Shqipja, lëndë me zgjedhje në Izmir

Diaspora

Shqipja, lëndë me zgjedhje në Izmir

Më: 4 prill 2018 Në ora: 14:09
Pandeli Majko dhe Ismet Y?lmaz


Në muajin prill, në qytetin e Izmirit do të fillojë mësimi i gjuhës shqipe, e cila u përfshi në sistemin shtetëror turk si lëndë mësimore me zgjedhje, ndërkaq ka filluar edhe shpërndarja falas e teksteve.

Këtë e tha ministri i Arsimit në Turqi, Ismet Y?lmaz, gjatë takimit të zhvilluar me Ministrin Pandeli Majko.

Ministri Majko gjatë takimit kërkoi bashkëpunimin e Ministrisë turke të Arsimit për mundësimin e një sektori të veçante të librave shqip në libraritë turke, kërkesë e cila u prit pozitivisht.

Ministri Yilmaz theksoi se një iniciativë e tillë është e nevojshme në një prej shteteve me numrin më të madh të shqiptarëve jashtë vendit.

Ministrat gjithashtu diskutuan për projekte të tjera të përbashkëta në fushën arsimit dhe për nevojën e shkëmbimit të eksperiencave studentore e akademike.

Një ditë më parë, ministri i Shtetit për Diasporën u takua me Zëvendëskryeministrin turk Hakan Cavu?oglu. Zyrtari i lartë turk i rezervoi një pritje të ngrohtë Ministrit Majko, duke i rikonfirmuar mbështetjen e fortë të vendit të tij.

Dy zyrtarët e vunë theksin tek marrëdhëniet miqësore mes dy shteteve dhe tek përkrahja e pamohueshme që u kanë dhënë njëri-tjetrit në momente të vështira.

Majko i përcolli Zëvendëskryeministrit falënderimet në emër të popullit shqiptar, për ndihmën që ofroi Turqia për banorët e zonave të përmbytura në Shkodër.

Cavu?oglu siguroi Ministrin se bashkëpunimi mes dy vendeve do të vazhdonte të ishte i fortë në të gjitha fushat dhe theksoi gatishmërinë për të ndihmuar në implementimin e projekteve të ndryshme.

Ndërsa vlerësoi përpjekjet e autoriteteve turke në kuadër te ruajtjes së identitetit dhe kulturës shqiptare tek diaspora jonë atje, Ministri Majko kërkoi bashkëpunimin e tyre në ngritjen e një qendre botimi për librat shqip. Zëvendëskryeministri u shpreh i gatshëm të ndihmojë për realizimin e këtij projekti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat