar Isa Boletini; Kol Bibë Mirakaj:Vetëvrasja e një Kombi; Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi; At Shtjefën Gjeçovi-Apostulli i Bashkimit Kombëtar, Ibrahim Rugova, njeriu që bëri miq për Kombin shqiptar, Mithat Frashëri me rastin e 65 vjetorit të vdekjes; Dom Simon Filipaj:Shqiptarë flisni shqip me Zotin”, e shumë  e shumë të tjerë …

Stili i gazetarit Shkreli shquhet për thjeshtësinë e qartësinë e mendimit dhe mesazheve që përcjell; ai dallon për komunikimin e drejtëpërdrejtë me lexuesin. Them me bindje se kur shkruan ai ka përballë lexuesin e tij. Ndoshta arsyeja do kërkuar tek ajo që konstaton studiuesi Thanas Gjika se tek ai ka ndikuar gazetaria radiofonike. Pra kur Franku shkruan mendon se ka përballë lexuesin e tij me të cilin komunikon, që apelon përmes artikullit.

Në publicistikën e z. Shkreli ndeshim dhe përballjen e fakteve apo vendosjen e dy a më shumë gjendjeve ballëpërballë. Mjafton të sjellim në kujtesë shkrimin”Roli i Diasporës në Politikën e Jashtme Amerikane”, ku autori përball vlerësimin dhe vëmendjen që i kushton shteti amerikan Diasporës Botërore në Politikën e jashtme të saj, duke e përballur me harresën e shteteve shqiptare ndaj Diasporës së tyre.

Në këndvështrimin tim, publicistika e shkruar e z. Shkreli është e zhveshur nga fjalët bombastike, nga vlerësimet e glorifikuara. Nuk gjenë tek ai shprehjet e lodhshme që karaktirizojnë gazetarinë e rëndomtë edhe këtu në komunitet, ku të gjithë përshkruhen si të mirënjohur, të shquar e shumë të shquar, tepër të njohur, shumë të talentuar, ku të gjithëve u vihen grada dhe tituj, sa na është mbushur komuniteti me doktorë e profesorë, Profesor-doktore, shkrimtar i shquar, poet i shquar, artist i shquar etj…edhe kur nuk i kanë këto grada ua jep gazetari. Jo, Franku i jep secilit hakun që meriton.

Gjithësesi mendoj se publicistika e gazetarit Frank Shkreli meriton vëmendje edhe nga katedrat e fakultetet e gazetarisë në Tiranë e Prishtinë, ndërsa për ne gazetarët e komunitetit të këtushëm, dhe në përgjithësi gazetarët e diasporës, ai mbetet një model nga duhet mësuar, natyrisht jo kopjuar. Uroj: Përurofshim së shpejti dhe librin e ri me publicistikë të autorit!

DALIP GRECA 21 Prill 2018

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat