Ambasada e Kosovës në Romë organizoi pritje solemne me rastin e 10 vjetorit të Ditës së Pavarësisë

Diaspora

Ambasada e Kosovës në Romë organizoi pritje solemne me rastin e 10 vjetorit të Ditës së Pavarësisë

Nga: D. Bunjaku Më: 21 shkurt 2018 Në ora: 16:58
Pritja solemne me rastin e 10 vjetorit të Ditës së Pavarësisë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali organizoi pritje solemne për nder të përvjetorit të dhjetë të Pavarësisë së Kosovës dhe përvjetorit të dhjetë të marrëdhënieve diplomatike në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës Italiane

Pritja solemne u mbajt në sallën prestigjioze Poussin të Galerisë Doria Pamphilj, në qendrën historike të Romës, me c'rast u ftuan dhe ishin të pranishëm përfaqësues të shumtë të korit diplomatik, të institucioneve italiane, të Parlamentit italian, të mediave, të bizneseve, të artit e të kulturës, si dhe miq të shumtë nga shoqëria civile, komuniteti arbëresh, bashkatdhetarë dhe studentë kosovarë. Festa u hap me performimin e himit kosovarë dhe të atij italian nga pianisti maestro Davide Santi dhe sopranoja Ana Lushi.

Në fjalën e saj përshëndetëse, ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Sh.S. Alma Lama, duke iu uruar mirëseardhje të pranishmëve, shkurtimisht kujtoi 17 shkurtin e vitit 2008, rreth dy milion persona dolën nëpër rrugë për të festuar realizimin e një ëndrre dhe se për të arritur deri më këtë moment historik ishte një proces i gjatë dhe i vështirë, e i koordinuar me vendet e botës demokratike. Ambasadorja Lama tha se bashkë me ditën e pavarësisë Kosova feston edhe 10 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Italinë, e cila edhe këtë herë ishte ndër vendet e para që përkrahu dhe njohu pavarësinë e Kosovës.

Në vazhdim të fjalës së saj, ambasadorja Lama kujtoi të gjithë ata që kanë ndihmuar për të mbërritur deri tek dita e çlirimit të Kosovës, duke thënë se "pa angazhimin e figurave politike, ushtarëve, gazetarëve dhe aktivistëve të ndryshëm italiane, jemi të gjithë të vetëdijshëm se sot nuk do të ishim këtu. Dhe kjo përkrahje fillon nga figura me peshë politike si presidenti Matarella, ish-ministër i mbrojtjes në kohën e krizës në Kosovë, ish-kryeministri dhe qeveria D’Alema, qeveria Letta, senatorja edhe ish-ministrja e jashtme Emma Bonino dhe i ndjeri Marko Panella i Partisë Radikale, e shumë e shumë të tjerë".
Ambasadorja Lama po ashtu i kujtoi dhe i falënderoi për punën e tyre të çmuar në vetëdijesimin e opinionit publik dhe zbardhjen e të vërtetës mbi krimet që po ndodhnin gjatë luftës në Kosovë, gazetarët dhe autorët e librave të ndryshëm, duke e veçuar gazetarin e Radio Radikale, të ndjerin Antonio Russo, që ishte i fundit që qëndroi në Kosovë pasi filluan bombardimet e NATOs, për të dëshmuar spastrimin etnik. Ajo poashtu vecoi artistët italian në krye me Pavarotin për kocertin humanitar në ndihmë të fëmijëve të Kosovës. 

"Dua të falënderoi për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm organizatat humanitare italiane si Kryqi i Kuq, Karitasi, Intersosi, etj. Por mbi të gjitha dua të falënderoi në këtë përvjetor të gjithë popullin italian për zemërgjerësinë e tij, për ndihmat e donacionet, për hapjen e dyerve për refugjatët e luftës. Dhe falënderimi nuk është i plotë nëse nuk do të përmendja punën e mjekëve dhe solidaritetin e spitaleve italiane", tha ambasadorja Lama. 
Ajo me këtë rast foli edhe për kontributin e komunitetit arbëresh dhe të atij shqiptar që ishin zëri i Kosovës në Itali, ndërsa shfrytëzoi rastin që t'i falënderoi edhe diasporën kosovare duke i ftuar ata që t'ia kthejnë të mirën Italisë, duke dhënë kontributin e tyre kudo që janë.

Pas fjalës së Ambasadores, të pranishmëve në festë iu drejtuar edhe kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme në Dhomën e Deputetëve z. Fabrizio Cicchitto, i cili uroi Kosovën për të arriturat e deritanishme dhe kërkoi që të vazhdohet me punën dhe përkushtimin drejt integrimit në familjen evropiane dhe më gjerë. 
Festa vazhdoi me interpretimin solistik të dy këngëve të artistes së famshme kosovare Nexhmije Pagarusha. Mbrëmja u përmbyll me koktej rasti me c'rast mysafirëve iu shërbye edhe verë kosovare dhuruar për këtë rast nga Stone Castle dhe Bodrumi i Vjetër.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat