"Perlat shkodrane" në Gjakovë

Diaspora

"Perlat shkodrane" në Gjakovë

Ramazan Ceka Nga Ramazan Ceka Më 13 mars 2018 Në ora: 16:49
Pamje nga koncerti

Ky koncert i titulluar "Perlat shkodrane" u shfaq në fillimin e marsit për qytetarët e Gjakovës, duke u bërë kështu me madhështinë e tyre, si të thuash lajmëtari i parë i pranverës që po vjen.

Qyteti i mbuluar me petkun e bardhë të dëborës, siç janë dhe vetë zemrat e gjakovarëve, e sfidoi këtë natë të ftohtë dimri, duke i dhuruar artistëve pjesëmarrës ngrohtësinë dhe bujarinë që i karakterizon.

Gjakova dhe Shkodra kanë shumë gjëra të përbashkëta. Lidhjet e tyre janë të moçme, janë lidhje historike, ekonomike dhe kulturore. Shkodranët dhe gjakovarët kanë luftuar bashkë, kanë tregtuar bashkë, por edhe kanë kënduar bashkë.

Ata edhe sot e kësaj dite vazhdojnë t'i ruajnë me themel lidhjet e historisë, kulturës dhe traditës së bukur shqiptare.

Ky ishte edhe lajtmotivi i këtij koncerti kaq madhështor me pjesëmarrjen e rreth njëmijë spektatorëve. Organizatorët e kishin titulluar "Perlat Shkodrane", sepse në këtë koncert u kënduan me të vërtetë këngët më të zgjedhura nga fondi i artë i krijimtarisë popullore të këngës shkodrane nga artistë të mrekullueshëm dhe virtuozë.

Ndjehem e priviligjuar, u shpreh në hapje të këtij koncerti moderatorja simpatike Vlona Boshnjaku, për dy arsye, së pari se jam në këtë qytet kaq të mrekullueshëm siç është Gjakova dhe së dyti se kam nderin të prezantoi perlat e këngëve shkodrane dhe xhevahirët e çmuar që do t'i këndojnë ato.

Kështu filloi kjo natë e paharruar, jo vetëm për spektatorin gjakovar, por edhe për artistët që u ngjitën në skenë.

Disa ditë më parë, grupi organizator i drejtuar nga z.Edmond Hoxha, një ndër më të njohurit në Kosovë për organizime të tilla, udhëtoi për në Shkodër për të kordinuar të gjitha punët rreth organizimit të koncertit. Z. Edmond Hoxha shoqërohej nga këngëtari i shquar kosovar Shkëlzen Jetishi (Xeni), drejtuesi i orkestrës Vllaznim Buxhovi dhe instrumentisti Vllaznim Mamusha.

Takimin e parë e bënë me kryetaren e Bashkisë znj. Voltana Ademi, e cila u tregua e gatshme për të bashkëpunuar për realizimin e koncertit që do të zhvillohej në Gjakovë, duke e bashkërenduar atë edhe me veprimtari të tjera të fushës ekonomike dhe tregtare mes dy qyteteve.

Një ndër qëllimet e ardhjes së këtij grupi në Shkodër ishte edhe takimi nga afër me artistin e madh të këngës shkodrane, legjendën e gjallë të "Ahengut Shkodran", "Artistin e Merituar" Shyqyri Alushi.

Ky takim kaq emocionues për të dyja palët u bë në shtëpinë e këngëtarit të madh Shyqyri Alushi. Shyqi, në momentin që hapi derën e shtëpisë u emocionua dhe u përlot, sepse miqtë kishin ardhur me këngë në gojë. Atmosfera në shtëpi u ndez si në një gëzim të madh, ku protagonistë u bë i zoti i shtëpisë dhe këngëtari i qeshur e simpatik Xeni, që kënduan së bashku të shoqëruar me një fizarmonikë nga maestro Vllaznim Buxhovi.

"Sot ma keni zgjat jeten", u shpreh i përmalluar këngëtari 84-vjeçar që ka pësuar të gjitha ndryshimet e moshës, por jo zërit të tij të mrekullueshëm. Zëri i Shyqyri Alushit vazhdon të jetë i pastër, i qartë dhe i ëmbël, ashtu si shumë vite më parë.

"Edhe 100 vite o Baca Shyq me shëndet e me këtë za të mrekullueshëm", e uruan nga zemra miqt që kishin ardhur.

Gjatë këtij takimi të ngrohtë, të shoqëruar me biseda, por dhe me këngë e humor, miqt nga Gjakova e ftuan këngëtarin e madh që të merrte pjesë në koncertin "Perlat Shkodrane" që do të zhvillohej në gjakovë.

Ata nuk e morën premtimin për ardhjen e tij menjëherë, sepse Shyqi kishte shumë arsye që ngurronte dhe që e lidhnin me moshën e tij dhe gjendjen shëndetësore, por sakrifica e këtij artisti të madh ishte dhe surpriza më e bukur e koncertit, ku Shyqyri Alushi erdhi e mori pjesë.

Gjatë këtyre takimeve në Shkodër edhe unë autori i këtij shkrimi i përjetova të gjitha këto emocione. Atë ditë televizioni TV1 Channel pasqyroi edhe takimin që grupi nga Gjakova bëri në qytetin e Shkodrës.

U zgjatëm pak me emocionet e këtij takimi, por emocione të tjera do të përjetonim gjatë zhvillimit të koncertit në Pallatin e Kulturës "Asim Vokshi" në Gjakovë.

Ky koncert në Gjakovë nuk ishte i pari, pasi në vitin 2009 ishte organizuar me këngët e Usta Isuf Myzyrit nga Elbasani, me këngët e Qamilit të vogël nga Gjakova në vitin 2010 dhe me këngët e Mustafa Budinit në vitin 2011.

Bleta punëtore, siç u cilësua gjatë koncertit, duke mbledhur nektarin e luleve të këngëve popullore, kishte mbërritur në Shkodër për të sjellur në Gjakovë "Perlat Shkodrane".

Koncerti filloi me interpretimet e mrekulluseshme të dy këngëtarëve të mëdhenj, "Mjeshtrit të Madh" Kastriot Tusha dhe bilbilit të këngës shqipe Shkëlzen Jetishi me tri këngë perla nga repertori shkodran, duke filluar me këngën "Karajfilat që ka Shkodra".

Në vazhdim, në skenë sjell freskinë e saj një këngëtare e re e talentuar shkodrane, Rosela Gjylbegu, e cila u prit me duartrokitje nga gjithë të pranishmit në sallë.

Më pas vjen surpriza, Xen Jetishi del përpara spektatorëve dhe njofton publikun: "Sonte kemi mes nesh këngëtarin e madh, përfaqësues gati shekullor të "Ahengut Shkodran", legjendën e gjallë të këngës popullore Shyqyri Alushi. Ju ftoj të ngriheni në këmbë dhe me një duartrokitje të fuqishme t'i uroni mirëseardhjen".

Në sallë shpërthen një festë e vërtetë. Xeni pasi e uroj nga zemra edhe 100 vite të tjera me shëndet e me zë bilbili, iu drejtua edhe një herë publikut: "Sonte do të kemi për ju dhe për mikun tonë të ftuar edhe një surprizë tjetër të këndshme, një këngë kushtuar Shyqyri Alushit, një këngë që kam ëndërruar prej kohësh ta këndoj. "I shartum me za t'bylbylit", titullohet kënga me tekst të poetit shkodran Ramazan Çeka, kompozuar nga djali i tij, muzikant i ri i talentuar Arsid Çeka, orkestruar nga maestro Luan Dagistani".

Me emocione të mëdha Xeni interpreton këngën, i shoqëruar gjatë gjithë kohës me duartrokitje nga publiku në sallë, duke e kënduar edhe një pjesë të këngës pranë vendit ku ishte i ulur Shyqi.

Më pas Xeni fton dhe shoqëron në skenë këngëtarin e madh dhe këndojnë së bashku, duke shoqëruar njëri-tjetrin.

Këto ishin momente magjike, jo vetëm për Xenin që interpretonte përkrah Shyqyri Alushit, por edhe për spektatorët që kishin mes tyre këtë ikonë të këngës shkodrane.

Një meritë të madhe në suksesin e këtyre improvizimeve kishte edhe orkestra e mrekullueshme e Buxhovit që tregonte se këta instrumentistë të talentuar e njohin dhe dinë ta ekzekutojnë muzikën dhe këngën e bukur shkodrane.

Ato morën vlerësime të larta edhe nga vetë këngëtari i madh Shyqyri Alushi. Në fjalën e tij këngëtari virtuoz Shyqyri Alushi u shpreh kështu: "Shkodra është një qytet i mrekullueshëm. Shkodra ka shumë gjëra të veçanta, por mbi të gjitha ka këngën shkodrane të njohur në të gjithë trevat shqiptare. Unë sonte ndjehem shumë i lumtur, pasi kam shëtitur shumë vende, por emocionet që përjetoj mes jush, nuk i kam përjetuar asnjëherë në jetën time. Gjakova është Shkodër!"

Më pas ai falenderoi organizatorët, por në mënyrë të veçantë mikun e tij Shkëlzen Jetishi, duke e cilësuar atë si një virtuoz dhe bilbil të këngës popullore shqiptare në Kosovë e më gjërë.

Kjo atmosferë kaq e ndezur, vazhdoi me një tjetër surprizë të këndshme. Shkëlzen Jetishi ftoi në skenë një tjetër bilbil të këngës shkodrane, një tjetër trashëgues të të gjitha vlerave të kësaj kënge. Ai ftoi për një duet "Mjeshtrin e Madh" Bujar Qamili për të interpretuar së bashku këngën "Dy bylbyla në një gem", një këngë që tregon lidhjet e kultrurës së dy qyteteve, Shkodrës dhe Gjakovës. Kënga me tekst të Ramazan Çekës është kompozim i Zaim Mërkulajt, orkestruar nga maestro Luan Dagistani.

"Mjeshtri i Madh" Bujar Qamili pas interpretimit kishte zgjedhur për publikun të këndojë edhe dy këngë hit nga repertori i tij "Ky marak" dhe "Kur më rrin karshi-karshi".

Pas interpretimit me shumë sukses ai falenderoi të zotët e shtëpisë dhe publikun gjakovar për mikëpritjen dhe vlerësimin, duke vënë në dukje se bashkëpunimi në mes të dy qyteteve dhe më gjërë është gjithmonë i pranishëm dhe për këtë përmendi edhe shumë interpretime nga këngëtarë të shquar jo vetëm shkodranë e gjakovarë, por edhe nga krahina të tjera të Shqipërisë e Kosovës, duke improvizuar para publikut një fragment të këngës "N'Xhamadanin vija-vija" që ai jo pa krenari u shpreh se është një këngë hit për të gjitha trevat shqiptare dhe që është krijuar në Shkodër.

Interpretime të mrekullueshme të perlave shkodrane sollën para publikut edhe "Mjeshtri i Madh" Kastriot Tusha, si dhe miku e bashkëpunëtori i Xenit, këngëtari i njohur Zenel Doli.

Shfaqjes i dha vlera të jashtëzakonshme interpretimi virtuoz i aktorit me famë, me origjinë gjakovare, por lindur në Shkodër, Mirush Kabashi "Nderi i Kombit", i cili solli para publikut vargjet e pavdekshme të Fishtës.

Më pas koncerti vazhdoi me një tjetër interpretim të xenit.

Përveç duartrokitjeve që publiku i dhuronte këngëtarit të tyre Xen Jetishi, bashkëshortja e tij e surprizoi atë dhe gjithë të pranishmit, kur solli në skenë një dhuratë krejtësisht të veçantë, portretin e nënës së Xenit që përmalloi jo vetëm këngëtarin, por gjithë publikun. Kjo ishte një fotografi që familja e tij kishte menduar t'ja dhuronte me këtë rast, pasi Xeni në këtë ditë kishte edhe ditëlindjen.

Përgatitja e këtij spektakli, si e çdo shfaqje nuk ka qenë e lehtë, pasi organizimi i tij ka kërkuar përveç dëshirës së mirë dhe përkushtimit edhe mbështetje, të cilat nuk kanë munguar, duke filluar që nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, Komuna e Gjakovës e të shumë sponsorëve të tjerë që kanë dhënë kontribut në realizimin e tij.

Këto i pasqyroi më së miri në fjalën e tij organizatori Edmond Hoxha dhe për rëndësinë e këtij aktiviteti u shpreh me vlerësimet më të mëdha edhe Zv. Ministrja e Ministrisë së Kulturës znj. Burbuqe Bakija Deva dhe Kryetari i Komunës së Gjakovës z. Ardian Gjini.

Nga Shkodra morën pjesë tre përfaqësues të Drejtorisë së Kulturës të Bashkisë së Shkodrës, Vinifreda Gazulli, Xhulio Gjeçi dhe Loreta Selmani, të cilët vlerësuan bashkëpunimin mes dy qyteteve.

Spektakli me këngë popullore "Perlat Shkodrane" u transmetua live nga RTK dhe u pasqyrua edhe nga televizioni "Syri Vizion" i Gjakovës, ku nuk mungonte pjesëmarrja e moderatores dhe gazetares së mrekullueshme, Lili Pylla.

Një punë shumë të vlefshme artistike e dokumentare bëri edhe fotografi i njohur gjakovar Shkëlzen Rexha, duke fiksuar me aparatin e tij këto çaste magjike që do të marrin gjiron e botës kudo që punojnë e jetojnë shqiptarët.

Spektakli dhe festa nuk mbaruan këtu. Për të gjithë të ftuarit, në lokalin "Xeni Imperial" u shtrua një darkë madhështore me rreth 600 pjesëmarrës, ku kënga dhe muzika vazhduan deri në orët e para të mëngjesit, ku përsëri mbizotëronin perlat shkodrane.

Qershia mbi tortë në këtë mbrëmje nuk ishte thjeshtë një simbol, pasi në kulmin e saj një tortë madhështore surprizoi të pranishmit. Këngëtari i madh, bilbili i Gjakovës Xen Jetishi kishte datëlindjen. Ai mbushte 54 vjet, gati aq vite sa ai ka mrekulluar që në moshë të re dashamirësit e këngës popullore. Urimet ishin pa fund.

Bleta punëtore, siç u tha edhe gjatë spektaklit, së shpejti do të dalë të kërkojë nektarin e këngëve të mrekullueshme shqiptare në Jugun e Shqipërisë.

Mars 2018

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat