Një manifestim madhështor kushtuar Kosovës në Bukuresht

Diaspora

Një manifestim madhështor kushtuar Kosovës në Bukuresht

Nga: Baki Ymeri Më: 17 mars 2018 Në ora: 15:47
Bukuresht

Organizuar nga Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë dhe redaksia e revistës Shqiptari, vlen të ripërkujtojmë faktin se para tetë vitesh me rastin e Ditës së Flamurit, më 28 Tetor 2010, në restorantin “Boema 33” që ndodhet në zemër të Bukureshtit, në prezencë të një numri të madh intelektualësh rumunë dhe shqiptarë, poetë, eseistë, diplomatë dhe kuadro shkencore, dashamirë të mëdhenj të Kosovës dhe kulturës shqiptare, u mbajt Tryeza e 5 e miqësisë së Kosovës me Rumaninë, me të cilin rast u promovuan librat “Golgota kosovare” e Fehmi Kelmendit nga Zvicra dhe “Kosova letrare” e Monika Mureshanit nga Bukureshti. Përveç vlerave letrare të veprave respektive, u bë fjalë edhe për Kosovën dhe historinë e saj të përgjakur me shekuj nga kolonializmi serb. Fehmi Kelmendi, përndryshe është prezent në revistat Cronica e Jashit dhe Natiunea e Bukureshtit, me vlerësimet estetike të kritikut Marius Qelaru, sipas të cilit Fehmi Kelmendi vjen në gjuhën rumune nga një familje e moçme dhe fisnike, e cila e ka shkrirë jetën për kauzën shqiptare. Këtë e dëshmojnë madje edhe titujt e disa librave të tij. Profesor Kelmendi është autor i disa veprave të botuara me karakter historik dhe letrar. Ndër to shquhen librat Kush janë shqiptarët, Përjetime, Duke pritur agimet e kombit tim, Plakur nga malli, Shpirt i ndezur, Golgota kosovare etj.”

Kritika letrare rumune përmend faktin se si pasojë e persekutimeve politike të diktaturës serbe në Kosovë, autori është shpërngulur në Zvicër para 20 vitesh. Vargun e tij e prek malli ndaj shtëpisë dhe mllefi ndaj atyre që e determinojnë shqiptarin të shpërngulet në botën e huaj. Përndryshe, profesor Kelmendi është një veprimtar i dalluar çështjes kombëtare shqiptare. Rjedh nga një familje e cila gjithmonë ka sakrifikuar për çështjen kombëtare. Profesor Fehmiu nga viti 1991 jeton dhe vepron në Biel-Bienn të Zvicrës. "Bashkësia Shqiptare në Zvicër" e çmon si veprimtar të palodhshëm, si intelektual që merret me hulumtime nga lëmia e historisë, me grumbullimin dhe përpunimin e folklorit shqiptar, me poezi dhe tregime. Shkrimet, komentet dhe analizat politike të F. Kelmendit kanë ndikuar pozitivisht në evoluimin dhe dinamizmin e mendimit dhe veprimit politiko-filozofik tek shqiptarët në diasporë. Mesazh i trefishtë i poezisë së tij janë humanizmi dhe atdhetarizmi. Në poezinë e tij defilon vendlindja dhe Shqipëria etnike në totalitetin e saj, vlerat e kombit dhe martirët e pavarësisë, satira, humori, alegoria, sarkazma, adhurimi i atdhetarëve dhe fshikullimi i tradhëtarëve.

 Zgjidhja e vetme dhe e drejtë e çështje shqiptare është Shqipëria etnike

Në kuadrin e përurimit të librave të zt. Kelmendi dhe znj. Mureshan, 20 dashamirë dhe aktivistë të shquar të kulturës shqiptare u shpërblyen me nga një “Diplomë të Shkëlqesisë”. Në kuadrin e fjalës përshëndetëse, F. Kelmendi tha: “Ju falënderoj për pjesëmarrjen Tuaj në këtë tubim kushtuar Ksovës në Bukuresht! Nga historia dimë se rumunët janë popull mikpritës. Të parët Tuaj, trakët, dhe të parët tanë, ilirët,  kanë patur lidhshmëri shpirtërore dhe fqinjësi gjeografike. Prej këtu burojnë elementet e përbashkëta që i ka gjuha gjuha rumune me gjuhën shqipe. Pas Vasile Ujkut (rum. Lupu), në këtë vend mikpritës kanë vepruar rilindësit më të njohur shqiptarë, ndër të cilët dallohen Naum Veqilharxhi, Nikolla Naço, Mihal Grameno, Pandeli Sotiri, Dhimitër Zografi, Asdreni, Kuteli etj. Më 5 nëntor 1912, në Bukuresht, gjetën përkrahje të kolonisë së këtushme shqiptare Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, dhe përcaktuan masat që duheshin marrë për shpëtimin e atdheut të rrezikuar. Sa u përket poezive të mia, i motivuar nga nostalgjia, unë kam shprehur mallin ndaj popullit dhe atdheut, si dhe dashurinë ndaj lirisë dhe pavarësisë kombëtare. Sipas meje, zgjidhja e vetme dhe e drejtë e çështje shqiptare është Shqipëria etnike. Me theks të veçantë, mesazhin tim lirik ua kam drejtuar bashkatdhetarëve tanë kudo që janë.” Fjala e Prof. Kelmendit qe pritur me duartrokitje frenetike nga pjesëmarrësit e këtij manifestimi dinjitoz.

Dr. Xhelku Maksuti, historian rumun me origjinë shqiptare, veteran i komunitetit të këtushëm shqiptar, President Nderi i kolonisë shqiptare të Rumanisë, theksoi: Historiani jo vetëm që regjistron ngjarje por ai është edhe një hulumtues që analizon esencën e tyre duke  dhënë kontribut për fshikullimin e padrejtësive apo krimeve që e pengojnë zhvillimin e shoqërisë humane dhe civilizimit. Po qe se gjenocidi osman kundër armenëve më 1915 do të ndëshkohej me kohë nga opinioni ndërkombëtar, nuk do të bëhej i mundshëm as gjenocidi i agresorëve serbë kundër shqiptarëve të Kosovës në shek. XX. Përkthyesi i librit “Golgota kosovare” na mundëson që edhe ne t’i njohim vlerat reale të disa krijuesve shqiptarë nga Kosova, ndër ta duke qenë edhe kolegu im, Fehmi Kelmendi. Libri i tij është një kronikë vargjesh mbi evenimentet tragjike që e përgjakën Kosovën në kohën e Kasapit të Ballkanit, kohë në të cilën Rumania i hapi portat e mikpritjes së rreth 100 refugjiatëve kosovarë në kampin Sarata Monteoru, ndër ta duke qenë edhe një numër anëtarësh nga familja e madhe e Jasharjve.

Poezitë me tituj si “Lindja dhe vdekja e ditës” apo “Historia e hidhur” janë sinjifikative për këto dhembje që ta trazojnë shpirtin, vargje ku defilon vdekja në muzgun e ditës, nënat dhe motrat tona duke derdhur lotë për bijtë dhe bijat e rëna për çrobërim dhe pavarësi. Në poezinë “Hipokrizia” fshikullohet politika barbare serbe si armë e dinakërisë. Vëllimi “Golgota kosovare” konsiderohet si një nga realizimet më të shkëlqyera të përkthyesit (B. Y.), duke mos harruar faktin se autori i tyre është një intelektual vlerash adekuate, jo vetëm në fushë të historisë, por edhe në rrafshin letrar, me një njohje solide të situatës në Jug-Lindje të Evropës, mesazhi i tij duke përfaqësuar një mision me karakter të thellë humanist dhe patriotik.”

Monica Mure?an: Në kuadrin e ekspozesë sime me titull “Reportazh nga fronti i poezisë në „Golgotën kosovare”, dua të theksoj se libri i Zotit Kelmendit shëmbëllen me një ditar evenimentesh dhe mendimesh personale shpeshherë të realizuara përmes asociacionesh ideshë apo krahasimesh me personazhe të shumta mitologjike, duke qenë në të njëjtën kohë një reportazh i mirëfilltë nga fronti i ngjarjeve dhe përjetimeve intenzive ndaj të cilave autori shpreh vizionin e tij. Duke metaforizuar, mund të themi se kemi të bëjmë me raportime nga fronti i poezisë, territori i saj duke qenë vendi i zhvillimit të konflikteve dhe dramave, por edhe i fitoreve dhe gëzimeve. Në këtë kontekst, të josh teksti konciz dhe i shkurtë, formula e adoptuar duke qenë ajo e poemit poetik apo narativ, diversiteti i të cilit kaplon gjerësi përmes temave të trajtuara, por edhe përmes rrethanave artistike të shprehjes së përdorur. Mesazhi i librit qëndron në temën e lirisë dhe të mërgimit të brendshëm, mendor, por edhe efektiv, fizik. Gjithëçka frymëmerr në një atmosferë të nostalgjisë, sidomos ndaj disa kohërva të shkuara, por edhe të implikimit në tanishmërinë reale, e përshkuar herëpashere nga motivi i dashurisë dhe shpresës, por edhe i skarificës dhe flijimit.

Fjala është për një realizim estetik, një formë e stilistikës moderne të shprehjes në varg të lirë që laton ide të reja letrare, edhepse autori përnga pregaditja profesionale është historian. Janë tejet interesante metoda dhe tema e gërshetuar me subjekte personazhesh mitologjike tejet familiare për historinë shqiptare, një ekskurzion në Selinë e Zanave, braktisjen e atdheut duke e konsideruar si një “histori të hidhur”, madje dhe një “mashtrim”. Autori mënjanë e shfrytëzon mençurinë e pasqyrimit të historisë shqiptare në vargje. Mënjanë e shqetson bota e mashtrimit dhe kërcënimit, komunistët e konvertuar në demokratë, fati i Kosovës, “tempulli i djajve”, “parakalimi nëpër rrugët e vështira”,  “liria e privuar” që shëmbëllen me “vdekjen e demokracisë”, por edhe “shekulli i ndezur”,  “balada kosovare, “varret e martirëve” ku “shndrisin agimet me rreze të arta”, si dhe tri data të rëndësishme: 28 Nëntori – Dita Kombëtare e Shqipërisë, 24 Marsi – Dita e bombardimeve të NATO-s dhe 17 Shkurti – Dita e pavarësisë kosovare.

Duke deshifruar mesazhin e tij lirik kuptojmë se përgëzimi i fitores përmes ripërfitimit të identitetit kombëtar ishte i shkurtë, ngase tanishmëria dëshmohet e turbullt, e pasigurtë dhe kërcënuese. Autori kërkon çelsin e enigmës së fshehur në harresë “për të çelur portat e lirisë”. Ky është njëfarë mbarimi profetik i një kronike të historisë kombëtare, prej nga lexuesi është në gjendje të nxjerrë vetë konkluzione, ndërsa nga pikëshikimi i realizimit artistik në këtë vepër vërehet një paletë e pasur figurash stilistike, si sinteza dhe antiteza, apostrofi si një procede e stilistikës retorike, krahasimi, paradoksi, satira, ironia dhe antifraza,  poezitë me temën e kohës dhe kronografinë e ditëve dhe netëve, gërshetim epitetesh dhe një gamë mjetesh tjera të shprehjes së qartë që i japin një pasuri gjuhës letrare, ideja qëndrore duke u ndërlidhur me “çlirimin nga parantezat e lirisë së privuar”, hiperbola duke qenë një shembull briliant që e përshkon “Golgotën kosovare” që nga faqja e parë e deri te ajo e fundit. Autori inkorporhet në kategorinë e njerëzve të mençur që e kanë vënë penën në shërbim të një misioni fisnik, duke luftuar për një botë më të mirë, njësoj siç vepron edhe përkthyesi i vargjeve të tij në gjuhën e Emineskut, Baki Ymeri.

Në vazhdim, për vlerat e veprave të F. Kelmendit dhe M. Mureshanit, e morën fjalën Mihai Antonesku, Luçian Gruia dhe Florentin Popesku (poetë dhe eseistë), Gjorgje Miku (ish/ambasador i Rumanisë në Shqipëri), Gjorgje Bukura (mik i madh i Kosovës dhe ish-këshilltar i Zyrës rumune në Prishtinë), Tiberius Puiu (analist politik, përkthyes dhe ish-këshilltar qeveritar), sipas të cilit, qeveria rumune, jo vetëm që gabon duke mos e njohur pavarësinë e Kosovës, por edhe e anashkalon çështjen e sivëllezërve tanë tejmatanë kufinjve të Rumanisë, duke i lënë në mëshirën e fatit 500 mijë rumunët e Luginës së Timokut, të diskrimimnuar sistematikisht nga politika shoviniste e Beogradit.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat