Vizitë institucionale e Ambasadores Alma Lama në Padova

Diaspora

Vizitë institucionale e Ambasadores Alma Lama në Padova

Nga: Gëzim Muçolli Më: 22 prill 2018 Në ora: 06:54
Ambasadorja Alma Lama e Presidenti i këshillit komunal Giovanni Tagliavini.

Në vazhdën e veprimtarisë së dendur diplomatike të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Itali, ditën e mërkure me 18 prill 2018, qyteti Padova në në qendër të Italisë verilindore ishte mikpritës i ambasadores Alma Lama.

Në bazë të programit të vizitës, në orën dhjetë e gjysmë në ndërtesën historike të Komunës së Padovës, Palazzo Moroni, kryetarit të këshillit komunal Giovanni Tagliavini , i takoi nderi ta priste ambasadoren e Kosovës.

Gjatë takimit miqësor bilateral, presidenti Tagliavini dhe ambasadorja Lama folën për mundësitë e hapura të bashkëpunimit dhe shkëmbimeve tregtare, turistike e kulturore. Poashtu ata biseduan edhe për rëndësinë e prezencës së komunitetit kosovar që banon në territorin e Padovas si dhe sukseset në integrimin e tyre, ku një pjesë e madhe tashmë kanë fituar nënshtetësi italiane.

Me këtë rast ambasadorja kosovare shprehu falenderimine saj për mikpritjen si dhe për çdo gjë që ka bërë qyteti i Padovas për komunitetin kosovar, duke premtuar se do të angazhohet sa më shumë në nivel institucuional  për të ndihmuar në të ardhmen  bashkëpunimin e ndërmarrësve nga Kosova dhe atyre nga Padova.

Pasdite ambasadorja kosovare Alma Lama së bashku me senatorin e nderuar të Parlamentit italian, Aldo di Biaggio, vizituan selinë e Dhomës së Tregtisë( Camera di Commercio) të Padovës ku u pritën miqësisht nga Franco Conzato, drejtor i përgjegjës i Dhomës speciale (Promex Padova) dedikuar aktiviteteve internacionale themeluar me qëllim të përkrahjes së sistemit ekonomik të ndëmarrjeve padovane në raport me tregun global.

Në fushën e veprimit Promex Padova me rrjetin e fuqishëm informatik internacional iu ofron shërbime dhe zgjidhje ndërmarrësve, zejtarëve, tregtarëve, profesionistëve,ndërmarrjeve të vogla e të mesme të cilat duke u nisur nga territori kanë për qëllim zgjerimin e veprimtarisë në botën e jashtme, duke ndërlidhur potencialet dhe burimet e nd?rrmarrjeve padovane me gjithë botën.

Image
Senatori Aldo Di Biaggio, ambasadorja Alma Lama dhe Gëzim Muçolli.

Gjatë takimit me drejtorin Franco Conzato dhe Alessia Rigato, menagjere e exportit dhe marketingut në dhomën e tregtisë,u analizuan me kujdes aspektet e shumta që i lidhin dy vendet, ku ambasadorja Lama përkujtoi jo vetëm afërsinë gjeografike ku nga aeroporti më i afërt mund të shkohet në Prishtinë, në kryeqytetin e Kosovës për një orë e 15 minuta por edhe lidhjet e thella historike e kulturore që mund të zmadhojnë edhe ato tregtare, ekonomike, industriale e politike mes dy popujve.

Mundësitë e bashkëpunimit janë të shumta dhe të hapura për kontakt dhe shkëmbim duke marrë parasysh se ka kohë që partnerë të tjerë nga shtetet anëtare të bashkimit europian si Gjermania, Austria, etj.,  janë të pranishme në tokë të Kosovës.

Ambasadorja Alma Lama duke folur me respekt për angazhimin e Italisë para , gjatë dhe pas luftës në Kosovë, shprehu interesimin e saj që sa më shpejt të fillojnë programet e bashkëpèunimit mes realiteteve ekonomike –tregtare kosovare dhe padovane e më gjerë. Ajo dëshmoi me fakte dhe informata precize të gjitha fushat ku mund të fillojë bashkëpunimi në programe zhvillimi të ndërsjellë. Poashtu la në dispozicion të Dhomës së tregtisë së Padovas edhe material dokumentues dhe analitik të mundësive të shkëmbimeve tregtare.

Drejtori Conzato theksoi bindjen e tij se nuk është aspak e vështirë të gjenden mundësitë e zgjerimit të interesit të ndërmarrjeve ekonomike të Padovës si dhe të Regjionit Veneto me shtetin më të ri të Europës. Për mua tha ai, ka rëndësi edhe aspekti që Kosova është qendra gjeografike e Ballkanit si dhe fakti që atje kemi të bëjmë me njërin nga vendet më të sigurta për investime strategjike ku garantuese e paqes dhe sigurisë është Nato si dhe shteti italian është kontribues me misionin e paqes si dhe në Eulex. Pastaj euro si valutë e përbashkët, dhe reformat e kryera në ligjet e Kosovës që mundësojnë investitorëve të jashtëm siguri dhe hapje të bizneseve brenda pak ditëve nga aplikimi i tyre.

Ambasadorja kosovare foli edhe për rëndësinë që i ka kushtuar shteti i Kosovë ndërtimit të autostradave dhe rrjetit të qarkullimit rrugor duke thënë se porti i Durrësit në Shqipëri që e mund të jetë si pikënisje e mallrave  mund të arrihet për dy orë nga Kosova. Poashtu ajo tha se faktor i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik mund të konsiderohet edhe mosha e re e popullsisë të cilët janë të pajisur edhe me nivel të lakmueshëm të shkollimit , me njohje të gjuhëve të huaja dhe të informatikës, si dhe burimet minerare dhe natyrore të Kosovës. Munësitë e investimeve në industri të prodhimeve primare dhe sekondare, në bujqësi, në industrinë e përpunimit të drurit, në zhvillim të përdorimit të burimeve të energjisë së ripërtritëshme, etj.

Poashtu u fol me mirënjohje për raportet kulturore dhe përkrahjen e fuqishme nga Universiteti i Padovës dhënë Universitetit të Prishtinës para luftës si dhe për krijimin e rrjetit të bashkëpunimit ndëruniversitar duke ditur rëndësinë e madhe që ka pasur universiteti i Padovës duke influencuar mendimin humanist në Evropë gjatë historisë. Sot në universitetin e Padovës ka studentë që janë laureuar ose janë duke kryer studimet, kryesisht janë fëmijët e mërgimtarëve kosovarë në regjionin e Venetos.

Në fund të vizitës, drejtori i Promex Padova, duke folur me sinqeritet tha se kam pasur vizita me mysafirë institucionalë dhe diplomatikë nga vende të shumta të botës , por vendosshmëria e ambasadores Alma Lama e obligon që të angazhohet në përgatitjen sa më parë të një takimi pune mes ndërmarrësve italianë dhe kosovarë në Padova brenda pak muajsh.

Gjatë kësaj vizite të shkurtër por të frytshme, ambasadorja kosovare Alma Lama dhe senatori Aldo Di Biaggio vizituan edhe qendrën historike të qytetit të Padovës, të shoqëruar nga zotëri Francesco Arnau, arbëresh, kryetar i Shoqatës së Lukanëve në Veneto, mik i dëshmuar i popullit shqiptar dhe përkrahës i madh në të gjitha kohët i përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri e pavarësi, si dhe nga Gëzim Muçolli, nga komuniteti shqiptar i Padovës.

Ato poashtu vizituan pjesën historike të Universitetit patavin edhe njërën nga pikat më interesante dhe të bukur të qytetit, ndërtesën antike të Caffe Pedrocchi ku u pritën edhe nga drejtori i saj. Aty vizituan edhe muzeun e Luftës për Bashkimin e Italisë si dhe të kohës moderne.

Pasdite mysafirët përfunduan vizitën në Padova , qyteti i cili njihet edhe për kohën në të cilën ka jetuar poeti i madh italian Dante Alighieri, ku ka ligjëruar astronominë Galileo Galilei duke eksploruar yjet në qiellin e Padovës, ku kanë ligjeruar profesorët shqiptarë Gjin Gazuli e Leonik Tomeo,si dhe ku në vitin 1685, Pjetër Bogdani, autori i parë origjinal i letërsisë shqiptare nga Prishtina botoi në Tipografinë e seminarit të Padovas librin “Cuneus Prophetarum” (“Çeta e profetëve”). Duke u nisur për Romë u zotuan që do të kthehen prap në Padova në aktivitete pune në organizim të takimit ekonomik-tregtar Kosovë-Itali.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat