Vlera mendimtare të lirikës së mërgatës shqiptare

Diaspora

Vlera mendimtare të lirikës së mërgatës shqiptare

Nga: Baki Ymeri Më: 21 prill 2018 Në ora: 06:21
Kopertina e librit

Poeti Lulzim Gashi sjell çaste lumturie të këndshme për shpirtin tonë dhe lexuesit e kësaj vepre. Libri i tij „Drita e shekujve”, strukturohet në dy cikle: „Plisi im” dhe „Plagë malli”. Malli i mërgimtarit defilon në një numër të konsideruar lirikash të frymëzuara të këtij autori që jeton në trojet nordike të diasporës sonë. Nuk mungojnë as motivet patriotike: “Vë flamur të Ura e harqeve”, „Në krahëror mban dy shqiponja” etj. Apo, ato satirike: „Nuk lanë gurë pa rrokullisur/ Plëngprishësit e kohës së re”. Në poezi dy fjalë çajnë dheun: „Lumit rrjedhën ia ndërrojnë/ Në dhomën e poezisë/ Nëpër udhët e dhimbjeve.” Imagjinata e poetit është e pasur dhe e bujshme. Mendimi i matur dhe i pjekur e lakon hekurin. Ja dy vargje meditative që meritojnë të mbahen mend: „Kur u linda/ Thanë se qielli u përflak!”

Zoti mbretëron në trurin tonë. Ku ka Zot nuk ka frikë, dhe ku ka frikë nuk ka Zot. Ne jemi pikësëpari shqiptarë, e pastaj i përkasim një besimi fetar, qoftë atij katolik, ortodoks apo islamik. Shqipëria u lind para krijimit të botës, kurse shqiptari u lind me Zotin. Poetin Lulzim Gashi e inspirojnë zanat e Dardanisë dhe hyjnitë e lashtësisë, mikpritja, solidariteti, besa shqiptare dhe kullat tona: „Shih si janë lodhur muret/ Dritaret sogjojnë nëpër kohë/ Edhe dielli paska harruar/ Të zbresë këtu/ Po ç’i duhet dielli oborrit/ Pa zë njeriu e vaj fëmije/ Që mbush kullën me dashuri!”.

Lulzim Gashi e zotëron jo vetëm fisnikërimin e mençurisë, por edhe psikologjinë e lumturisë, duke na dhuruar sintagma interesante, mbresëlënëse  dhe inkurajuese. Në vargjet e tij defilojnë fragmente nga ndjeshmëria jonë erotike dhe historia jonë e lashtë: “Mos vdeksha/ Pa të pa në trojet e të parëve të mi/ Si një nuse me një kurorë mbi kokë/ Në kullën tënde të bien daullet një ditë/ Të dehem për një çast në vargun epik/ Mos vdeksha pa të parë të bashkuar/ Dhe nëse vdes një ditë/ Do të shndërrohem në zjarr të pashuar!” Edhe pse është ende i ri, poeti e përkujton kohën e rinisë dhe të dashurisë: “Një botë përplot nektar. Një bulevard i Perëndisë/ Ku gjurmët e jetës një nga një/ Thesar i mbesin në kalendar.”

Vlen të ripërkujtojmë faktin se poeti ka imagjinatë të bujshme dhe të pasur. Ja një shembull konkret që dëshmon se Lulzim Gashi ka diskurs të pasur poetik dhe shpirt të florinjtë: „Ti ke lindur/ Me diellin në Jug/ Atje janë rrënjët tua/ Të tokës së gjakut/ Në çdo cep të qiellit/ Zgjohesh me yje/ Me një tufë ëndrrash/ Lidh brigje / Me plisin e shekujve/ Nëpër udhët e përlotura/ Je shpirt poeti nëpër vargje!” Autori i kësaj vepre shkruan për zotërinjtë e kombit “që harruan stinët me shi”, për Llapushnikun e tij, për ëndrrat e rinisë, për lamën e kujtimeve, për Shqipërinë, për pleqërinë e shelgut, për nënat “Që enden me pankarta në dorë/ Sheshit të lirisë/ Kur bie muzgu i mbrëmjes/ Kridhen në vetmi/ Me lotët flasin/ Ndarë!”

Duke huazuar mendime nga Vladimir Muça lidhur me poetin dhe poezinë, mund të themi se lirizmi i Lulzim Gashit ka origjinalitetin e vet me shpërthime lirike dhe erotike ku zotëron një ndriçim dhe ngrohtësi bio-shqiptare për netët me hënë, ku buzë lëndinës, poeti ëndërron dhe flet me yjet: “Shtrirë mbi mallin e zhuritur/ Vapë korriku/ Mes dilemave hamletiane/ Bregores së shpirtit zbrita/ Me një ëndërr të pafajshme/ Për Ty/ Ndeza një qiri në mesnatë/ Të më bëjë dritë! (Me ty fola). Ja pra një imagjinatë e pasur artistike, që realizon unitetin ndërmjet ndjeshmërisë afektive dhe intelektit! Kjo dëshmon qartë se poeti gjithmonë ka qenë pararoja e shoqërisë. Kritikën dhe artin, Bjelinski i quante ndërgjegje e epokës.

Kjo vlen edhe për mërgimtarin tonë të frymëzuar. Në vargëzimet e tij shungullojnë lumenjtë e vendlindjes dhe bien të rreshura shiu. Ai përulet para shëmbëlltyrës së  çapkënes së tij të bukur e të brishtë, edhe pse: „Para portretit tënd përulem/ Por gjunjëzimin nuk e deshta kurrë!” Nga një poet durrsak kuptojmë se në një analizë kritike që i bën Bjelinski forcës e kontributeve estetike që ka poezia lirike, i porosit krijuesit: „Lirika u jep gojë dhe fytyrë ndjenjave memece, i nxjerr ato nga burgu mbytës, i ngushtë, i krahasuar me ajrin e pastërt të jetës artistike, u dhuron atyre një ekzistencë të veten”. Kjo vlen edhe për Lulzim Gashin dhe biografinë e tij sentimentale: „Më iku zëri deri në kupë të qiellit/ Bulëzave të syve një lot i madh/ Nëpër faqe të një libri të nisur/ Një biografi pa adresë banimi/ Pritja/ Horizont i paskaj/ Deri në kupë të qiellit/ Sonte/ Zbraz një kupë me verë!”

Lulzim Gashi është një poet real dhe origjinal. Realiteti është gjithmonë një atribut i individualitetit. Kush nuk inspirohet nga realiteti, nuk mund të kuptojë energjinë për perfeksionimin e botës, për ta lartësuar atë në majat e mirësisë dhe bukurisë: „Me degë të shpërndara/ U ula një natë me hënë/ I luta yjet të rrinin me mua/ Afër lëdinës së gjelbëruar/ Me lule dashurie/ Ti erdhe e hajthme/ Flladi  i verës më shoqëronte/ Ti erdhe në kujtimet e mia/ Me vargje të pashkruara në strofë/ Oh ç’më dogji ajo natë/ Fërfëllimë në shpirt të trazuar/ Si zjarr i pa/shuar!”. Kaq! Pak e për merak për këtë poet interesant të diasporës sonë. Në vazhdim po ia lëmë fjalën lexuesit dhe kritikës letrare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat