Raporti zyrtar, ja është numri i shqiptarëve të rregullt në Itali

Diaspora

Raporti zyrtar, ja është numri i shqiptarëve të rregullt në Itali

Më: 6 prill 2018 Në ora: 14:11
Ilustrim

Ministria italiane e Punës dhe Çështjeve Sociale ka publikuar raportin mbi praninë dhe karakteristikat e komuniteteve të huaja emigrante në Itali.

Shqiptarët konfirmohen prej disa vitesh si komuniteti i dytë më i madh në numër mes komuniteteve të huaja.

Sipas të dhënave zyrtare, në Itali jetojnë aktualisht 441.838 emigrantë shqiptarë me leje të rregullt qëndrimi. Numri i tyre për vitin 2016 ishte rreth 482.959. Në krahasim me një vit më parë rezultojnë 41 mijë shqiptarë më pak.

Ky reduktim shpjegohet me faktin se tashmë shumica e emigrantëve shqiptarë kanë përmbushur ciklin e duhur për marrjen e nënshtetësisë italiane, e vit pas viti rritet numri i atyre që bëhen qytetarë italianë.

Rreth 60.6% e emigrantëve shqiptarë jetojnë në veri të Italisë, me një prani të fortë territoriale në rajonin e Toskanës.

Mbi 71.3% e shqiptarëve në Itali kanë një leje qëndrimi me afat të gjatë kohor e ndërsa 30% e tyre kanë një leje qëndrimi afat shkurtër e të rinovueshme.

Mjaft interesante është analiza e motiveve të lejes së qëndrimit të shqiptarëve të Italisë deri në vitin 2017.

64.6% e shqiptarëve të Italisë kanë leje qëndrimi për motive familjare, pra kanë bërë bashkim familjar, 28.4% për motive punësimi, 4.4% për kurim mjekësor e motive fetare, 2% për shkollim e 0.7% për motive humanitare e azilkërkues.

Përgjatë vitit 2016 janë 17.517 shqiptarë të pajisur me leje qëndrimi duke shënuar një rritje prej 11.7% në krahasim me një vit më parë. 66.6% prej tyre kanë një moshë mesatare nën 29 vjeç.

Shqiptarët janë në vend të parë ndër komunitetet e huaja për punësim sezonal. Deri në fillim të 2017 janë 958 shqiptarë që kanë hyrë në Itali e janë pajisur me leje qëndrimi të përkohshme për punë sezonale.

Sa i takon sistemit të punës, mbi 52.6% e emigrantëve shqiptarë nga mosha 15-64 vjeç janë të punësuar rregullisht. Faktorët kryesore të punësimit të tyre janë ai i ndërtimit, sektori industiral, i shërbimeve, i turzimit dhe i tregtisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat